Një në tri gra në Evropë viktimë e dhunës
5 Mars 2014Një në tri gra në Evropë ka përjetuar që nga rinia dhunë fizike ose seksuale, konstaton një studim i Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore (FRA). Numri i përgjithshëm është 62 milionë. Pesë për qind e tyre kanë qenë viktima të përdhunimit.
Shpesh rreziku ndodhet brenda mureve të shtëpisë: 22 për qind e të anketuarave janë përgjigjur se kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale nga partneri. Tek dhuna fizike sipas studimit bën pjesë rrahja, shkulja e flokëve, shtyrja apo sulmi me mjete të forta. Dhunë seksuale do të thotë përdhunim ose tentativë për përdhunim.
Sipas studimit këto sulme shpesh kthehen në përditshmëri në jetën në çift. Edhe gratë shtatzëna nuk kursehen. Të pakta janë gratë që guxojnë t'i kundërvihen dhunës: shumë prej tyre thonë se ndihen shumë të turpëruara nga ajo që u ndodh dhe për këtë arsye nuk i drejtohen policisë.
Nivelet më të larta të dhunës në veri të Evropës
Përdhunimet nga të panjohur, ku shpesh janë të përfshirë disa meshkuj, denoncohen më shpejt. Gjashtë për qind e gjithë të anketuarave kanë thënë se kanë qenë viktima të një tentative përdhunimi. Një numër po kaq i madh grash nuk kanë guxuar të kundërshtojnë aktivitetin seksual të friksësuara nga pasojat e mundshme.
Numri më i madh sipas studimit është njoftuar nga gratë në tre vendet nordike Danimarkë (52 për qind), Finlandë (47 për qind) dhe Suedi (46 për qind). Në Poloni, Austri dhe Kroaci me rreth 20 për qind, niveli është relativisht më i ulët. Gjermania me 35 për qind është pak mbi mesataren e BE-së me 33 për qind.
Dallimet kulturore ndikojnë në gatishmërinë për denoncim
Sipas autorëve të studimit shifrat megjithatë nuk duhet të çojnë në konkluzione të nxituara. Të dhënat për sulmet dhe dhuna e ushtruar vërtet nuk përputhen gjithnjë me njëra-tjetrën.
Dallimet kulturore në qendrimin ndaj dhunës kanë ndikim në mënyrën se si gratë flasin për këtë temë. Atje ku barazia gjinore është më e fortë ka më shumë ndërgjegjësim dhe më shumë denoncime.
Nga ngacmimet seksuale janë të prekura më shumë gra se sa nga përdhunimet. Para së gjithash gratë e arsimuara në pozicione të larta flasin për këto ngacmime. Kjo mund të lidhet me faktin që këto grupe grash mund të vlerësojnë më mirë kalimin e kufijve dhe edhe ta njoftojnë atë.
Rreth gjysma e grave pré e ngacmimeve
Sipas studimit vlerësohet se rreth 83 deri 102 milionë gra janë të prekura nga ngacmimet seksuale. Këto janë 45 deri 55 për qind e gjitha grave në BE nga mosha 15 vjeç. Diapazoni i gjerë rezulton për shkak se tek të anketuarat kishte mendime të ndryshme se çfarë hyn tek ngacmimet seksuale si p.sh. përpjeket e burrave për t'u afruar, humori me elementë seksist apo foto trupash të zhveshur të dërguara pa dëshirë me sms.
"Duhet të veprojmë. Numri i grave që vuajnë në Evropë është shumë i madh", deklaroi drejtori i FRA-së Morten Kjaerum. "Rezultatet e këtij sondazhi nuk mund dhe nuk duhet të injorohen. Dhuna fizike, seksuale dhe psikologjike kundër grave është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, që ndeshet në të gjitha vendet anëtare të BE-së."
Në studim u anketuan rreth 42.000 gra në 28 vendet e BE-së në moshë nga 18 deri 74 vjeç. Bisedat janë zhvilluar personalisht në vitin 2012. Studime krahasuese për këtë tematikë sipas FRA-së nuk ka deri tani në BE. Ky studim sipas agjencisë është më i madhi në gjithë botën.