1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Verstaatlichung Enteignung HRE

13 Gusht 2009

Taksapaguesve gjermanë do t'u duhet duhet ta mbajnë në kurriz edhe për tri vjet bankën e pasurive të patundshme, të shtetëzuar, Hypo Real Estate. Me një garanci mbi 102 miliardë eurosh këtë bankë e mbrojtën nga rrënimi.

https://p.dw.com/p/J9Fo
Hypo Real Estate (HRE) kalon në pronësi të Federatës. Ne foto:logoja e HRE
Hypo Real Estate (HRE) kalon në pronësi të FederatësFotografi: ap

Kryetari i kryesisë së bankës financuese të pasurive të patundshme Hypo Real Estate në një prononcim për mediat të enjten (13.08.)e mbrojti shtetëzimin aq të debatuar të koncernit. "Kryesia dhe këshilli mbikqyrës vazhdojnë t' i përmbahen qëndrimit, se nuk kishte alternativë tjetër realiste përveç pjesëmarrjes së federatës në kapitalin e Hypo Real Estate.", tha Axel Wieandt në mbledhjen vjetore të aksionerëve në Mynih. Sipas mendimit të kryesisë dhe këshillit mbikqyrës, ekzistenca e koncernit që ishte në rrezik prej krizës një vit më parë, mundi të stabilizohej në sajë të ndihmave shtetërore. Në qershor federata, në një mbledhje të jashtëzakonshme të aksionerëve, i hapi rrugën shtetëzimin kundër vullnetit të shumë aksionerëve. Kjo masë ngjalli kritika masive. Ndërkohë federata ka rreth 90% të aksioneve të Hypo Real Estate.


Në ligjin themelor të Republikës Federale të Gjermanisë në nenin 14 thuhet: "Garantohet e drejta e pronës dhe e trashëgimisë." Si rrjedhojë e drejta e pronës është një e drejtë themelore që mbrohet nga kushtetuta. Megjithatë vlejnë edhe disa kufizime. Në nenin 14 thuhet edhe që: "Prona lidhet me detyrime. Përdorimi i saj duhet të ketë njëkohësisht dobi publike." Me këtë formulim pronës i caktohet edhe një detyrim shoqëror.

Një shembull: Një qytetari i përket një truall, që u bllokon fqinjëve daljen për në rrugën publike. Përderisa shteti është i detyruar të garantojë aksesin në rrugët publike, ai duhet të përpiqet të arrijë një marrëveshje me pronarin e truallit. Nëse ky i fundit refuzon t' ia shesë shtetit truallin, ose pjesë të truallit, atëherë shteti mund të ndërhyjë tek e drejta e pronës së pronarit të truallit. Për të mbrojtur interesat publike shteti mund ta shtetëzojë truallin dhe të ndërtojë rrugën. Shtetëzimet në Gjermani ndodhin jo rrallë dhe jo vetëm në sektorin e ndërtimit të rrugëve, por edhe në ndërtimin e traseve, të linjave të tensionit apo të digave.

Kësisoj shpronësimi është një ndërhyrje në të drejtën e pronës. Kjo të paktën është e rregulluar në nenin 14 të ligjit themelor, ku thuhet: "Një shpronësim lejohet vetëm për interesa publike. Kjo lejohet të kryhet vetëm përmes një ligji ose bazuar në një ligj, që rregullon llojin dhe përmasat e zhdëmtimit. Zhdëmtimi duhet përcaktuar duke barazpeshuar drejt interesin e përgjithshëm dhe atë të palëve të prekura. Në rast të kontestimit të shumës së kompensimit është e hapur rruga ligjore pranë gjykatave."

Me fjalë të tjera: Shpronësimi lejohet vetëm nëse këtë e kërkon interesi i përgjithshëm, dhe nëse qëllimi i shpronësimit nuk arrihet ndryshe dhe kjo vetëm pasi të jetë refuzuar edhe një ofertë serioze me shkrim për blerje.

Një formë shpronësimi është shtetëzimi, i cili është i rregulluar në nenin 15 të ligjit themelor. Në të thuhet, që

"Toka dhe trualli, burimet natyrore dhe mjetet e prodhimit mund të tjetërsohen në pronë shoqërore ose t' i kalojnë shoqërisë në forma të tjera me qëllim shoqërizimin përmes një ligji, që rregullon llojin dhe përmasat e zhdëmtimit."

'Mjete prodhimi' është një koncept përgjithësues, që përfshin edhe fabrikat apo bankat.

Shpronësimi dhe shtetëzimi janë pra dy koncepte, që janë të mbuluara përmes ligjit themelor. Në Republikën Federale të Gjermanisë, megjithatë, këto janë të diskutueshme . Kjo ka të bëjë me historinë gjermano-gjermane. Në RDGJ-në socialiste ( Republika Demokratike e Gjermanisë), shteti u shndërrua në pronar kryesor dhe administrues të mjeteve të prodhimit përmes disa etapash shpronësimi. Prona private vinte në rend të dytë pas pronës së popullit. Në të kundërt, në Republikën Federale të Gjermanisë qysh në fillim prona private garantohej dhe sigurohej përmes ekonomisë sociale të tregut. Si rrjedhojë, prej dekadash në Republikën Federale, shpronësimi dhe shtetëzimi, ndonëse të sanksionuara në ligjin themelor, kanë qenë thuajse si një tabu.

Autor: Sabine Kinkartz/ Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi