1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shfrytëzimi i energjisë diellore në Maqedoninë e Veriut

29 Gusht 2022

Përdorimi i teknologjisë diellore për nxehtësi duhet të ishte krejt i thjeshtë në Maqedoninë e Veriut. Por subvencionet e pakta dhe rregulloret e pamjaftueshme pengojnë projektet megjithë përfitimet ekonomike.

https://p.dw.com/p/4G9l3
Solaranlage I Photoltaik in Bayern
Fotografi: R. Linke/blickwinkel/picture alliance

Hoteli "Drim” mbi liqenin piktoresk të Ohrit rikonstruktoi së fundi sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes. Edhe pse për një dekadë, ky hotel përdorte kaldajat – një zgjedhje praktike energjie për bojlerët dhe sistemin e ajrit të kondicionuar – vendosi të kalonte tek teknologjia termike diellore. Ndryshe nga sistemet fotovoltaike, të cilat i shndërrojnë rrezet e diellit në energji elektrike, modulet termike diellore prodhojnë energjinë që u nevojitet pajisjeve ngrohëse dhe ftohëse.

Menaxheri i hotelit, Krste Blazheski, i tha DW se rritja me 10% e energjisë elektrike këtë vit, u kushtoi atyre një investim prej 170.000 eurosh, që u deshën për të instaluar sistemin e ri të paneleve diellore dhe fotovoltaike. "Fitimet nga ky investim mund të merren pas 3 ose 4 vitesh” – thotë Blazheski. "Atëherë do të kemi energji falas”.

Nord-Mazedonien | Hotel Drim am Ohridsee
Hoteli "Drim”Fotografi: Drim Hotel

Megjithatë, investimi i "Drim” në teknologjinë diellore termike e kalon atë automatikisht tek pakica. Sipas hulumtimit të Deutsche Welle, sponsorizuar nga "European Journalism Fund”, shumë kompani dhe qytetarë janë të etur për tranzicion, nga energjia tradicionale, tek ajo e rinovueshme. Por subvencionet e pakta të qeverisë për investime të këtij lloji, përfshirë këtu edhe kontraktorët e palicencuar që bllokojnë tregun me mallra dhe shërbim nën kosto, e zbehin optimizmin.

Photovoltaikanlage, Solarstromanlage auf dem Dach eines Bauernhofes bei Plattling, Niederbayern, Bayern, Deutschland, Europa, ÖffentlicherGrund, Europa
Fotografi: Raimund Kutter/imageBROKER/picture alliance

"Diell maqedonas për energjinë maqedonase”: kështu njoftoi në vitin 2018 ish-kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se vendi duhet të përdorë diellin bujar, me qëllim që të përfitojë ekonomikisht. Katër vite më vonë, shteti ballkanik, flamuri i të cilit ka në përbërje një diell vezullues – po ecën me vështirësi drejt synimeve ambicioze për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore dhe fotovoltaike.

Një ndër vendet me më shumë diell në botë

Sipas Zyrës Shtetërore të Statistikave familjet maqedonase instaluan gjatë vitit 2019 rreth 80 mijë panele diellore. Një zgjerim më masiv është i mundshëm, sepse me 280 ditë me diell në vit, Maqedonia e Veriut ka të drejtë të krenohet më shumë se vendet e tjera. Megjithatë raporti më i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme bëri të ditur se më pak se 2% e energjisë vendase prodhohet aktualisht nga energjia diellore, një nga nivelet më të ulëta në Europë.

"Eko-svest”, organizata jo-fitmprurëse për informacion dhe kërkim mjedisor, e cila kohët e fundit nisi fushatën për planifikimin e energjisë inteligjente, pretendon se instalimi i paneleve diellore në vetëm 1% të territorit të vendit, mund ta bëjë të pavarur energjinë e vendit. Me sa duket, interesi i qytetarëve nuk mungon.

Nord-Mazedonien | Solar Panele auf Dach
Fotografi: Camel Solar

"90% e qytetarëve besojnë se energjia diellore mund të përdoret shumë më tepër për të përmbushur nevojat që kemi" - thotë Ana Colovikj Leshoska, drejtuese e "Eko-Svest”. Dhe afërsisht e njëjta përqindje beson se duhet të ketë më shumë investime në pavarësinë e energjisë, shton ajo.

