1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Talibanët si partnerë strategjikë?

Dennis Stute / Eliana Xhani9 Shtator 2012

Qeveria amerikane përpiqet të arrijë një marrëveshje me talibanët.Megjithë ngecjen në vend të bisedimeve është e mendueshme arritja e një ujdie. Por pyetja themelore në fund është: kush janë në të vërtetë talibanët?

https://p.dw.com/p/165X7
Ish luftëtarë talibanë
Fotografi: picture-alliance/dpa

As qeveria amerikane nuk e beson më se lufta në Afganistan mund të vendoset vetëm në rrugë ushtarake. "Dialogu politik është rruga më e sigurt për paqe afatgjatë dhe stabilitet të vazhdueshëm", deklaroi një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme amerikane. Për këtë arsye prej thuajse dy vjetësh qeveria në Uashington përpiqet të arrijë një zgjidhje me anë negociatash. Por marsin e kaluar talibanët i ndërprenë bisedimet pasi lirimi i kërkuar prej tyre i pesë pjesëtarë të lartë nga kampi i të burgosurve në Guantanamo, nuk po bëhet aq shpejt sa duhej.

Filli i bisedimeve nuk është këputur ende, por ajo çka diskutohet në takimet informale, shumë rrallë bëhet e ditur për publikun. Herë ndodh që përfaqësues të qeverisë amerikane lënë të shkojë në vesh të shtypit se është bërë një propozim i ri për lirimin e të burgosurve. Herë talibanët deklarojnë se është nisur për në Katar një ekip negociues, për të rënë dakord rreth axhendës për bisedime të mëtejshme.

A mund të përmbushen kërkesat?

Kërkesat e të dy palëve janë të qarta prej kohësh: SHBA kërkon që talibanët t'i japin fund luftimeve, të respektojnë kushtetutën afgane dhe të ndërpresin lidhjet me rrjetin terrorist Al-Kaida. Talibanët kërkojnë tërheqjen e të gjitha trupave të huaja, lirimin e të burgosurve dhe njohjen e lëvizjes së tyre.

Të gjitha këto kërkesa mund të plotësohen në parim, nëse do të interpretoheshin lirshëm, mendon Richard Barrett, drejtor i grupit vëzhgues të Al-Kaidës dhe talibanëve në OKB. Mbetja në Afganistan e disa trupave amerikane pas largimit në 2014 të trupës mbrojtëse ISAF, nuk duhet të jetë pengesë. "Talibanët pragmatikë llogarisin që një prani ndërkombëtare do të ishte edhe një lloj garancie e marrëveshjeve dhe do t'u ndihmonte të merrnin vërtet pjesë në qeveri", thotë Barrett. Edhe njohja e kushtetutës afgane nga talibanët është e mendueshme, por vetëm atëherë kur kjo njohje nuk do të nënkuptonte edhe njohjen e qeverisë së urryer të presidentit Hamid Karzai, dhe nëse të gjitha partitë do të negocionin një kushtetutë të re.

Richard Barrett, shef i grupit për vëzhgimin e talibanëve në OKB
Richard Barrett, shef i grupit për vëzhgimin e talibanëve në OKBFotografi: UN Photo/Ryan Brown

Talibanët e përçarë

Pyetja më e rëndësishme është megjithatë nëse udhëheqja e talibanëve do të arrinte të bënte të pranueshme për bazën një marrëveshje me SHBA-në. Një pjesë e talibanëve i refuzojnë plotësisht bisedimet, të tjerë i shohin vetëm si taktikë. Që pragmatikët në radhët e tyre nuk e kanë të lehtë e dëshmon rasti i Agha Jan Motasim. Ish ministri i financave në qeverinë e talibanëve u bë shënjestër e një breshërie plumbash në Karaçi pasi kishte folur për një zgjidhje politike dhe kundër organizatës terroriste Al-Kaida. Mbijetesa e tij ishte gati një mrekulli.

Çështja e pasqaruar e të burgosurve

Të burgosur në kampin Delta, Guantanamo
Të burgosur në kampin Delta, GuantanamoFotografi: picture alliance/Everett Collection

Përpara se të mund të negociohet duhet të sqarohet çështja e të burgosurve. Talibanët kanë bërë krejt të qartë se nuk janë të gatshëm për negociata të mëtejshme sa kohë nuk pranohet këmbimi i pesë të burgosurve të Guantanamos me ushtarë amerikanë të kapur prej tyre në 2009.

Presidenti Barack Obama në fushatë elektorale
Presidenti Barack Obama në fushatë elektoraleFotografi: Reuters

"SHBA nuk ka vendosur të dorëzojë talibanë të burgosur nga Guantanamo", deklaroi një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të SHBA-së. Për konsultime aktuale rreth të burgosurve të veçantë qeveria nuk mund të japë informacion. Vëzhguesit besojnë se ende nuk është rënë në ujdi në këtë çështje. Diferenca ka në radhë të parë mes Shtëpisë së Bardhë dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Veç kësaj presidenti Obama gjendet në mes të fushatës elektorale. Vëzhguesit mendojnë se nuk ka gjasa që të lirohen para zgjedhjeve në nëntor, pesë talibanët, ndër të cilët edhe ish zëvendëskryeministri i regjimit të talibanëve. Asnjë president nuk do të përballej me një diskutim të tillë publik në mes të fushatës elektorale, vlerësojnë analistët.