1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasaportat e arta shqiptare: Borell e Rama qëndrime ndryshe

16 Mars 2023

A është nisma e Shqipërisë për “pasaportat e arta” - vetëm e pezulluar apo çështje e mbyllur? Borrell dhe Rama me deklarata të ndryshme.

https://p.dw.com/p/4OoO4
Edi Rama, Joseph Borell dhe Oliver Varhelyi
Edi Rama, Joseph Borell dhe Oliver VarhelyiFotografi: Press Office, Albania Premiership

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell, deklaroi në Tiranë, të enjten (16.03) në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin Rama dhe komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi se nisma e qeverisë Rama për dhënien e shtetësisë shqiptare investitorëve të huaj, në këmbim të një pagese apo të një projekti të paracaktuar, e njohur si nisma e "pasaportave të arta”, nuk do të ndiqet më tej.

"Ne patëm mundësinë të mirëpresim deklaratën e zotit kryeministër që skema e pasaportave të arta nuk do të ndiqet më tej," tha Josep Borell, që mori pjesë bashkë me komisionerin Varhelyi në takimin XII të Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së.

Rama: Procesi vetëm është pezulluar

Konferenca e përbashkët për shtyp u zhvillua në përfundim të këtij takimi. Në këtë konferencë, kryeministri i Shqipërisë, Rama, tha lidhur me "pasaportat e arta” që procesi vetëm është pezulluar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi RamaFotografi: Nake Batev/AA/picture alliance

"Përsa u përket pasaportave të arta kemi bërë të qartë që e kemi pezulluar procesin deri kur të sqarohet në nivel evropian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm nga vendet e BE-së që e kanë zbatuar me sukses. Ka një çështje në Gjykatën Evropiane, ne nuk do ta nxjerrim më këtë iniciativë në tavolinë pa parë si do të përfundojë çështja në Gjykatën Evropiane. Nëse Gjykata Evropiane vendos kundër pasaportave të arta, kjo është një çështje e mbyllur. Nëse Gjykata Evropiane vendos pro, atëherë çdo vend do të bëjë zgjedhjen e vet.” theksoi Rama.

Në një intervistë ekskluzive të DW me zëdhënësen e Komisionit Evropian, Ana Pisonero-Hernandez, lidhur me "pasaporta e arta” ajo theksoi që " BE-ja respekton të drejtën e vendeve sovrane për të vendosur mbi mënyrën e dhënies së shtetësisë. Konteksti aktual i agresionit rus kundër Ukrainës, nxjerr më tej në pah, rreziqet që paraqesin skemat e shtetësisë për investitorët e huaj si infiltrimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta.”

Rama: Nuk heqim dorë nga amnistia fiskale

Këshilli i Stabilizim-Asocimit mes BE-së dhe Shqipërisë përbën nivelin më të të lartë të dialogut politik mes tyre. Për herë të parë që nga viti 2003, kur Shqipëria filloi bisedimet lidhur me Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE, ky takim, i dymbëdhjeti, u zhvillua në Tiranë.

"Jemi në Tiranë për t'i treguar popullit shqiptar se Shqipëria po afrohet gjithnjë e më tepër dhe BE-ja është gjithmonë e më tepër pranë jush. Duam të japim një sinjal të fuqishëm politik për angazhimin e BE-së ndaj rrugëtimit shqiptar drejt integrimit evropian” tha në konferencën e përbashkët për shtyp Josep Borell.

Ai nuk u ndal në kundërshtimin e Komisionit Evropian ndaj projektligjit për amnisti fiskalë të qeverisë Rama dhe ekspertizën ligjore që po jep për përmirësimin e projektligjit në fjalë.

Komisioni Evropian ka rezerva ndaj amnistisë fiskalepasi sipas tij ajo "do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave dhe mund ta kthejë Shqipërinë në një "parajsë fiskale” për pastrimin e parave”

Kryeministri Rama njoftoi se amnistia fiskale ka qënë një temë diskutimi në bisedimet e kësaj radhe në Tiranë.

"Qëndrimi ynë është i ditur. Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e Komisionit dhe të delegacionit për të na ofruar ekspertizë. Duam të vazhdojmë punën me ekspertët. Nuk heqim dorë thjesht, sepse kjo nuk është një gjë e mirë në parim, sepse ne kemi të gjitha arsyet tona për të menduar që kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë, por ama nga na tjetër ne duam që këtë gjë ta bëjmë së bashku,” tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp.