Shumë pak subvencione

Mbështetja e pamjaftueshme për investitorët është një pengesë e madhe, thonë njëzëri ekspertët dhe sipërmarrësit. Deri tani, subvencionet kanë qenë të vogla. Rreth 80 mijë euro në vit u janë shpërndarë familjeve që kanë instaluar panele diellore, që do të thotë se një familje merr nga 150-300 euro për të mbuluar kostot e instalimit.

Sistemet shtëpiake, që zakonisht përbëhen nga një ose dy module, kushtojnë rreth 500 euro për panel. Një kolektor i vetëm mundëson afërsisht 150 litra ujë të nxehtë në ditë. "Kjo nuk është asgjë, duke marrë parasysh nevojat e vendit" - thotë Ilija Nasov, drejtor i grupit lobues industrial "Solar Maqedonia”. Për më tepër, si rezultat i kufizimeve të vendosura në fondet e shtetit nga pandemia COVID-19,

Ministria e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut ka konfirmuar se nuk do të ketë ndihmë shtetërore për sistemet termike diellore gjatë gjithë këtij viti.

Kostoja e teknologjisë së paneleve diellore ka çuar në krijimin e të ashtuquajturave "kompani fantazmë”, të cilat ofrojnë një punë të dobët, me materiale me cilësi të ulët, kryesisht të prodhuar në Kinë. "Njerëzit duan që t'i blejnë këto pajisje sa më lirë që të jetë e mundur. Shpeshherë ata bëjnë gabimin e investimit në cilësi shumë të ulët” – thotë Sanja Popovska Vasilevska, nga Agjencia maqedonase e Mbrojtjes së Konsumatorit. Kompanitë "mbijnë” nga hiçi, përfundojnë punën dhe ditën tjetër zhduken nga qarkullimi, thotë ajo. Shumë shpejt, sistemi i tubacioneve digjet ose del jashtë funksionit. Kur konsumatorët shkojnë të zhgënjyer tek agjencia, është thuajse e pamundur për t'i gjurmuar këto kompani, ndërkohë që klientët humbin paratë e tyre, thotë Popovska Vasilevska.

Ligje të reja për furnizuesit e pandershëm

Ilija Nasov nga "Solar Macedonia” ka bindjen se legjislacioni aktual ka nevojë për ndryshime urgjente. Sipërmarrësit e palicensuar nga shteti nuk duhet të përfitojnë asnjë subvencion. Ai gjithashtu thekson se tregtarët e pandershëm, të cilët importojnë materiale me cilësi të ulët për panelet të mos pranohen në dogana, ndërkohë që prodhuesit vendas si "Camel Solar” dhe "Plasma” paguajnë taksë prej 18% për importin e lëndëve të para që nevojiten për panelet diellore.

Vietnam | Solaranlage in Hanoi
Fotografi: Viet Nam News/ANN/picture alliance

"Nuk ka mekanizma kontrollues” – evidenton Nasov. Grupi lobues i industrisë organizon kurse dhe lëshon certifikata për instaluesit e licensuar. 80 vetë janë trajnuar gjatë 3 viteve të fundit. Megjithatë, 200 instalues të licensuar në shkallë vendi janë shumë pak, thotë shoqata.

"Kur instalohen sisteme fotovoltaike, situata ndryshon krejtësisht” – shpjegon Marko Bislimoski, kreu i Komisionit Rregullator të Energjisë në Maqedoninë e Veriut. Para se t'i drejtohen Komisionit për aplikimin e licensave të prodhimit të energjisë, kompanive u nevojiten një sërë dokumentesh dhe lejesh ndërtimi. Ndërtuesit ankohen për shiritin e kuq, por ai i siguron investitorët që të mos përballen me të njëjtat rreziqe si konsumatorët që blejnë sisteme termike jocilësore.

Pavarësisht problemeve, ka një nxitje të madhe për energjinë e rinovueshme në Maqedoninë e Veriut, mbështetur nga Bashkimi Evropian. Synimi për prodhimin e energjisë së rinovueshme në konsumin total të energjisë bruto parashikohet të jetë 40% deri në vitin 2030 dhe 45% deri në 2040-ën. Që nga viti 2018, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka financuar rreth 27 milionë euro për prodhimin e energjisë diellore dhe hidroelektrike. "BERZH ka mbështetur investime të konsiderueshme në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes, sigurinë e furnizimit dhe përdorimin e burimeve të energjisë së rinovueshme" - thotë Andi Aranitasi, kreu i BERZH në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ekspertët pajtohen se pavarësisht synimit të mirë, nuk ka gjasa që fondet ndërkombëtare të ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të arrijë objektivat e saj ambicioze në kohë.