Shkup: Zbulohet korrupsion me paratë europiane
6 Tetor 2006Komisioni nga Ministria e punëve të brendshme dhe policia financiare do të rishqyrtojnë metodologjinë dhe koordinimin e ndihmës humanitare nga programi CARDS. Bëhet fjale për një ndihmë prej 320 milionë eurosh. Nëse vërtetohen elementet e korrupsionit ose përfitimit personal në këtë aferë do të inkuadrohen edhe anëtarët e Komisionit për luftë kundër korrupsionit.
Ish nënkryetarja e Qeverisë Radmilla Sheqerinska, të gjitha akuzat i vlerëson si spekulimet të llojit të vet që kanë për qëllim diskreditimin personal dhe partiak në prag të mbajtjes të konventës të socialdemokratëve ku ajo do të garojë për postin e kryetares.
"Kur Qeveria del me dyshime, ajo së paku duhet të ketë ndonjë argument ose ndonjë kritikë konkrete ndaj donatorëve. Këto akuza drejtuar në adresën time janë thjesht pamflet politik", ka deklaruar Radmilla Sheqerinska.
Ministri i punëve të jashtme Antonio Milloshoski, thotë se qeveria në mënyrë urgjente duhet të heqë të gjitha dyshimet për keqpërdorime sepse vetëm ashtu mund të ruhet imazhi i Maqedonisë për fitimin e ndihmave nga jashtë.
"Zonja Sheqerinska e ka kot pritjen, që unë t'i tregoj se cilët diplomatë të huaj janë ankuar për keqpërdorimin e mjeteve financiare. Keqpërdorimet ajo mund ti gjejë në Sekretariatin për çështje evropiane me të cilin ka udhëhequr për katër vite," thotë Milloshoski.
Pas publikimit të kesaj afere ka reaguar ambasada e SHBA-ve në Shkup e cila distancohet nga informatat për gjoja keqpërdorime të mjeteve financiare. Deri më tani populli amerikan përmes USAID-it ka investuar mbi 450 milionë dollarë. I tërë ky investim ka qënë transparent, thonë nga ambasada e SHBA-ve.
Edhe ambasadori i BE-së në Maqedoni Ervan Fuere, thotë se nuk ka dijeni për keqpërdorim të ndihmave financiare për Maqedoninë. Ndihma që BE jep për Maqedoninë, udhëhiqet nga Agjencia europiane për ripërtrirje, e cila sipas Ervan Fueres punon në mënyrë tejet transparente.
Ambasadori i Britanisë, Robert Dikson, mohon keqpërdorimet nga Fondi i ndihmave të BE-së dedikuar Maqedonisë.