Konvergjenca ekonomike me BE? Hendek marramendës

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell, rikonfirmoi mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe në tërësi ndaj Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt hyrjes në BE.

Tiranë: Josep Borell, rikonfirmoi mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor
Tiranë: Josep Borell, rikonfirmoi mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit PerëndimorFotografi: Press Office, Albania Premiership

"Angazhim ynë është i patundur. Kemi përfshirë të gjithë partnerët dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në politikat tonë për zbutjen e ndikimit negativ të luftës ruse kundër Ukrainës. Kjo luftë ka shkaktuar goditje në të gjithë botën dhe ndikim në shumë vende, në gjithë botën, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Duhet të mobilizojmë mbështetje urgjente,” tha ai në konferencën e përbashkët për shtyp.

Borell foli për mbështetje konkrete prej 80 milion eurosh të KE ndaj Shqipërisë në fushën e energjisë që ”do të vihen në dispozicion së shpejti”

Komisioneri për Zgjerimin e BE-së dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi e cilësoi Ballkanin "një përparësi gjeo-politike të BE, gjë që nënkupton dëshirën tonë që ky rajon të jetë pjesë e BE sa më shpejt të jetë e mundur. Për këtë reformat duhen përshpejtuar, ” tha ai.

Por përtej kësaj dëshire, mbështetjeje dhe kërkesës për përshpejtim reformash, në kontekstin e një realiteti të ri gjeo-politik nga agresioni rus ndaj Ukrainës, kryeministri Rama e quajti të domosdoshme që "BE të bëjë një hap të konsiderueshëm përpara lidhur me afrimin e Ballkanit me BE në aspektin financiar”.

"Ballkani nuk mund t'u rezistojë gjithë këtyre goditjeve pa pasur një mbështetje, qe buron nga koha ku jetojmë. Hendeku mes Ballkanit dhe vendeve të tjera të BE që janë rrotull, si Greqia, Kroacia etj në përfitimin e mbështetjes evropiane është marramendës. Ballkani Perëndimor nuk e përballon dot këtë hendek që zgjerohet në kushtet kur jemi të sfiduar nga vendet e mëdha që marrin njerëz dhe i paguajnë më mirë,” theksoi kryeministri Rama duke sjellë në vëmendje fenomenin e emigrimit nga Shqipëria dhe rajoni të profesionistëve të kualifikuar që janë të pakënaqur me nivelin e pagave dhe largohen nga rajoni drejt vendeve të BE-së.

Borell: Shpresa në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi, në Ohër

Josep Borell e konsideroi marrëveshjen e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit si marrëveshje që ”sjell shumë shpresë për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit”.

Jozef Borell ka shpresa për takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi, në Ohër
Jozef Borell ka shpresa për takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi, në OhërFotografi: Dora Diseri/DW

Duke folur për pritshmërinë në takimin e nivelit të lartë që do të zhvillohet këtë të shtunë, më 18 mars, në Ohër ai tha: "Shpresoj të dyja palët të vijnë në këtë takim me një qasje konstruktive, me vullnetin për t'u angazhuar, për të rënë dakord, jo për vetë marrëveshjen sepse tashmë për atë është rënë dakord, por për modalitetet dhe afatet e zbatimit të saj. Nëse kjo ndodh, atëherë besoj se Ballkani Perëndimor do të festojë një hap të jashtëzakonshëm përpara drejt rrugëtimit europian për të gjitha vendet e tij”.

Borrell tha se Komisioni Europian po punon për zatimin e marrëveshjes. "Marrëveshja siguron vazhdimin e dialogut me synim normalizimin e marrëdhënieve, përtej menaxhimit të krizave, që duhet të mbarojnë. Ka pasur marrëveshje në të shkuarën të cilat nuk janë zbatuar ndonjëherë dhe kjo nuk mund të ndodhë përsëri në këtë rast. Po punojmë për zbatimin e marrëveshjes, që është përbërëse e saj, gjë që do të detyrojë të dyja palët të sigurojnë dhe të kenë të njëjtin kuptim lidhur me afatet dhe modalitetet,” theksoi në Tiranë, Josep Borell.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana