1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si dhe kur do të largohet EULEX-i nga Kosova?

Bekim Shehu / Prishtinë21 Gusht 2013

Qeveria e Kosovës në fillim të shtatorit do të dërgojë në Kuvend “strategjinë e tranzicionit”, që parasheh përfundimin e mandatit të misionit EULEX. Ky mision nuk dëshiron që të lë pas institucione të dobëta.

https://p.dw.com/p/19TvC

Qeveria e Kosovës ka më pak se dhjetë ditë kohë që të dërgojë në Kuvend dokumentet e nevojshme të cilat parashohin në mënyrë të detajuar “strategjinë e tranzicionit”, që parasheh përfundimin e mandatit të misionit EULEX. Kuvendi i Kosovës para përfundimit të sesionit pranveror të punës, miratoi një rezolutë me disa rekomandime, sipas të cilave Qeveria e Kosovës autorizohej të përgatisë planin e vet “tranzicional” deri më 1 shtator, për t'i marrë përgjegjësitë nga misioni i EULEX-it, nga qershori i vitit 2014.

Lajqi: Strategjia përfshin disa pozicione

Qeveria e Kosovës tashmë ka hartuar një strategji që pritet ta dërgojë në Kuvend. Driton Lajqi, këshilltar i ministrit të drejtësisë Hajredin Kuçi, i tha DW-së se strategjia për përfundimin e mandatit të misionit EULEX, përfshinë disa pozicione. “Ato pozicione të cilat kryesohen tash për tash nga EULEX-i, të drejtohen bashkërisht përmes bashkë-kryesuesve të EULEX-it dhe me staf të institucioneve të Kosovës. Po ashtu t'i jepet më shumë rol zbatuesve të ligjit të autoriteteve vendore. Kështu që t'i ndajmë sfidat dhe sukseset”, thotë Driton Lajqi.

Në foto, Driton Lajqi
Në foto, Driton LajqiFotografi: DW

Sipas Driton Lajqit, zyrtarët e misionit të Bashkimit Evropian EULEX, janë konsultuar nga qeveria e Kosovës, ndonëse nuk thotë nëse misioni EULEX, është i përfshirë drejtpërdrejt në “strategjinë tranzicionale”, të qeverisë së Kosovës. “Departamentet e BE-së kompetente për misionin e EULEX-it, kanë dëgjuar pikëpamjet e Qeverise së Republikës se Kosovës lidhur me nevojën e shtruar që të fillohet të mendohet për fazën e strategjisë dalëse të EULEX-it nga Kosova. Si urgjente, shtrohet nevoja e modifikimit të rolit të EULEX-it, edhe pse EULEX e ka reduktuar prezencën fizike në Qershor të vitit 2012”, thotë Driton Lajqi.

EULEX nuk dëshiron që të lë pas institucione të dobëta

Nga ana e tyre zyrtarë të misionit EULEX, thonë se misioni është dislokuar në Kosovë me ftesë të autoriteteve kosovare dhe është mandatuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi, i tha DW-së, se ky mision dëshiron që kur të largohet nga Kosova të lë prapa institucione gjyqësore të forta. “Ka një konsensus të gjerë se EULEX-i nuk duhet të rri për kohën sa është i mirëpritur. Misioni do të largohet, por ne nuk duam të lëmë pas institucione të dobëta e të prirura për ndërhyrje politike, si dhe një kulturë mosndëshkimi dhe korrupsioni. Debati rreth mandatit të EULEX-it nuk mund të jetë një proces i njëanshëm. Shtetet anëtare duhet të përfshihen, njëjtë si të gjitha autoriteteve relevante të Kosovës”, thotë Blerim Krasniqi.

Misioni EULEX, në qershor të vitit 2014 e përfundon mandatin

Ai thotë se ky mision është duke e dëgjuar me kujdes të gjithë zërat që kërkojnë largimin e EULEX-it nga Kosova dhe sipas tij “ është e qartë që diskutimet janë në vazhdim e sipër për të arritur një tranzicion konsensual”.

“Udhërrëfyesit për bartjen e kompetencave janë miratuar në Bordin e Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit. Veprimet e Kompakt marrëveshjes janë miratuar së bashku dhe aktualisht janë duke u zbatuar, në mënyrë që të ketë krahasime të qarta për sa i përket arritjes së progresit të objektivave të përbashkëta të dakorduara në kompakt marrëveshjen”, thotë Blerim Krasniqi.

Në foto, Blerim Krasniqi
Në foto, Blerim KrasniqiFotografi: DW

Misioni EULEX, në qershor të vitit 2014 e përfundon mandatin. Por, sa ky mision është i bindur që institucionet kosovare të drejtësisë janë të gatshme të funksionojnë të pavarura. Zëdhënësi Blerim Krasniqi, thotë se “të gjitha vendeve të dala nga konflikti u merr kohë për të funksionuar”. “Roli i BE-së është të mbështes Kosovën që ajo të jetë në gjendje të qëndrojë në këmbët e veta. Kjo është ajo që ne të gjithë duam. Rrugëtimi evropian i Kosovës ndërlidhet ngushtë me një rend the ligj të forcuar”, thotë Blerim Krasniqi.

Sipas tij, misioni EULEX, megjithatë ka në dispozicion siç thotë, mjetet shtesë për të promovuar sundimin e ligjit në Kosovë, siç janë: udhërrëfyesi për liberalizimin të vizave, negociatat për marrëveshjen e stabilizim asocimit, dialogu i strukturuar për sundim të ligjit, si dhe projektet mbështetëse.

Në të njejtën linjë shprehet edhe këshilltari i ministrit të Drejtësisë Driton Lajqi, i cili thotë se “Kosova ka nevojë për mbështetjen e Bashkimit Evropian”.

“Ne do te kemi nevojë edhe më tej për mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Bashkësisë Ndërkombëtare në rrugën drejt liberalizimit të vizave dhe integrimeve në strukturat euroatlantike. Kosova me marrjen e vizës për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit, ka dëshmuar pjekuri institucionale që duhet reflektuar te Misioni i EULEX-it”, thotë Driton Lajqi.