1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nxehtësi e përftuar nga mbeturinat

Christina Röder / Agjelina Verbica17 Maj 2013

Nga gazrat e depozitave të plehrave përftohet nxehtësi që kthehet në rrymë. Pishinat, shkollat dhe spitalet përfitojnë nga koncepti i ri, sepse çmimi është më i ulët se çmimi aktual i energjisë.

https://p.dw.com/p/18Y6i
Fotografi: picture-alliance/dpa

Një potencial i madh për shumë të përfolurën kthesë energjitike nuk janë as era dhe as energjia diellore, por pikërisht konsumatorët e mëdhenj gjermanë të energjisë. Impiantet për djegien e mbeturinave, si dhe uzinat e çelikut dhe aluminit prodhojnë sasi të mëdha nxehtësie. Firma LaTherm nga Dortmundi ofron një teknologji të re akumulimi.

Kjo arrihet me anë një tubi të thjeshtë. Nëpërmjet tij ngrohja mund të pompohet në një kontenierë. Ngrohja futet në brendësi të kontenierit përmes një sistemi tubash.

René Rudel, shofer i firmës LaTherm, dërgon kontenierë në pishinë. Nxehtësia aty mban për afërsisht dy ditë. Prodhuesi i nxehtësisë është një depozitë plehrash. Prej gazrave të depozitës së plehrave përftohet rrymë. Aty krijohet nxehtësi, e cila deri tani në pjesën më të madhe shkonte dëm. Deri sa firma LaTherm pyeti, nëse mund ta merrnin me kamionë nxehtësinë, që krijohej. "Nxehtësi mbi rrota", ky ishte koncepti.

Shfrytëzim i një energjie, që shkonte dëm

"Nxehtësi mbi rrota" - kontenieri i LaTherm furnizohet me nxehtësi me ngrohje
"Nxehtësi mbi rrota" - kontenieri i LaTherm furnizohet me nxehtësi me ngrohjeFotografi: DW

"Në parim këtë mund ta bësh kudo, ku ekziston një burim i konsiderueshëm nxehtësie, një impiant për djegien e mbeturinave bimore, një depozitë plehrash, një impiant i gazit bimor, një fabrikë metalurgjike, një fabrikë alumini, pra kudo, ku del një e ashtuquajtur nxehtësi, që shkon dëm. Ajo mund të përdoret për nevojat aty pranë", thotë Wolfram Peschko, drejtor i firmës LaTherm.

Pishina në Dortmund Brackel e pranoi menjëherë konceptin. Nuk kishte nevojë për ndonjë gjë të madhe: një vend për kontenierin me nxehtësinë dhe një pajisje për të furnizuar sistemin e ngrohjes së pishinës me nxehtësinë e sjellë me kontenier. Që atëherë pishina ka ujë të ngrohtë gati 30 gradë nga nxehtësia e çliruar, që më parë shkonte kot.

Dirk Schmelter punonjës në pishinën Dortmund Brackel shprehet: "Është e qartë se ne në këtë mënyrë kursejmë koston e ngrohjes. Së dyti është efekti ekologjik. Dhe kjo ngrohje nuk është më e shtrenjtë se ngrohja konvencionale. Prandaj për një ndërtesë, që kërkon kaq intensivisht energji, kjo është një gjë e mirë."

Koncepti po aplikohet gjithnjë e më shumë

Jo vetëm pishinën në Dortmund, por edhe shkollat dhe spitalet firma LaTherm ka mundur t'i bindë tashmë për konceptin e saj. Dymbëdhjetë konsumatorë gjithsej. Deri tani kryesisht sipërmarrje publike, por interesi rritet edhe tek firmat private.

Central prodhimi nxehtësie nga biomasa në Malchin, Mecklenburg-Vorpommern
Central prodhimi nxehtësie nga biomasa në Malchin, Mecklenburg-VorpommernFotografi: AP

"Sot kemi çdo muaj të paktën 50 deri në 100 kontakte të reja, që vijnë tek ne dhe duan të bisedojnë me ne në lidhje me këtë sistem. Ne jemi një firmë e vogël dhe duhet të koncentrohemi, por dyndja e kërkesave në këtë moment është më e madhe, nga ç'jemi në gjendje të përballojmë."

Dhe kjo nuk do të ndryshojë, në qoftë se çmimet e naftës dhe të gazit do të vazhdojnë të rriten. Sepse LaTherm u garanton klientëve të saj një çmimmë të ulët se çmimet aktuale të energjisë. Për pishinën në Dortmund kontrata 10 vjeçare ia vlen gjithsesi.