Shqetësim në Berlin për Egjiptin
9 Korrik 2013Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP) është i shqetësuar nga trazirat që po vazhdojnë në Egjipt. Në Twitter, ai i bëri thirrje të dielën për të gjithë ata që janë përgjegjës që "në këtë situatë të tensionuar të mos mbështeten tek dhuna. Tani duhet të fillohet sa më shpejt me hapa drejt procesit të transformimit demokratik." Pesë orë më vonë, pasoi mesazhi tjetër në kanalin zyrtar Twitter të Ministrisë së Jashtme ku jepej një paralajmërim për ata që udhëtojnë në Egjipt - përveç në zonat turistike në Detin e Kuq.
Edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së Catherine Ashton, tha se në Egjipt duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur zgjedhje.
Në Berlin pati një demonstratë të pasuesve të ish-presidentit Mursi që kërkojnë nga Gjermania më shumë se sa deklarata diplomatike. Ata kërkojnë që "ushtria të largohet."
Pak ndikim
Politikani i CDU-së Ruprecht Polenz nuk beson se apelet diplomatike do të ndikojnë tek palët në Egjipt. "Mundësitë e ndikimit nga jashtë që kanë në dispozicion Gjermania dhe Evropa janë relativisht të kufizuara ", tha kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, në një intervistë me Deutsche Welle. Politikani i CDU-së është në favor të vazhdimit të projekteve gjermane të zhvillimit në Egjipt, që janë të përqendruara kryesisht në furnizimin me ujë të pijshëm dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe arsimit. "Këto janë të gjitha të dobishme, sepse ndihmojnë popullin egjiptian." Megjithatë, nëse situata në vend do të bëhet edhe më kaotike, projektet duhet të ndalen. Një zhvillim i tillë është për fat të keq "jo plotësisht i pamundur."
Polenz beson se ushtria egjiptiane kishte intervenuar kryesisht për të mbrojtur sipërmarrjet e shumta në vend, "nga turizmi deri në prodhimin e mallrave të konsumit", sepse Vëllazëria Myslimane ka dështuar politikisht si në çështje të rëndësishme të zhvillimit ekonomik edhe në integrimin e forcave të tjera politike. Egjipti, tha Polenz, përballet tani me pyetjen nëse do të ndjekë Turqinë në zhvillimin e tij. Aty ushtria, e cila për dekada kishte një pozitë të fortë, e kaloi atë gjithnjë e më shumë në favor të partive të zgjedhura me rrugë demokratike. Mundësia tjetër? "Algjeria në vitet 1990." Në atë kohë, ushtria ndërhyri pas fitores së zgjedhjeve nga forcat islamiste: "Ky vend pastaj kaloi në situatën e një si lufte civile dhe aty sundon ende ushtria."
Kërkimi i një udhëheqjeje të re kalimtare të premtuar nga ushtria në Egjipt deri tani s'ka qenë i suksesshëm: Sipas raporteve të mediave, salafistët e partisë Nur refuzojnë emërimin e Muhamed El-Baradeit, ish-drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, dhe insistojnë për një figurë politikisht neutrale.