Steinmeier: Më shumë vëzhgues rusë të OSBE-së në Ukrainë
25 Qershor 2014Ministrat e jashtëm të 28 vendeve të NATO-s do të konsultohen sot (25.06) në Bruksel në lidhje me reagimin e NATO-s ndaj krizës në Ukrainë. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier (SPD) do të marrë pjesë në takim duke sjellë përshtypjet më të freskëta nga vizita e tij në Kiev.
Më shumë vëzhgues rusë në misionin e OSBE-së
Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier (SPD) i bëri të martën (24.06) thirrje Rusisë që të përfshihet më shumë në misionin e vëzhguesve të OSBE-së në Ukrainë në mënyrë që të stabilizohet situata në lindje të vendit. Pas një takimi me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko në Kiev, Steinmeier tha se ka "mundësi për përparim." Përmes misionit të përbashkët të OSBE-së duhet të sqarohet nëse në fund është i mundur një bashkëpunim në kontrollin e kufirit ruso-ukrainas, sugjeroi Steinmeier.
"Duhet sqaruar nëse krahas shumë kombeve që janë të përfshirë në misionin e OSBE-së, tani do të marrë pjesë edhe Rusia me vëzhguesit e vet. Dhe nëse në vëzhgimin e situatës në Ukrainën Lindore është i mundur gjithashtu bashkëpunimi për një kontroll kufitar vërtetë efektiv." - tha ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier
Situata në Irak dhe Siri
Ministrat e jashtëm të 28 vendeve të NATO-s gjithashtu diskutojnë të mërkurën edhe për praninë e ardhshme ndërkombëtare në Afganistan. Situata në Irak dhe në Siri duhet të rishikohet. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ishte gjatë fundjavës për të diskutuar krizën e Irakut në rajonin e Lindjes së Mesme.