1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkishërimi dhe e dreja kanonike

Angelina Verbica25 Qershor 2014

Papa Françesku i kishte besimtarët në anën e tij, kur shkishëroi me fjalë të rrepta anëtarët e mafias. Por çfarë thotë për këtë e drejta kanonike?

https://p.dw.com/p/1CPnD
Fotografi: Vincenzo Pinto/AFP/Getty Images

Ishte një udhëtim në një nga rajonet me të varfëra të Italisë, me një notë shumë të veçantë. Papa Françesku të shtunën e kaluar bëri thirrje në një kishë në Kalabri në Italinë e jugut për luftë kundër 'Ndragetas', mafies së atjeshme. Kjo e keqe duhet të luftohet dhe të largohet. "Ne duhet t'i themi asaj jo", bëri thirrje Papa në qytetin Cassano allo Ionio.

50.000 besimtarë ishin pritur të vinin në shërbimin fetar, erdhën 200.000. Ndoshta është kjo që i dha hov Papës për të bërë një deklaratë të posaçme: "Ata, që në jetën e tyre ndjekin rrugën e së keqes si mafiozët, nuk janë në bashkësinë e Zotit, ata janë shkishëruar." Fjalë të ashpra të kreut të kishës katolike. Kurrë më parë një papë nuk i ka cilësuar anëtarët e mafias të "ekskomunikuar" në tërësi, pra t'i përjashtojë nga bashkësia kishtare.

200.000 vetë ndoqën meshën e Papës
200.000 vetë ndoqën meshën e PapësFotografi: Vincenzo Pinto/AFP/Getty Images

Çfarë thotë e drejta kishtare?

Por a mbulohet kjo deklaratë, e mirëpritur nga shumica e besimtarëve, nga ligji i së drejtës kishtare. "Jo", thotë Thomas Schüller, profesor për të drejtën kishtare në universitetin e Münsterit. "Eshtë një shkishërim ligjor, sepse një shkishërim kanonik duhet t'i drejtohet gjithmonë një personi të caktuar, duke përmendur dëmin, që ka bërë dhe duke përmendur edhe pasojat ligjore."

Për këtë arsye një shkishërim i tillë kolektiv nuk ka pasoja për momentin. Që në vitin 1994 peshkopët sicilianë patën shkruar në një letër baritore: "Mafia është pa përjashtim pjesë e mbretërisë së mëkatit." Të gjithë ata, që i përkasin asaj vullnetarisht, duhet ta dinë, "se jetojnë në një kundërshtim të pashërueshëm me ungjillin e Jesu Krishtit dhe gjenden kështu jashtë bashkësisë së kishës". Për shkishërim nuk bëhej fjalë tekstualisht në këtë dokument.

Papst Franziskus in Sibari, Italien 21.06.2014
Fotografi: Reuters

Thomas Schüller nënvizon karakterin legjitim paralajmërues të letrës së atëhershme, por thekson: "Nuk bën që peshkopët, madje as Papa një grup të tërë personash, të cilët duhet të identifikoheshin dhe të përmendeshin me emër, t'i vërë nën dyshimin e shkishërimit kolektiv." Prandaj kjo është një deklaratë në një nivel, që dërgon sinjalin politik: "Ju nuk jeni më pjesë e kishës katolike, sepse ju keni një objektiv çnjerëzor, që është të vrisni jetë."

Papa ndjek linjën e tij

Thomas Schüller thotë në një intervistë me DW, se Papa Françesku edhe me shpalljen e shkishërimit të mafiozëve i mbetet besnik stilit të tij, "sepse ai vepron me këmbëngulje kundër çdo mëkati strukturor." Që në letrën e tij të parë ai ka fshikulluar kapitalizmin e shfrenuar. "Ai thotë se këtu bëjnë pjesë edhe kartele politike dhe ekonomike dhe sisteme dhe këtu bën pjesë edhe mafia."

Nëse shpallja e shkishërimit do të tregojë efekt tek të adresuarit, për këtë eksperti i së drejtës kishtare vetëm mund të spekulojë. "E rëndësishme në këtë mesazh është izolimi social, që shprehet përmes tij." Mund të shpresohet që këto fjalë të Papës së paku tek disa do të shkaktojnë kthesë. "Unë për vete jam shumë skeptik."