Thomas De Maiziere, vizitë në Kosovë
11 Dhjetor 2013Në Kosovë, qëndroi për një vizitë të shkurtër, ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas De Maiziere i shoqëruar edhe nga pesë anëtarë të parlamentit gjerman. Ata vizituan shtabin e përgjithshëm të forcave paqeruajtëse, KFOR, ku takuan komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Salvatore Farina.
Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura. Në një deklaratë për media, thuhet se ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas De Maiziere dhe komandanti i KFOR-it Gjeneral Major Salvatore Farina, diskutuan për operacionet aktuale të KFOR-it dhe situatën politike në Kosovë.
"Ministri gjerman i Mbrojtjes konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për përpjekjet e KFOR-it në mënyrë që të sigurojë përmbushjen e misionit të NATO-s dhe në mbështetje të progresit për të gjithë popullin e Kosovës," - citohet Thomas De Maiziere.
Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Farina, nga ana e tij, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve lokale që u zhvilluan në Kosovë si një sukses të KFOR-it dhe një arritje për organizatat vendore të sigurisë.
"Ky qëllim i rëndësishëm u arrit gjithashtu falë mbështetjes së madhe të ofruar nga kontigjenti gjerman i përbërë nga 685 ushtarakë në të gjithë KFOR-in”, tha Gjenerali Salvatore FARINA. Komandanti i KFOR-it, thuhet në njoftim ka falenderuar ministrin gjerman të mbrojtjes për kontributin e rëndësishëm dhënë KFOR-it dhe për përkushtimin dhe profesionalizmin e trupave gjermane.
Vizita në Kosovë dhe takimi me trupat gjermane të KFOR-it e ministrit gjerman të Mbrojtjes, Thomas De Maiziere, u realizua në prag të krishtlindjeve dhe festave të fundvitit.