1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si të parandalohet dhuna mes refugjatëve në strehimore?

Andrea Grunau1 Tetor 2015

Shumë refugjatë ikin nga dhuna në atdheun e tyre, por në strehimoret në Gjermani përshkallëzohen konfliktet. Wolfgang Bautz ka hulumtuar mbi këtë dukuri në Brandenburg. Për DW ai tregon se çfarë mund të bëhet kundër saj.

https://p.dw.com/p/1GgEF
Fotografi: DW/B. Grässler

Deutsche Welle: Ju keni hulumtuar në landin e Brandenburgut, se përse përshkallëzohen konfliktet. Kur bëhet fjalë për dhunë?

Wolfgang Bautz: Çdo rast është i ndryshëm. Megjithatë në anketat tona në fund të vitit 2014 tek punëtorët dhe banorët e 48 vendbanimeve të refugjatëve kemi konstatuar disa shenja, ku konfliktet shumë shpejt mund të kthehen në konfrontime të dhunshme. Aty ku shumë njerëz jetojnë bashkë në kushte shumë të vështira, mund të shkaktohen shpejt konflikte. Situata strukturore luan një rol shumë të rëndësishëm. Aty ku ke një privatësi minimale, mund të krijohet shpejt një atmosferë e tensionuar, që mund të kthehet shpejt në konfrontime të dhunshme.

Një faktor tjetër i rëndësishëm janë punonjësit socialë: A janë ata në numër të mjaftueshëm, a janë të kualifikuar dhe të përgatitur mirë? Dhe ka arsye të tjera: refugjatët vijnë nga mjedise shumë të ndryshme kulturore dhe shoqërore dhe të paktën në fillim nuk e zotërojnë gjuhën gjermane, nganjëherë asnjë gjuhë tjetër të huaj, kështu që komunikimi midis tyre është i pamundur. Kjo çon shpejt në keqkuptime dhe konflikte. Edhe mungesa e mundësisë për të kaluar kohën e lirë në mënyrë të arsyeshme, mund të jetë arsye për krijimin e tensioneve në strehimore.

Sindikata e policisë ka kërkuar që refugjatët të izolohen në bazë të feve dhe etnive. Sa është fjala për konflikte fetare dhe politike nga vendet e tyre të origjinës?

Wolfgang Bautz, Wolfgang Bautz drejton "Shërbimin e specializuar këshillimor: emigracion, integrim dhe tolerancë në landin e Brandenburgut
Wolfgang Bautz drejton "Shërbimin e specializuar këshillimor: emigracion, integrim dhe tolerancë në landin e BrandenburgutFotografi: picture-alliance/dpa/B. Settnik

Në qendrat, ku kemi hulumtuar, kjo mund të konfirmohet vetëm pjesërisht. Unë besoj se për përleshjet e dhunshme në strehime nuk janë përgjegjës as shkaqet fetare, dhe as politike nga vendi i origjinës. Ato janë zakonisht konflikte lidhur me jetën e përditshme në banesat e përbashkëta dhe raste konfliktesh, që rezultojnë nga situata specifike e vështirë e refugjatëve, pasiguria në lidhje me të ardhmen e tyre.

Unë mendoj se nuk është praktike që të ndahen njerëzit sipas feve. Ne shohim se luftohen shiitët me sunitët, në fakt pjesëtarë të një feje. Ne kemi parë gjithashtu se katolikët dhe protestantët mund të bëjnë përleshje të dhunshme. Unë mendoj se ky është një propozim, që nuk mund të zgjidhë problemet dhe nuk është i dobishëm për integrimin. Ka raste të veçanta, ku njerëzit duan t'u diktojnë të tjerëve për arsye fetare, se si të jetojnë në Gjermani. Kjo mund të jetë shkak për konflikte dhe dhunë. Kjo duhet ndaluar.

Çfarë mund të bëjnë autoritetet për të qetësuar konfliktet në vendstrehimet shpesh të mbushura plot?

Një rezultat shumë i rëndësishëm i studimit tonë është se strehimi, sidomos madhësia dhe prerja e ndërtesës, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në atë, se sa shpejt kthehen konfliktet në dhunë. Ne kemi nevojë për strehime mundësisht më të vogla dhe duhet të shmangim që qindra njerëz të jetojnë ngjitur me njëri-tjetrin. E dyta është stafi i mjaftueshmëm dhe aftësia e tyre, në mënyrë që puna sociale të ketë ndikim qetësues.

Shumë iniciativa u ndihmojnë njerëzve, që kanë ardhur tek ne. Këto burime duhet të shfrytëzohen për të organizuar aktivitete kuptimplota të kohës së lirë. Kurset e gjuhës gjermane, praktikisht që nga dita e parë, janë të rëndësishme. Mësimi i gjuhës gjermane është një mjet vendimtar për të gjetur rrugën në Gjermani për të përballuar jetesën e përditshme dhe për të komunikuar me banorët e vendstrehimit, edhe në lidhje me konfliktet.

Sipas rezultateve të studimit tonë konfliktet nuk lindin nga feja apo politika. Ato lindin nga çështjet e përditshme: "A mund të gatuaj ushqimin tim, a është soba e zënë. Kush e ka zënë. Sa kohë gatuan ai. Pse kaq shumë kohë, unë dua të gatuaj." Janë gjëra banale të jetës së përditshme. Sa më të mëdha të jenë vendstrehimet, aq më i madh tensioni në aspektin e jetës së përditshme: gatim, dush, larje. Zhurma, alkooli dhe droga janë komponentë të tjerë.

Çfarë është zbatuar në Brandenburg nga rezultatet e studimit tuaj?

Ne kemi zhvilluar seminare trajnuese për të punësuarit në vendbanimet kolektive, duke përfshirë edhe rojet. Çështja është: si mund të veproj për të qetesuar situatat e tensionuara, edhe në qoftë se nuk e marr vesh gjuhën? Bëhet fjalë edhe për vetëmbrojtje.

Në banesat kolektive ka gjithmonë banorë, që dëgjohen për shkak të moshës së tyre apo pozitës së tyre shoqërore. Këta ne i identifikojmë dhe u ndihmojmë për të zhvilluar mundësitë për të vepruar si arbitra.

Sociologu dr. Wolfgang Bautz drejton "Shërbimin e specializuar këshillimor: emigracion, integrim dhe tolerancë në landin e Brandenburgut - FaZIT".