1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Themeluesi i Amazon blen "Washington Post"

Eliana Xhani6 Gusht 2013

Pikërisht themeluesi i një sipërmarrjeje të shitjes në internet, blen një gazetë me traditë në SHBA. Jeff Bezos e blen "Washington Post" për 250 milionë dollarë, siç u tha, si person privat.

https://p.dw.com/p/19Khp
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Mbi marrëveshjen spektakolare rrëzëllen një fije ironie: një sipërmarrje interneti blen një nga gazetat më me traditë në SHBA. Por gazeta me famë "Washington Post" është blerë nga themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, si person privat, u nxitua të sqaronte sipërmarrja mediatike. 250 milionë dollarë amerikanë ka paguar Bezos për gazetën. Pronarët e deritanishëm, familja Graham, prej vitesh kishin luftuar për mbijetesën e "Post". Për multimiliarderin si pronar i ri, flisnin "njohuritë e tij unike për teknologjinë, sensi i tij për biznes, angazhimi afatgjatë dhe integriteti personal", deklaroi botuesi i deritanishëm Donald Graham.

Bezos siguroi se "vlerat e Post" nuk do të ndryshojnë. Edhe në krye të gazetës nuk do të ketë ndryshime në personel, të paktën si fillim. Katherine Weymouth do të mbajë edhe më tej pozicionin e saj në sipërmarrjen mediatike si botuese dhe menaxhere. "Washington Post" e themeluar në 1877 ka qenë më shumë se tetë dhjetëvjeçarë në pronësi të familjes Graham. E famshme ajo u bë ndër të tjera me zbulimin e skandalit "Watergate" në vitet 1970, që pati si pasojë dorëheqjen e ish presidentit amerikan Richard Nixon. Kohët e fundi ajo ka kontribuar në informimin për zbulimet rreth skandalit të përgjimit të NSA-së.

Por "Washington Post" ashtu si shumë gazeta me emër, prej vitesh lufton me rënie të tirazhit dhe të të ardhurave për shkak të konkurrencës në rritje nga lajmet pa pagesë në internet. Kompania e kuotuar në bursë "Washington Post Company", përpiqet megjithatë prej kohësh për ripozicionim: asaj i përkasin ndër të tjera një ofrues arsimimi, stacione televizive lokale dhe një operator rrjeti kabllor. Sipërmarrja do të ndryshojë emrin pas përfundimit të shitjes së gazetës, që pritet deri në fund të vitit.

Amazon-Gründer Jeff Bezos
Jeff Bezos, themeluesi i AmazonFotografi: picture-alliance/dpa

"Post" nuk është e vetme në këtë situatë. Në fundjavë u ble nga një sipërmarrës i kamur "Boston Globe": pronari i klubit të basketbollit "Boston Red Sox", John W. Henry, e bleu gazetën për 70 milionë dollarë. Edhe moguli i medieve Rupert Murdoch i ka ndarë në sipërmarrje të veçanta gazetat e tij, ndër to "Wall Street Journal" dhe "Sun". Ndërsa në Gjermani shtëpia botuese Springer u nda nga pjesa më e madhe e medieve të shtypura, të cilat i ka blerë grupi Funke.