1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sot është Dita ndërkombëtare kundër SIDA-s

Sabine Rieperger1 Dhjetor 2005

Aktualisht janë 40 milionë të infektuar me HIV në mbarë botën. Pavarësisht nga ulja e kuotës së të sëmurëve me SIDA në disa vende, përhapja e sëmundjes së dobësimit të imunitetit ka arritur një rekord të ri

https://p.dw.com/p/AqsE
Pa koment
Pa komentFotografi: AP

Zonë rreziku- Evropa lindore

Raporti i fundit i programit të OKB-së për SIDA-n dhe i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregon qartë përmasat globale të epidemisë së SIDA-s: në mbarë botën jetojnë rreth 40,3 milionë njerëz të prekur nga virusi HIV. Vetëm në vitin 2005 janë infektuar 4,9 milionë njerëz dhe rreth 3,1 milionë kanë vdekur prej SIDA-s, ndër ta 500.000 fëmijë. Pothuajse gjysma e të infektuarve janë gra. Jugu i Afrikës me 64% infeksione të reja është rajoni më i prekur nga kjo sëmundje. Në këtë rajon jetojnë 23 milionë burra, gra e fëmijë me virusin HIV. Në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore SIDA po përhapet me shpejtësi.

Ben Plumlej nga programi i OKB-së për SIDA-n duke vënë në dukje situatën shqetësuese, tërheq vëmendjen, se profilaksia dhe terapitë mund të kontribuojnë në uljen e numrit të të infektuarve. Si shembull pozitiv ai thekson: "Ne aktualisht po konstatojmë, që kuota e infeksioneve tek të rritur në një sërë vendesh ka filluar të ulet p.sh. në Kenia, në Burkina Faso apo në Zimbabve. E njëjta gjë vërehet edhe në Haiti."

Jyrgen Hamehle anëtar i aleancës aksioni kundër SIDA-s, në të cilën bëjnë pjesë 90 organizata kishtare dhe të shoqërisë civile, vëren, se problemi në luftën kundër SIDA-s është më i madh në zonat rurale, ku shpesh herë kjo sëmundje neglizhohet: "Në Azinë Juglindore vetëm një pjesë fare e vogël e popullsisë ka mundësi të marrë konsulta apo të kryejë analizën për konstatimin e virusit HIV. Në Afrikën e Jugut vetëm 5% e nënave sero-pozitive mund të kurohen, gjë që e ul rrezikun e trasportimit të virusit nga nëna tek fëmija. Në Evropën Lindore masat profilaktike mund të shfrytëzohen vetëm nga 8% e konsumuesve të drogës.

Shmangia e boshllëkut në profilaksinë për këtë sëmundje, sipas Hamelhle, varet nga mundësia që masat parandaluese të arrijnë njerëzit e përjashtuar nga jeta sociale edhe politike.

Si lufton Gjermania kundër sëmundjes

Ministria gjermane e zhvillimit, Heidemari Vitshorek-Zeul siguron, se edhe qeveria e re në Berlin i përmbahet detyrimeve në luftën kundër SIDA-s. Me rreth 300 milionë euro në vit, Gjermania në këtë fushë është aktive në 50 vende dhe mbështet 16 vende në zhvillim me programe të gjithëpërfshirëse për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë: "Ne mbështesim ndërmarrjen farmaceutike "Pharmakina" të një sipërmarrësi gjerman në Republikën e Kongos për prodhimin e medikamentit "Afri-Vir" kundër SIDA-s me çmime të leverdishsme. Kjo realizohet edhe me mbështetjen e një organizate jo-qeveritare. Ne para së gjithash ndihmojmë në fushën e kualifikimit profesional të farmacistëve të industrisë në Afrikën Lindore duke i pajisur ata me çertifikata sipas standardeve të BE-së. Ky projekt realizohet në Kenia, në Tanzani dhe në vende të tjera." Por edhe në Evropën Lindore, si p.sh. në Ukrainë, ku qeveria gjermane me kërkesë të qeverisë ukrainase ka marrë përsipër konsulencën për reformimin e sistemit shëndetsor, ky projekt ka në fokus luftën kundër SIDA-s, vë në dukje ministrja gjermane e zhvillimit.

Nivel i ulët informacioni tek emigrantët

Ulrih Heide i fondacionit gjerman për SIDA-n kritikon, se njerëzit në Gjermani duket se flenë në dafina nga siguria sa i përket SIDA-s. Numri i të infektuarve është ulur dhe me rreth 44.000 është i ulët, megjithatë po vërehet sërish një rritje e trasferimit të virusit kryesisht mes burrave homoseksualë. Në gjysmën e parë të vitit 2005 u regjistruan 20% më shumë të infektuar se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Si një deficit të madh në politikën gjermane për SIDA-n, Ulrih Heide vlerëson neglizhimin e rrezikut që vjen prej migracionit. Në studim i kryer në Berlin dhe në Brandenburg mbi këtë temë bën të qartë, se: "Niveli i informacionit mbi këtë temë tek migrantët është shumë më i ulët se ai i gjermanëve. Ka edhe një dallim, migrantët nga Afrika janë të informuar më mirë krahasuar me ata që vijnë nga Evropa Lindore dhe ajo Juglindore."

Madje në përmirësimin e informacionit tek migrantët nuk ka influencuar as koha e qëndrimit në Gjermani, thekson Heide më tej. Vetëm këtë vit në Gjermani kanë kërkuar ndihmën e fondacionit gjerman për SIDA-n të prekur prej kësja sëmundjeje nga 87 vende të ndryshme. Eshtë interesant fakti, se fondacioni gjerman për SIDA-n me ato pak projekte ndërkombëtare jep shumë më tepër para për luftën kundër SIDA-s krahasuar me qeveritë e vendeve që prodhojnë naftë