1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervistë me deputetin gjerman Gero Storjohann

Ani Ruci / Tiranë15 Dhjetor 2013

Një delegacion i Bundestagut gjerman përfundoi të premten (13.12.) një vizitë në Shqipëri. Delegacioni kryesohej nga deputeti i Unionit Krsitiandemokrat (CDU), Gero Storjohann.

https://p.dw.com/p/1AZj7
Fotografi: DW/A. Ruci

Deutsche Welle: Z. Storjohann, çdo vit Bundestag-u gjerman ofron bursa ndërkombëtare për 28 shtete të botës, mes të cilave edhe për Shqipërinë, për të njohur sistemin parlamentar të Gjermanisë, proceset politike dhe vendimmarrjen demokratike. Ju lutem, çfarë u ofrohet konkretisht bursantëve? Si përfitojnë ata nga kjo mundësi?

Gero Storjohann: "Kemi ardhur në Tiranë pikërisht për këtë qëllim: të përzgjedhim të rinj dhe të reja nga universitetet e Shqipërisë që dinë shumë mirë gjermanisht dhe kanë interes për proceset politike. Konkurruan tetë kandidatë nga të cilët përzgjodhëm tre më të mirët që do të përfitojnë nga fondi i bursave ndërkombëtare parlamentare gjermane. Është një mundësi shumë e mirë, një rast unik, për pjesëmarrësit por edhe për Shqipërinë pasi pas kthimit të tyre ata do të kenë mundësi të bëjnë diçka pozitive për vendin e tyre si në proceset politike edhe në zhvillimin e shoqërisë civile. Dëshirojmë të inkurajojmë klasën politike të Shqipërisë që t'i përfshijë këta të rinj dhe të reja pas kthimit të tyre nga Gjermania në jetën politike të vendit."

Cilat janë fushat e bashkëpunimit mes Bundestag-ut dhe Parlamentit te Shqiperise? Ku mund te zgjerohen dhe thellohen më tej marrdhëniet mes tyre?.

Gero Storjohann: "Kërkojmë që përmes këtyre bursave parlamentare të thellojmë bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Shqipërisë mes Bundestag-ut dhe Parlamentit shqiptar. Në arritjen e intensifikimit të këtyre marrdhënieve ka rëndësi edhe zgjerimi i marrdhënieve mes deputetëve të dy parlamenteve respektive. Janë të gjitha mundësitë që këto lidhje të jenë edhe më intensive në të ardhmen. Ka një grup miqësie gjermano - shqiptar me parlamentarët e dy vendeve. Gjatë qëndtimit tim në Tiranë më kanë bërë përshtypje shumë pozitive ndryshimet në Shqipëri, jam befasuar nga progresi i arritur, nga fakti sesa e hapur ështe shoqëria në Shqipëri. Kthehem në Gjermani me bindjen se marrdhëniet mes Bundestag-ut dhe Parlamentit të Shqipërisë do të thellohen më shumë dhe se grupi parlamenatr i miqësisë gjermano- shqiptare do të forcohet më tej."

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri mbetet një sfidë për t' u fituar. Opinioni publik e ka perceptuar deri më tani luftën kundër korrupsionit si luftë kundër "peshqve të vegjël" ndërkohë që të korruptuarit e fuqishëm i percepton si " të paprekshem" nga drejtësia. Cila është përvoja e kuadrit ligjor, të hartuar nga ligjvënësit gjermanë, lidhur me luftën ndaj korrupsionit në administratën publike, në rradhët e zyrtarëve dhe politikanëve të lartë?

Gero Storjohann: "Korrupsioni është një fenomen që e mban peng shoqërinë dhe duhet të luftohet vazhdimisht që të arrihet drejt eliminimit të tij. Korrupsioni ekziston në shumë vende të botës dhe ka shfaqje të ndryshme. Ka vende ku ai ekziston sepse punonjësit e administratës publike janë të paguar keq dhe nuk shohin mundësi tjetër për të përballuar jetesën, për të mbijetuar. Sesa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri nuk kam informacion, por ajo që di është se ekzistojnë struktura për ta luftuar atë. Ndërkohë që edhe Komisioni Europian e mban nën vëzhgim Shqipërinë lidhur me këtë fenomen negativ dhe ka dhënë rekomandime për ta luftuar atë. Mendoj se klasa politike dhe shoqëria civile duhet të zhvillojnë një koncept të vetin për të luftuar me sukses korrupsionin. Ky është një proces, nuk realizohet nga sot, nesër."

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, adresoi ditët e fundit një padi ndaj parardhësit të saj, ish Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, për shpërdorim të fondeve publike. Paditë ndaj ministrave për shpërdorim fondesh publike dhe korrupsion nuk kanë munguar në Shqipëri por çështjet janë mbyllur për afate proceduriale pa arritur që ata të shpallen të pafajshëm ose fajtorë nga drejtësia. Çfarë do të shmangte përsëritjen e kësaj skeme dhe bërjen drejtësi?

Gero Storjohann: "Krijimi i një sistemi drejtësie dhe gjyqësori të pavarur nga politika. Apeli im është pikërisht krijimi i një sistemi të tillë pasi vetëm në këtë mënyrë do të krijohet besimi i qytetarëve ndaj drejtësisë, prosperiti dhe mirëqenia."

Në fillim të javës që vjen Këshill Europian i BE do të vendosë të pranojë ose të mos pranojë propozimin e Komisionit Europian për t' i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. A do të jetë vota e Gjermanisë një votë pozitive?

Gero Storjohann: "Kjo është një pyetje e vështirë për t' iu përgjigjur pasi Gjermania është duke përgatitur qëndrimin e saj për këtë çështje. Dihet që 6 shtete, anëtare të BE, kanë vështirësi lidhur me vendimarrjen e tyre për t'i dhënë statusin e vendit kandidat për anëtarësim Shqipërisë. Në këtë kontekst Gjermania nuk është problem kryesor për Shqipërinë. Gjithsesi, qëndrimi i Gjermanisë është i kushtëzuar nga vendime të mëparshme psh. për Rumaninë. Janë këto raste që e bëjnë Gjermaninë të jetë më e kujdesshme në marrjen e vendimit. Shpresoj që Shqipëria pas reformave që ka realizuar të mund ta marrrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim pasi Shqipëria është pjesë e Europës, çështja është se kur? Nuk jam i sigurtë se çfarë vendimi do të marrë Gjermania pasi ai do të merret në zyrën e Kancelares Federale. Ndërkohë që Bundestagu ka një përbërje të re deputetësh dhe pres me mjaft interes vendimin që do të merret."