Stoltenberg bën thirrje për mospërshkallëzim të situatës
17 Gusht 2022Stoltenberg, tha se situata në terren është përmirësuar dhe u bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin një përshkallëzim të situatës. "U bëj thirrje të gjitha palëve të përmbahen dhe të shmangin dhunën”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Njëkohësisht ai tha se KFOR-i e vëzhgon me kujdes situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë në rast se rrezikohet stabiliteti i situatës.
Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës u përshkallëzuan sërish dy javë më parë. Arsyeja ishin rregullat e reja që dëshironte të aplikonte Kosova për hyrjen e serbëve në territorin e saj. Për shkak të presionit të SHBA-së dhe BE-së, zbatimi i këtyre rregullave u shty për një muaj. Tani shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka ftuar nesër (18.08) për bisedime presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në prag të takimit Stoltenberg tha se u bën thirrje të gjitha palëve që të jenë fleksibël dhe konstruktive.
Vuçiq pret bisedime të vështira
Presidenti serb Vuçiq tha se se paqja dhe stabiliteti kanë rëndësi vendimtare për Serbinë, por la të kuptohet se pret bisedime të vështira: "Ne nuk jemi dakord pothuajse për asgjë." - tha presidenti serb duke hedhur në të njëjtën kohë poshtë akuzat se Serbia po ndërhyn në veri të Kosovës.
"Ne nuk provokuam." tha ai, dhe prezantoi një listë me "provokimet" që pretendohet se autoritetet kosovare i kishin bërë minoritetit serb. Nën "pretekstin" se duan të luftojnë krimin e organizuar, policët kosovarë shpesh ndërmarrin veprime kundër serbëve, tha Vuçiq.
Kurti: Kosova do një rajon të qetë dhe zhvillim ekonomik
Pas takimit me Vuçiçin Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha në konferencën e përbashkët me Stoltenberg se Kosova kërkon një rajon të qetë dhe zhvillim ekonomik. "Qeveria ime dhe unë jemi të vendosur që të sigurojmë që politikat të jenë në përputhje me linjat euroatlantike. Dua të shpreh vlerësimin më të lartë për NATO-n dhe kontributin e madh për lirinë dhe ndërtimin e infrastrukturës pas luftës dhe për sigurinë e vendit tonë. Kosova do një rajon sa më të qetë dhe ne duam të kemi zhvillim ekonomik".
Në agjendën e takimeve të presidentit serb Vuçiç në Bruksel janë edhe takime me të dërguarin e BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, dhe me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.