1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

S&P ul notën e bonitetit për Italinë

Eliana Xhani (dpa)10 Korrik 2013

Agjencia e vlerësimit të riskut Standard & Poor's ka ulur notën e bonitetit për Italinë. Ekonomia vazhdon të tkurret dhe borxhi është në nivel të rrezikshëm të lartë. Qeveria italiane i kundërshton këto vlerësime.

https://p.dw.com/p/1954e
Fotografi: dapd

Qeveria italiane e kritikoi si të gabuar dhe meskin vendimin e agjencisë së vlerësimit të riskut Standard & Poor's (S&P), për të ulur notën e bonitetit për vendin në krizë të eurozonës. Analistët e agjencisë nuk kanë marrë parasysh masat e përgatitura ndërkohë nga qeveria e re nën drejtimin e kryeministrit Enrico Letta, deklaroi Ministria e Ekonomisë në Romë. S&P e uli notën e bonitetit për Italinë nga «BBB+» në «BBB», për shkak të parashikimeve të dobëta për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Italia gjendet e mbërthyer nga një recesion i vazhdueshëm.

Ulja e bonitetit shtrenjton kreditë për Italinë

Me uljen e fundit të notës së bonitetit, vlerësimi për ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës është vetem dy shkallë nga vlerësimi "pa vlerë", me të cilin përshkruhen në përgjithësi investimet spekulative. Kjo do të thotë që titujt financiarë të Italisë shihen si instrumente shumë riskantë dhe spekulative investimi. Veç kësaj agjencia S&P e cilësoi parashimin për të ardhmen si "negativ", duke mos përjashtuar kështu një ulje të mëtejshme të notës muajt e ardhshëm. Uljet e notës së bonitetit mund të kenë si pasojë norma më të larta interesi për kreditë që Italia kërkon në tregjet financiare.

Logo e Standard & Poor's
Logo e Standard & Poor'sFotografi: picture-alliance/dpa

Letta, i cili drejton një qeveri të mbështetur nga një koalicion i gjerë, foli për "vlerësime zemërngushta". Kush ka menduar se (në plan ndërkombëtar) gjithçka është zgjidhur, ka gabuar, tha Letta për kanalin televiziv RAI. "Italia vazhdon të jetë 'nën vëzhgim të veçantë'", shtoi ai.

Italianët kundërshtojnë vlerësimin e S&P

Gazeta liberale torineze "La Stampa" shkruante në numrin e së mërkurës (10.07.'13), se pesimizmi i papritur në vendimin e agjencisë nuk do t'i dëmtojë shumë italianët, pasi tri agjencitë më të mëdha të vlerësimit të riskut të kreditimit, me vendimet e gabuara në të kaluarën, kanë diskretituar vetveten.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve të S&P në Londër, parashikimet për ekonominë italiane së fundi janë përkeqësuar më tej. Performanca ekonomike ka rënë më shumë në tremujorin e parë dhe aktualisht gjendet në rënie. S&P uli si rrjedhojë edhe parashikimin për Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) të Italisë. Ekspertët presin një tkurrje prej 1,9 për qind të performancës ekonomike këtë vit, nga 1,4 për qind që parashikohej fillimisht.

Një tjetër problem ekspertët e S&P e shohin në interesat relativisht të larta, që firmat italiane duhet të paguajnë për kreditë. Në përgjithësi borxhi i vendit ka mbetur në një nivel rrezikshëm të lartë. S&P pret që pjesa e borxhit publik në PBB, deri në fund të vitit të mbetet në nivelin 129 për qind.

Kryeministri italian Enrico Letta
Kryeministri italian Enrico LettaFotografi: Reuters

Me vlerësimin e ri S&P i është afruar gjykimeve të agjencive të tjera të vlerësimit të riskut të kreditimit. Tek Moody's Italia ka gjithashtu një notë vetëm dy shkallë mbi nivelin "pa vlerë". Ndërsa tek Fitch tre shkallë mbi nivelin "pa vlerë".

Kryeministri Enrico Letta dhe qeveria e tij po pregatisin një sërë masash, ndër të tjera edhe lehtësira fiskale, për të stimuluar ekonominë dhe luftuar papunësinë e lartë.