1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tadiç paralajmëron OKB-në për Kosovën: Të mos njihet pavarësia e njëanshme

27 Shtator 2007

Të premten më 28 shtator u takuan në Nju Jork përfaqësues të lartë të Serbisë dhe të shqiptarëve të Kosovës për të biseduar mbi të ardhmen e Kosovës.

https://p.dw.com/p/BkVF
Presidenti serb, Boris Tadiç
Presidenti serb, Boris TadiçFotografi: AP

Në prag të bisedimeve mes përfaqësuesve të lartë të Serbisë dhe të Kosovës të enjten më 27 shtator në Nju Jork u zhvilluan edhe konsultime mes ministrave të jashtëm të vendeve të Grupit ndërkombëtar të Kontaktit. Qëllimi i këtij takimi ishte vënia në lëvizje e bisedimeve që kanë mbetur në vendnumëro. Në Grupin e Kontaktit bëjnë pjesë krahas Gjermanisë edhe tri shtete të tjera të BE-së si dhe Rusia e ShBA.

Në kuadër të Asamblesë së Pergjithshme të OKB-së Serbia theksoi qëndrimin e saj kategorik kundër pavarësisë së Kosovës

Deri më 10 dhjetor Grupi i Kontaktit duhet t´i paraqesë OKB-së një rekomandim për mënyrën, se si do të veprohet më tej me Kosovën. Në rast të dështimit konsiderohet e mundshme shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Kosova. Serbia është kategorikisht kundër opcionit të pavarësisë. Presidenti serb Boris Tadic paralajmëroi OKB-në në rast se njeh shpalljen e pavarësisë sënjëanshme nga shqiptarët e Kosovës. Tadic i bëri thirrje të enjten Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork duke iu referuar kërcënimeve të shqiptarëve të Kosovës, se më 11 dhjetor do të shpallin pavarësinë. Nëse një hap i tillë do të njihet prej bashkësisë ndërkombëtare, atëherë "rendi ndërkombëtar i së drejtës nuk do të jetë më i njëjtë", tha Tadiç. Sipas tij "separatistët në mbarë botën do të ndiqnin të njëjtin shembull dhe në fund do të destablizoheshin të gjitha rajonet."

Sipas Tadiç, Serbia ofron propozime për zgjidhjen e problemit të Kosovës "duke aplikuar vlerat evropiane dhe mënyra veprimi që do ta zgjidhinin afatgjatë konfliktin etnik dhe do të mundësonin pajtimin dhe bashkëpunimin." Tadiç nënvizoi, se vendi i tij është i gatshëm për kompromise, megjithatë duhet të merren parasysh interesat serbe dhe veçanërisht nevojat e banorëve serb në Kosovë. Nga rreth 200.000 serbë, që janë larguar nga Kosova qysh prej vitit 1999, janë kthyer në shtëpitë e tyre vetëm 71.000.

Për të premten më 28 shtator janë planifikuar bisedimet direkte në Nju Jork mes serbëve dhe shqiptarëve në praninë e ndërmjetësuesve.