1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier viziton Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

29 Nëntor 2022

Në një intervistë me DW, në prag të udhëtimit, presidenti gjerman tha se synon që t’u japë vendeve sinjalin, se nëse bëhet progres, rruga drejt BE-së është më e qartë.

https://p.dw.com/p/4KCyF
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, me homologun e tij nga Maqedonia/V, Stevo Pendarovski, qershor 2019, Berlin
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, me homologun e tij nga Maqedonia/V, Stevo Pendarovski, qershor 2019, BerlinFotografi: Getty Images/AFP/T. Schwarz

Presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier nis të martën, një udhëtim katërditor në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. “Fokusi i udhëtimit është situata në rajon, efektet e luftës së agresionit rus në Ukrainë dhe mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”, bëhet e ditur në një njoftim të presidencës gjermane.

Steinmeier do të qëndroje në Maqedoni të Veriut deri më 30 nëntor,  ku do të takohet me presidentin Pendarovski dhe kryeministrin Kovaçevski, si edhe do të mbajë një fjalim para Parlamentit. Në Maqedoninë e Veriut,, presidenti gjerman,  do të takohet edhe me të rinj dhe njerëz nga arti e kinematografia. Si edhe do të vizitojë parkun e parë të erës në Bogdanci.

Vizitë në Shqipëri

Nuk e harrojmë Ballkanin Perëndimor - Intervistë ekskluzive e DW

Më 1 dhjetor Steinmeier vijon udhëtimin e tij drejt Shqipërisë, ku po ashtu pritet të takojë homologun e tij Begaj, dhe kryeministrin Rama e ku gjithashtu do të mbajë një fjalim para parlamentit.  Në Tiranë është planifikuar edhe një vizitë në Muzeun e Sigurimit "Shtëpia e Gjetheve", një diskutim se si të përballemi me të kaluarën komuniste dhe një bisedë me nxënës nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Berat, Presidenti Federal do të njihet me projekte zhvillimore bashkëpunimi shqiptaro-gjermane. 

Steinmeier me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në prill 2022 në Berlin
Steinmeier me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në prill 2022 në BerlinFotografi: Bernd Elmenthaler/IMAGO

Në prag të vizitës së tij në këto dy vende, Steinmeier i tha DW se arritjet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë “meritojnë njohje dhe respekt”.  Mes të tjerash ai tha se vizita synon të japë mesazhin, se nuk e harrojmë Ballkanin Perëndimor.

Është hera e parë që presidenti gjerman i viziton zyrtarisht Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që kur erdhi në post më 19 mars 2017. Ish-ministri i jashtëm i Gjermanisë megjithatë e njeh mirë Ballkanin Perëndimor. Për dy periudhat që ka qenë ministër i jashtëm, ai e ka rikthyer vazhdimisht rajonin në axhendën e punës së tij.