1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Srebrenica: Avokati gjerman Axel Hagedorn po përgatit një akuzë penale kundër OKB-së dhe Hollandës

Belma Fazlagic-Sestic11 Korrik 2006

Edhe 10 vite pas masakrës ndaj rreth 8.000 banorëve myslimanë të Srebrenicës, plagët nuk janë shëruar ende. Të afërmit e viktimave presin akoma që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht nga ana juridike

https://p.dw.com/p/AreT
Varrezë masive në afërsi të Srebrenicës
Varrezë masive në afërsi të SrebrenicësFotografi: AP

Sipas të prekurve nga kjo tragjedi, qeveria hollandeze dhe OKB-ja janë përgjegjës për masakrën e tmerrshme të Srebrenicës përpara 11 vitesh. Në ditët e korrikut të vitit 1995 u vranë rreth 8.000 burra dhe djemë myslimanë. Edhe 11 vite pas hyrjes së trupave serbe në ish-zonat e mbrojtura nga trupat e Kombeve të Bashkuara, gjurmët e luftës janë ende të freskëta - Pothuajse çdo muaj zbulohen varre të reja masive.

Axel Hagedorn është avokat gjerman dhe jeton prej shumë vitesh në Hollandë. Ai ka mbledhur informacione nga shumë të prekur nga kjo tragjedi dhe është ngarkuar nga ata që të kërkojë nga Kombet e Bashkuara dhe qeveria hollandeze dëmshpërblim. Sipas Hagedorn, akuza e tij do të ketë sukses përpara trupit gjykues:

"Besoj se kemi shanse relativisht të mira. Sigurisht që kjo nuk është një ngjarje e rëndomtë, por megjithatë jemi të bindur se kemi shanse të mira për të fituar."

Hagedorn është shefi i zyrës më të madhe të avokatëve të pavarur në Hollandë. Akuzat e shumta kundër qeverisë në Hagë dhe përgjegjësve të OKB-së mund të përmblidhen në tri pika kryesore:

"E para është se kjo zonë u dorëzua pa marrë parasysh se banorët duhet të mbroheshin nga trupat e helmetave blu në zonat e sigurisë. Pika e dytë është se njerëzit që morrën arratinë drejt kampit të trupave ndërkombëtare në Potocari, nuk u ndihmuan. Dhe pika e tretë është mosinformimi i mjaftueshëm mbi ngjarjet që po ndodhnin. Në rast se këto informacione do të ishin bërë të ditura me kohë, atëherë do të kishte qënë i mundur edhe një aksion ushtarak mbrojtës."

Qeveria hollandeze pati deklaruar se ushtarët e saj nuk dinin gjë mbi aksionet mizore kundër boshnjakëve të Srebrenicës. Por Hagedorn është i bindur se ai dhe bashkëpunëtorët e tij mund të vërtetojnë të kundërtën përpara trupit gjykues:

"Ne besojmë se kemi dëshmi të mjaftueshme, që vërtetojnë të kundërtën. Përveç kësaj në raportin 5000 faqësh të Institutit hollandez për dokumentimin e luftës, NIOD, ka të dhëna të majftueshme që vërtetojnë gjithashtu të kundërtën. Ky institut u ngarkua asokohe që të kryejë një hetim të asaj që ndodhi në Srebrenicë. Por sipas mendimit tim, këto të dhëna nuk u mblodhën në mënyrën e duhur. Pra me interpretimin e duhur, mund të arrijmë në një rezultat krejt tjetër."

Shumica e të afërmve nuk duan para si dëmshpërblim. Pas gjithë këtyre viteve ata presin më në fund një përgjigje për pyetjen, se përse trupat hollandeze nuk ndërhynë për t´i ndaluar trupat serbe.

Sot në Potocari të Srebrenicës do të varrosen 505 viktima të masakrës, të cilët u indentifikuan përpara pak kohësh. Në ceremoninë përkujtimore do të marrë pjesë edhe prokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte.