Spiralja e dhunës në Irak vazhdon të rritet
9 Korrik 2007Lista e viktimave të luftës në Irak, të cilën e boton çdo ditë një agjenci ndërkombëtaresh lajmesh, të shtunën më 7 korrik duhej aktualizuar orë e çast. Dhe ajo bëhej gjithnjë e më e gjatë. Gjatë sulmeve të cilat ishin përqendruar kryesisht në veri të vendit gjetën vdekjen mbi 150 vetë. Shumica e viktimave ishin shiitë të vrarë nga terroristë sunitë të afërt me El Kaidës. Por edhe në jug të vendit, gjatë dyluftimeve ndërmjet ekstremistëve shiitë dhe vendasve si dhe forcave britanike të sigurisë kishte patur të vrarë dhe të plagosur.
Ky sulm, i cili ishte me pasojat më të rënda deri tani, ndodhi në një fshat pak a shumë 150 kilometra në veri të Bagdadit. Në Emerli ishte hedhur në erë një kamikaze në një treg të populluar. Numri i viktimave luhatej nga 50 deri në 100. Në rrëmujën e ndodhur mbas shpërthimit, forcat e shpëtimit ishin të mbinkarkuara. Shumë të plagosur u transportuan me makina private në një spital që ndodhej gati 50 kilometra larg. Si pasojë e shpërthimit u shkatërruan gati të gjitha shtëpitë në qendër të këtij fshati, i cili banohej kryesisht nga shiitë turkmenë.
Nga një numër i madh aktesh terroristësh që kanë ndodhur gjatë orëve të fundit, le të theksohen vetëm dy: Të premten në mbrëmje, më 6 korrik, një kamikaz u hodh në erë para një kafeneje në një qyetet të vogël kurd. Të paktën 26 njerëz gjetën vdekjen. Pak a shumë po aq të vdekur pati edhe si pasojë e një tjetër atentat vetëvrasës. Këtë radhë ai preku një ceremoni varrimi në krahinën problematike Diala.
Iraku vazhdon të fundoset mes konflikteve ndërmjet grupeve të ndryshme politike dhe fetare. Kësaj i shtohet edhe mungesa e ndihmës nga jashtë. Qeveria në Bagdad është kaq e përçarë, saqë nuk është në gjendje të zgjidhë asnjërin nga problemet e Irakut, sidomos problemin e sigurisë. Disa ministra të koalicionit shiito-kurd i bojkotojnë seancat qeveritare për shkaqe nga më të ndryshmet.
Edhe parlamenti praktikisht është i paaftë të veprojë, sepse deputetët e të gjitha grupeve fetare nuk shkojnë në seanca parlamentare në shenjë proteste ndaj politikës së qeverisë. Madje edhe vetë bashkësitë politike dhe fetare janë të përçara. Thirrja që kryeministrit Nuri el Maliki u ka bërë të gjitha fraksioneve për të krijuar një koalicion të ri që përfaqëson të gjithë irakianët, për shkak të gjendjes aktuale, duket pa gjasa për t'u realizuar.
As trupat e Shteteve të Bashkuara nuk patën sukses me ofensivën e tyr më të fundit në Bagdad dhe rrethinë. Dhe kjo, megjithëse presidenti amerikan, George W. Bush, përkundër qendresës në vendin e tij, e kishte rritur edhe një herë numrin e ushtarëvet të tij në Irak dhe ka ndër mend ta rrisë edhe më tej. Kryekomandanti i trupave amerikane në Irakun Qendror, gjeneral Rick Lynch, e mbështeti së fundi strategjinë e presidentit. Ai tha se pret që në Irak të ketë beteja edhe më të përgjakshme, në se ushtarët amerikanë do të largoheshin nga vendi. Trupat irakiane, konstatoi gjenerali amerikan, nuk janë në gjendje t'u bëjnë ballë vetëm grupeve terroriste.