1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi Maas-Haradinaj nën hijen e sulmit terrorist në Vjenë

3 Nëntor 2020

Takimi i parë i drejtpërdrejtë mes ministres së Jashtme të Kosovës dhe homologut të saj gjerman të martën (03.11) në Berlin u zhvillua nën hijen e sulmeve terroriste në Vjenë.

https://p.dw.com/p/3kowq
Deutschland Kosovo Maas  Haradinaj Stublla
Fotografi: Odd Andersen/AFP/dpa/picture alliance

Ishte takimi i parë i drejt mes dy politikanëve, por lajmet nga Vjena i ndryshuan fokusin. Prandaj dy politikanët shfrytëzuan rastin që në fillim të konferencës për shtyp para takimit për të dënuar akte të tilla: "Jemi të gjithë të një mendjeje se me qëndrimet tona nuk duhet të lëshojmë as edhe një milimetër nga vlerat që na bashkojnë këtu në Europë, si liria e mendimit, liria e artit, liria e shtypit etj". Ne nuk do të sakrifikojmë asgjë nga liritë tona dhe do të koordinohemi ndërkombëtarisht me të gjitha mundësitë që kemi në dispozicion kundër çdo rasti kur terrorizmi islamik mund të drejtohet kundër nesh", tha ministri gjerman, Maas, duke shtuar. "Në Europë por dhe jo vetëm jemi të bashkuar në vendimin se kundrejt të tilla episodeve do të tregojmë zero tolerancë", tha Heiko Maas.

Edhe Meliza Haradinaj-Stublla, u shpreh solidare me viktimat dhe familjet e tyre, dhe tha se "Kosova i ka dënuar njëzëri aktet e djeshme terroriste". Lidhur me lajmet e fundit të ardhura nga Vjena se një nga të dyshuarit për terrorizëm ishte shqiptar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, dhe e pyetur nga Deutsche Welle se a sheh ndonjë rrezik nga komuniteti shqiptar në Perëndim, Haradinaj-Stublla tha: "Nuk do të jap komente mbi burime të pakonfirmuara, por do të doja të nenvijëzoja disa fakte të rëndësishme mbi atë çfarë ka ndodhur dje. Tre prej efektivëve të policisë që iu përgjigjën sulmeve të mbrëmshme ishin shqiptarë, shtetas të Kosovës, të cilët jetojnë të mirëintegruar në Vjenë dhe punojnë e luftojnë krahas qytetarëve austriakë për të mbrojtur vlerat dhe qëllimet që ne ndajmë me popullin austriak. Le të reflektojmë mbi këtë dëshmi të mirëintegrimit të qytetarëve tanë dhe faktit se Kosova qëndron përkrah aleatëve  tanë në luftën kundër ISIS dhe terrorizmit," tha Haradinaj-Stublla.

Në takim u fol edhe për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës dhe dialogun Serbi-Kosovë. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, tha se Gjermania është pro liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës dhe se ajo po përpiqet të bindë edhe vendet e tjera skeptike për të dhënë po-në për liberalizimin. "Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kërkesat mbi çdo pikë prandaj edhe ne mbajmë këtë pozicion edhe kundrejt presidencës së Bashkimit Europian dhe aleatëve tanë. Deri më tani kemi pasur bashkëbisedime intensive mes institucioneve gjermane dhe kolegëve kosovarë mbi tema që paraqesin skepticizëm për disa aleatë tanë europianë dhe si qeveri federale e Gjermanisë ne do të qëndrojmë në krah të Kosovës në mbrojtje të synimit të saj për liberalizimin e vizave edhe përballë shteteve të tjera të Bashkimit Europian", tha Maas.

Maas përforcoi edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën, në të gjitha këto procese dhe në rrugën e saj drejt integrimit europian dhe e inkurajoi qeverinë e saj për reforma të brendshme dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Në takim u fol edhe për bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe njohjen reciproke të lejes për drejtimin e automjeteve.