1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë - edhe më tej të bllokuara

20 Shtator 2011

Serbia akoma nuk po lejon mallrat kosovare që të hyjnë në teritorin e saj. Përfaqësues të qeverisë së Kosovës thonë se ata po presin nëse Serbia do ta respektojë në tërësi marrëveshjen për vulat doganore me Kosovën.

https://p.dw.com/p/12csL
Në Prishtinë po humbet durimi në tregtinë me Serbinë
Në Prishtinë po humbet durimi në tregtinë me SerbinëFotografi: Ajete Beqiraj

Dy maune me çimento nga Kosova u lejuan mbrëmë që të kalojnë në një terminal doganor në Jug të Serbisë, por sot ato u kthyen mbrapsht në Kosovë, konfirmojnë zyrtarë nga dogana e Kosovës. Kalimi në territorin e Serbisë i këtyre dy mauneve vetëm për një natë ndodhi për herë të parë pas më shumë se tri vjetësh, qysh kur Serbia ndaloi të gjitha produktet kosovare që të hyjnë apo kalojnë tranzit në Serbi. Zëdhënësi i doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, i tha DW-së, se akoma nuk kanë marrë sqarim nga pala serbe se përse këto maune të cilat gjatë natës së shkuar qëndruan në terminalin doganor serb ne Preshevë sot u kthyen mbrapsht.      

Që nga marrja nën kontroll nga autoritetet kosovare të dy pikave kufitare me Serbinë në veri të Kosovës ka me dhjetra maune me mallra serbe, që janë lejuar të hyjnë në tregun kosovar nga pika kufitare e Merdarës, mirëpo në këtë pikë nuk janë lejuar që të kalojnë në Serbi mallrat kosovare. Qeveria e Kosovës tashmë ka dërguar një letër në zyrën e ndërmjetësit të BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Kuper, me të cilën e njofton se Serbia akoma nuk po lejon që të nxirren në tregun e Serbisë mallrat komerciale të Kosovës.

Letra nga Kosova dhe Serbia në Bruksel

Një letër në Bruksel e ka dërguar edhe Qeveria e Serbisë, e cila kërkon që doganierët kosovarë të mos qëndrojnë në dy pikat kufitare në Bernjak dhe Jarinjë në veri të Kosovës , ndërsa modalitetet, për qarkullimin e lirë të mallrave të diskutohen në takimet e ardhshme në dialogun Kosovë-Serbi. Të shqetësuar për bllokadën që u bën Serbia mallrave kosovare, shprehen edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit. Në një konferencë të mbajtur në Prishtinë mbi sfidat e biznesit kosovar, kryetari i Asociacionit të Bizneseve Kosovare, Agim Shahini, thotë se nëse një praktikë e tillë vazhdon, atehërë, qeveria e Kosovës duhet të kthejë masat e reciprocitetit për Serbinë.

“ Nëse Serbia vazhdon të bëjë bllokadë dhe të mos e respektojë marrëveshjen ku është garantues Bashkimi Evropian, qeveria e Kosovës duhet të marrë vendim të menjëhershëm të kthimit të masave të reciprocitetit dhe këtë ta bëjë me masa edhe më të ashpra”, thotë Agim Shahini.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila ka thënë se “qeveria e Kosovës ka hequr blokadën për mallrat serbe, mirëpo, nëse Serbia vazhdon me bllokadën për mallat kosovare, atëherë është vetëm çështje ditësh, ndoshta brenda kësaj jave kur do të kthehen masat e reciprocitetit për Serbinë”.

Biznesmenët kosovarë kërkojnë rivendosjen e reciprocitetit

Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, lejimi i disa mauneve me mallra kosovare që të kalojnë në tregun e Serbisë nuk do të thotë asgjë, përderisa Serbia vazhdon të pengojë mallrat kosovare në mënyra të ndryshme që të dalin në tregun e saj.

“Derisa nga Serbia janë me qindra maune të ngarkuara që presim të zbrazen në Kosovë, nga Kosova kemi shumë pak maune që pretendojnë të kalojnë kufirin për në Serbi. Ndoshta ka ndodhur që dy maune kosovare të kalojnë në Serbi, mirëpo, kjo nuk do të thotë asgjë, por në kuadër të dialogut, ne duhet ta bindim faktorin ndërkombëtar me argument se është Serbia ajo që po shkel marrëveshjen për tregti të lirë”, thotë Safet Gerxhaliu.

Sidoqoftë, dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullimin e mallrave dhe njerëzve. Në këtë fazë sipas një vendimi të qeverisë së Kosovës këto dy pika doganore nuk do të perdoren për qarkullimin e mallrave Kosovë-Serbi, derisa, në veri të krijohen kushtet për një qarkullim të lirë. Rrugët në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të barrikaduara nga serbët lokal. Forcat paqerujatëse, të cilat kanë madatin për të siguruar qarkullimin e lirë, nuk njoftojnë të kenë një plan të shpejtë për heqjen e barrikadave. Në këtë fazë ata po shërndajnë afishe në veri, duke u sqaruar serbëve se bllokimi i rrugëve nuk është formë e mirë e protestës dhe bllokadat vetëm sa do ta vështirësojë jetën e tyre.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi