1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Solidaritet për njerëzit në rrezik

5 Korrik 2018

Dy vendet fqinjë të Ballkanit Perëndimor ofrojnë mbështetje ndaj refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme, Afrika e Veriut apo Azia në rast fluksesh të mëdha migratore.

https://p.dw.com/p/30qvh
Albanien Premierminister Rama und Montenegro Premierminister Markovic
Fotografi: Prime Minister Press office

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai malazes Dushko Markoviq  inaguruan në Shkodër në kuadrin e takimit të parë ndërqeveritar Shqipëri-Mali i Zi, një pikë të re, të përbashkët, të kalimit kufitar dhe biseduan për të thelluar bashkëpunimin ekonomik në kuadër të integrimit europian dhe konkretizimit të investimeve rajonale të Procesit të Berlinit. Krahas nënshkrimit të disa marrveshjeve ekonomike, ҫështja e refugjatëve u përfshi në bisedimet dypalëshe.

Qëndrime të përbashkëta kundër gardheve me tela në kufinj

Rama dhe Markoviq bënë me dije në një konferencë të përbashkët për shtyp se kanë refuzuar ofertat për të marrë dhuratë gardhe me tela për të penguar hyrjen e refugjatëve. Por asnjëri prej tyre nuk tha se nga cili vend u kanë ardhur këto oferta. " Nuk parashikojmë as vënien e gardheve, as vendosjen e kampeve. Sot, për disa arsye politike dhe manipuluese thuhet se ne do të ndërtojmë kampe të ndryshme për emigrantët ilegalë. Kjo nuk do të ndodhë” tha në Shkodër kryeministri malazes Dushko Markoviq .

Mazedonien Stacheldraht an der Grenze zu Griechenland bei Gevgelija
Fotografi: Reuters/O. Teofilovski

Kryeministri Rama ilustroi solidaritetin e Shqipërisë ndaj njerëzve në rrezik me strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. "Nuk jemi vendi për gardhe dhe për shfaqje refuzuese ndaj atyre që janë në nevojë ekstreme dhe që ikin nga zona ku kërcënohen me jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Jemi një popull që ka një histori krenare të shpëtimit të hebrenjve dhe i vetmi vend ku hebrenjtë kanë qenë më shumë pas Luftës së Dytë Botërore” - tha Rama.

Çfarë ofron Shqipëria dhe Mali i Zi?

Solidaritet për njerëzit në rrezik, ndihmë dhe mbështetje ndaj tyre. "Mali i Zi, kur është fjala për njerëz në rrezik, pa marrë parasysh nga vijnë, mbetet i përkushtuar parimit të vet kryesor, t'u ndihmojë dhe t'u ofrojë çdo lloj mbështetjeje dhe ndihme. NATO-ja funksionon mbi parimin e solidaritetit” tha Duško Marković, vendi i të cilit është anëtari më i ri i NATO-s, i pranuar në Aleancën Atlantike një vit më parë, në qershor 2017.

Flüchtlinge auf der noch lebendige Balkanroute
Fotografi: DW/D. Tosidis

Kryeministri Rama i është drejtuar emigracionit masiv të shqiptarëve pas rënies së sistemit komunist, si një argument i fortë solidariteti nga vendet fqinjë dhe më gjerë në Europë. "Jemi një popull që sot jemi të shtrirë në shumë vende, ku kemi gjetur mikpritje, kemi gjetur strehë dhe bëjmë jetën tonë. Jemi gati të marrim përsipër barrën tonë të përgjegjësisë në kuadrin e një projekti europian të ndarjes së barrës. Aq sa mundemi objektivisht dhe sa na takon nga pikëpamja humane, ne jemi gati ta bëjmë” tha kryeministri Rama.  Ai bëri me dije se në Shqipëri në 6 muajt e parë të këtij viti fluksi i refugjatëve ka qënë 15 herë më i madh se vitin e kaluar, që në numër relativ nuk " është për të vënë alarmin”, tha Rama

Rama: Greqia dhe Italia u lanë vetëm nga të pasurit e Europës

Opsioni i një fluksi të madh refugjatësh që hyn në Shqipëri nga vendet fqinjë nuk përjashtohet. "Nëse kemi një rritje fluksesh nga kufiri i gjelbër me Greqinë, si rezultat i një situate të vështirë në Greqi, për shkak se Greqia, si dhe Italia u lanë vetëm nga të pasurit e Europës në atë proces, kjo  do të përbënte një nevojë për të vënë së bashku alarmin” theksoi Rama.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana