Spanjë: Votime në vendin e përҫarë
27 Prill 2019Në debatin e dytë televiziv për zgjedhjet spanjolle këtë javë, katër burra debatuan furishëm me sulme personale për politikën ndaj gruas dhe gjinive. Zotërinjtë, të gjithë kryetarë partish, angazhohen me nuanca të ndryshme kundër dhunës ndaj grave, për paga të barabarta dhe për më shumë mundësi të barabarta.
Asnjë nga partitë nuk ka një grua si kandidate kryesore, por rezultati i zgjedhjeve mund të varet shumë nga votat e grave spanjolle. 60 përqind të grave, thonë prognozat, ishin të pavendosura edhe disa ditë para votimit këtë të dielë.
Në debatin televiziv kryeministri spanjoll Pedro Sanchez i socialistëve, Pablo Casado i Partisë konservatore Popullore, Pablo Iglesias i partisë së majtë "Unidas Podemos" dhe liberali Albert Rivera nga "Ciudadanos" u munduan që të bindnin me mesazhet e tyre.
"Kombi" si hit i fushatës zgjedhore
Në asnjë debat televiziv nuk ka qenë i pranishëm shefi i partisë së djathtë populiste "Vox", Santiago Abascal Conde, i cili është vetëm 43 vjeҫ. Partia e tij, një fraksion nga Partia konservatore Popullore, nuk është e përfaqësuar deri tani në parlamentin e vendit dhe për këtë arsye nuk u ftua në debatin televiziv. Paralelisht me raundin televiziv Abascal mbajti një tubim në Sevilia, ku u ankua për "diktaturën e medieve liberale" dhe të "progresivëve" në politikë.
Ai u premtoi mbështetësve të tij, që brohorisnin, „një rikonkuistë", një rikthim te kombi spanjoll dhe dhënien fund të valëve të emigracionit. Kandidati i populistëve të djathtë, i cili e quan kryeministrin hungarez Viktor Orban idolin e tij, kundërshton të „drejtat e ekzagjeruara të grave" apo një kulturë të tepruar të homoseksualëve në Evropë.
Santiago Abascal kërkon që separatistët në rajonin e Katalonjës të goditen rëndë. Ai kërkon „një mëmëdhe spanjoll" të fortë, ku njerëzit të mund të flenë përsëri të qetë. Parlamentet rajonale dëshiron t‘i shfuqizojë.
Katalonja përҫan Spanjën
Sidomos konflikti lidhur me përpjekjet për pavarësi në provincën verilindore të Katalonjës i ka dhënë hov partisë së djathtë „Vox". Sipas sondazheve ajo mund të arrijë të dielën 11 përqind. Mbi Spanjën fryn një erë nacionalizmi, mendon politologu Jose Ignacio Torreblanca i "European Council on Foreign Affairs", një think tank në Madrid.
"Pas kësaj qëndrojnë krenaria dhe ndjenja, më shumë se mendimet racionale. Sepse praktikisht politika, që propozon Vox, nuk ka kuptim. Ajo është një mishmash, por votuesit nuk e vrasin shumë mendjen. Kur shkojnë te Vox ata ndjekin ndjenjën."
Kriza e Katalonjës, që nga referendumi për pavarësi në 2017 dhe administratës qëndrore të Madridit, që pasoi, ka ҫuar në një ndarje të thellë midis kampit të majtë dhe atij të djathtë. Asnjëri nga të dy nuk mund të presë të fitojë shumicën absolute, nëse sondazhet janë të sakta. „Socialistët kanë ndjekur një politikë më të butë ndaj Katalonjës.
Konservatorët janë për një qëndrim më të ashpër", mendon politologu Jose Ignacio Torreblanca. "Në zgjedhje bëhet fjalë për atë, nëse forcohet qeveria në Katalonjë, për të rifituar votuesit, që janë për ndarjen. Apo forcohet kontrolli qendror për të dënuar separatistët në Katalonjë, që kanë mbajtur një referendum ilegal."
E majta dhe e djathta bllokojnë njëra-tjetrën
Çështja e Katalonjës do të vendosë zgjedhjet, thonë analistët zgjedhorë, dhe jo kriza ekonomike akoma ekzistente. Spanja përjetoi në vitet 2009 deri 2013 një krizë bankare dhe të pasurive të patundshme. Ekonomia po rritet përsëri, por papunësia me 13,9 përqind është shumë më e lartë se mesatarja e BE. Partitë rajonale nga Katalonja, mund të jenë vendimtare, kur është fjala për krijimin e qeverisë.
Socialisti Sanchez rrëzoi me ndihmën e tyre me një mocion mosbesimi Rajoy-n. Por këtë pranverë partitë e vogla katalanase nuk ia dhanë Sanchez-it miratimin për buxhetin, gjë që ҫoi në zgjedhjet e reja të së dielës. Kryetari i partisë së moderuar katalane (ERC), Oriol Junqueras, ndodhet në paraburgim në Madrid, nga ku organizon fushatën zgjedhore. Ai akuzohet për referendumin për pavarësi, por do të ishte i gatshëm për të hyrë në një koalicion me socialistët.
Kryeministri socialist Pedro Sanchez do të bashkohej me Podemos-in e majtë dhe katalanët. Kreu i Partisë Popullore, të cilit populistët e djathtë i kanë marrë shumë zgjedhës, është i gatshëm të bëjë koalicion me "Vox" dhe me "Partinë Qytetare" më liberale. Por është e paqartë, nëse njeri nga këto kampe do të arrijë të marrë shumicën e votave.
"Këto dy kampe bllokojnë njeri-tjetrin, sepse ata përjashtojnë një koalicion në qendër", mendon politologu Torreblanca në Madrid në bisedë me DW. Kreu liberal i "Qytetarëve", Albert Rivera, nuk dëshiron në asnjë mënyrë të bëjë koalicion me socialistin Sanchez, të cilin e akuzon, se do të shpërbëjë dhe tradhëtojë shtetin qendror spanjoll.
Europa nuk përbën temë
Asnjë nga partitë nuk e ka temë Bashkimin Evropian. Kundërshtimi i Brukselit nuk luan ndonjë rol në Spanjë. "Spanjollët nuk e shohin Europën si armik. Kjo është arsyeja pse ata nuk duan polemika në lidhje me integrimin evropian. Në këtë drejtim Spanja është si një ishull në detin e euroskeptikëve dhe eurofobikëve në vendet e tjera", mendon Ignacio Torreblanca i "European Council on Foreign Relations".
Meqë të gjitha partitë premtojnë lehtësime fiskale dhe rritje të shpenzimeve dhe askush nuk e përmend ngarkesën e lartë të pensioneve, borxhi i Spanjës mund të rritet së shpejti mbi masën e tolerueshme. Borxhi i ri përbën ende 2,5 përqind të prodhimit ekonomik vjetor.
Komisioneri evropian përgjegjës Pierre Moscovici nuk është i shqetësuar për Spanjën. "Nuk komentoj premtimet elektorale", i tha Moscovici gazetës "El Pais". „Rritja spanjolle është e qëndrueshme." Deri tani si qeveria konservatore ashtu edhe ajo socialiste kanë bërë një politikë fiskale të përgjegjshme. "Nëse mbetet kështu, ne mund ta ҫlirojmë Spanjën pas dhjetë vitesh nga procedura buxhetore e Komisionit të BE", premtoi Moscovici tri ditë para zgjedhjeve.