1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Banka gjermane ProCredit më afër biznesit

1 Prill 2009

Dega më e re e ProCredit që u hap të premten, e 38-a, është vendosur në një mjedis në qëndër të Tiranës, me destinacion kryesor ofrimin e informacionit të domosdoshëm për biznesin.

https://p.dw.com/p/HORu
Akan Hajdini
Në radhën e shërbimeve të reja që ofron ProCredit është E-banking, shpjegon Akan Hajdini nga ProCredit.Fotografi: DW / Arben Muka

Në sistemin bankar të Shqipërisë, ProCredit është e njohur për veçantinë se është e orientuar drejt dhënies së kredive për sipërmarrje shumë të vogla, të vogla dhe të mesme. Duke lëvizur kështu në hapësirat e biznesit që krijon më shumë vende pune dhe që japin një kontribut thelbësor në ekonominë e një vendi. Dega më e re e ProCredit që u hap të premten, e 38-ta, është vendosur në një mjedis në qëndër të Tiranës, me destinacion kryesor ofrimin e informacionit të domosdoshëm për biznesin.

Drejtori i ProCredit për Tiranën, Akan Hajdini, tha për DW, se propozimi për një iniciativë të tillë erdhi në rradhë të parë nga nevoja që ka biznesi kryeqytetas për të patur një shërbim cilësor bankar. "Ne jemi ketu sepse dhe zona konkrete e kërkon një mundësi të tillë. Dhe është menduar një përqëndrim i stafit të specializuar për t`i shërbyer komunitetit, për ta informuar e orientuar në kërkesat konkrete. Pra ideja është të ofrojmë një shërbim të përqëndruar dhe dedikuar në plotësim të nevojave që ka komuniteti i biznesit".

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt.
Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt, thotë se pavarësisht nga kriza finaciare mbështetja e Gjermanisë për Shqipërinë po vazhdon.Fotografi: DW / Arben Muka

Në radhën e shërbimeve të reja që janë ofruar gjatë këtij viti për sipërmarrjet, institucionet publike e private, apo për çdo klient të veçantë është "Pro E-banking".

Akan Hajdini thotë se: "Kjo i krijon mundësinë klientëve të shikojnë mbi llogarinë e tyre nga kompjuteri në zyrë apo në shtëpi, si dhe të kryejnë në distancë trasnaksione të ndryshme. Pra ky është një shërbim mjaft komod, që e lehtëson dhe i kursen kohë klientëve tanë".

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt, e konsideroi si një ngjarje shumë të rëndësishme hapjen e degës së se të ProCredit. Sipas tij kjo "është një shenjë të mirë në këtë fazë të krizës globale financiare". Është një faktor pozitiv psikologjik për këtë periudhë. Ai ka përmendur më pas dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si një shembull ku janë shënuar suksese konkrete. "Pavarësisht nga kriza finaciare që jemi duke përjetuar mbështetja e Gjermanisë për Shqipërinë po vazhdon. Fondet tona për mbështetje vjeshtën e kaluar u rritën gati dyfish, duke shkuar në mbi 90 milion euro për vitin 2009 dhe vitin 2010," deklaroi të premten kryediplomati gjerman në Tiranë.

Banka ProCredit ka ngritur në Shqipëri një rrjet prej 38 degësh dhe agjensish në të gjithë territorin e vendit. Aksionerë të saj janë institucione të qëndrueshme dhe të fuqishme ndërkombëtare si ProCredit Holding AG dhe Commerzbank AG. Banka ProCredit është prezente në 22 vende të botës, në Europën Juglindore, në Afrikë e Amerikën Latine.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama