290811 Senioren Soziale Netzwerke
30 Gusht 2011Modemin e vjetër, Klaus Schmolzi ka kohë që e ka nxjerrë nga përdorimi. Ai përdor internetin e shpejtësisë së lartë, DSL. Schmolzi nuk shkruan vetëm emaile e nuk krahason vetëm çmime në internet. Jo, Schmolz-i është anëtar i rrjeteve sociale: në facebook, në rrjetin kush-njeh-kë (wer-kennt-wenn.de) dhe ai bisedon përmes skype-t. Pensionistin 71 vjeçar e gjen thuajse kudo. Në moshën 65 vjeç ai bleu një kompjuter portativ, laptop. Në atë kohë ai as nuk ia kishte idenë kompjuterave. Ish-drejtorin e fabrikës atëherë nuk e detyroi askush që të merrej me mediumin e ri, ai thjesht kishte...
"interes vetjak! Mendova, po të mos ndjekësh këtu rrjedhën, atëherë do të mbetesh pas, do të humbasësh kontaktin me nipërit dhe rininë, sepse nuk e flet gjuhën e tyre."
Vërtet që flokët i janë thinjur dhe aty-këtu edhe i dhemb trupi, por këlnasi i vjetër nuk dëshiron që ta fusin tek të vjetrit. Ai duhet të ecë me kohën, thotë. Ai nuk mund të presë si më parë që ta marrë në telefon i nipi dhe ta pyesë se kur mund të vijë. Klausit i duhet të jetë vetë aktiv, për shembull përmes rrjeteve sociale. Edhe Hendrick Speck mund ta konfirmojë këtë zhvillim. Ai është profesor për mediet digitale në Shkollën e Lartë Profesionale Kaiserlautern:
"Ndërkohë ata nuk kanë shans tjetër, po të duan të komunikojnë me fëmijët, nipërit e mbesat, se sa të shfrytëzojnë në thelb mediet përkatëse"
Mënyra e vetme për kontakt
Brezi i ri është gjithnjë e më mobil, thotë shkencëtari. Fëmijët edhe nipërit e mbesat nuk banojnë më gjithë jetën në një vend ose të kenë gjithë kohën të njëjtin punëdhënës.
"Mënyra e vetme për ta ruajtur me të vërtetë një rrjet miqsh e shokësh duhet të kalojë në njëfarë mënyre përmes këtyre medieve teknike."
Në Gjermani, të moshuarit në rrjete sociale janë ende të paktë në numër. Por ata po shtohen gjithnjë e më shumë- në përgjithësi në internet dhe para së gjithash në rrjetet sociale. Nëse në vitin 2010 në internet gjeje vetëm mbi 25% të mbi 60 vjeçarëve, në bazë të studimit më të ri të ARD-së sot gjen mbi 35% të fëmijëve. Asnjë grup tjetër moshe nuk shënon rritje të tillë të pranisë në internet.
Askujt nuk i pëlqen ta shohin si të vjetër
Ka kohë madje që ekzistojnë rrjete sociale, që kujdesen posaçërisht për nevojat e përdoruesve të moshuar. Ato mbajnë emra si kohë vjeshte (herbstzeit.de) ose rrjet platini (platinnetz.de), megjithatë ato preferohen vetëm mesatarisht nga të moshuarit, mendon profesori i mediave, Hendrick Speck:
"Për mendimin tim, këto platforma janë për të moshuarit kaq atraktive sa janë telefonat me tasta shumë të mëdha, sepse natyrisht, askujt nuk i pëlqen të konfrontohet me moshën e shkuar, me vdekjen ose me sëmundjen."
Autor: Arne Lichtenberg/ Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica