1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Çfarë do të diskutohet në samitin BE-BP?

6 Dhjetor 2022

Në Tiranë sot, (06.12) zhvillon punimet samiti BE-Ballkan Perëndimor,(BP) i pari që zhvillohet në një vend jo anëtar të BE dhe në rajonin e Ballkanit.

https://p.dw.com/p/4KVua
Albanien EU Westbalkan Gipfel Tirana
Fotografi: Bernd Riegert/DW

Burime zyrtare nga Këshilli Europian (KE) bëjnë me dije që ky samit është "pjesë e zbatimit të axhendës strategjike 2019-2024 të këtij Këshilli”. "Samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë e madhe të partneritetit strategjik mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor (BP), këtij rajoni me një perspektivë të qartë europiane”, thekson zyra e shtypit e KE.

Çëshjet kryesore të aktualitetit - në tryezën e bisedimeve

Diapazoni i çështjeve që do të diskutohen nga liderët e BE dhe ata të BP përmbledh probleme të mprehta të aktualitetit. Sipas zyrës së shtypit të KE-së samiti do të ndalet "në trajtimin së bashku të pasojave të agresionit rus kundër Ukrainë, intensifikimin e angazhimit politik, dhe në politikë, riforcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë kundër ndërhyrjeve të huaja si edhe adresimit të sfidave që paraqet migracioni, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” . Liderët e BE dhe të BP pritet të bëjnë një deklaratë në përfundim të samitit.

Albanien EU Westbalkan Gipfel Tirana
Fotografi: Bernd Riegert/DW

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës

Liderët e BE dhe të BP do të diskutojnë bashkëpunimin për të përballuar sfida të përbashkëta që burojnë nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. „Ata do të ndalen më konkretisht në trajtimin e pasojave negative në energjinë dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor," thekson zyra e shtypit e KE.

Angazhimi politik dhe në politikë

Liderët e BE dhe të BP do të diskutojnë rrugët për thellimin e angazhimit politik dhe në politikë me një fokus të veçantë tek rinia. Ata do të vlerësojnë gjithashtu "progresin e arritur në procesin e integrimit europian të BP në tregun e brendshëm të BE, në modernizimin e sistemit të pagesave në përputhje me standardet e BE në fushën e dixhitalizimit dhe në zbatimin e korsive të gjelbra BE-BP një nismë kjo për të lehtësuar logjistikën ndërkufitare dhe rrjedhën e vazhdueshme të mallrave”, thekson zyra e shtypit të KE.

Siguria dhe qendrueshmëria kundër ndërhyrjeve të huaja

Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprime të koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftimin e manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike.

Albanien EU Westbalkan Gipfel Tirana
Fotografi: Bernd Riegert/DW

Menaxhimi i migracionit

Sipas zyrës së shtypit të KE liderët e BE dhe të BP do të shkëmbejnë pikëpamje lidhur me trajtimin e përbashkët dhe menaxhimin e migracionit, pasi shifrat në rrugën migratore të Ballkanit Perëndimor janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit. Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi për të luftuar terrorizmin dhe parandaluar radikalizimin.

Tirana në masa të rrepta sigurie

Ardhja në Tiranë e 27 kryetarëve të shteteve, anëtare të BE, dhe atyre të BP ka vendosur kryeqytetin në masa të rrepta sigurie. Policia rrugore ka përcaktuar perimetrin e sigurisë së lartë. Për mbarëvajtjen e samitit ajo ka publikuar hartën e rrugëve, në të cilat nuk lejohet kalimi dhe parkimi i automjeteve, Që në orën 06:00 të mëngjesit policia ka mbyllur hyrjet në Tiranë nga Durrësi, Elbasani dhe qytetet në veri të vendit. Bulevardi "Dëshmorët e Kombit” do të jetë i bllokuar.

Në njoftimin e Policisë rrugore bëhet me dije që ”për mbarëvajtjen e samitit do të ketë bllokime të disa akseve rrugore urbane dhe interurbane të Tiranës”.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana