Tirana dhe Durrësi rekord për "punën në të zezë" - FMN-ja dhe BB-ja nxisin luftën kundër ekonomisë informale në Shqipëri
12 Shtator 2004Rezultatet që kanë dalë nga një kontroll i Ministrisë së Punës në firma dhe kompani private të ndërtimit në të gjithë territorin e vendit flasin qartë për lulëzimin asaj që quhet "punë në të zezë". Janë vënë re subjekte që nuk janë fare të rregjistruara në organet e tatim taksave, pra që nuk kanë licensë për aktivitet, megjithëse një gjë të tillë ato e ushtrojnë prej më shumë se 2-3 vjetësh. Ndërkohë për një numër të madh të punonjësve në to nuk derdhen kontributet për sigurime, ose që vlejnë për efekt pensioni.
Duke iu referuar të dhënave, në 1233 subjekte ndërtimi, ku u ushtrua kontroll, rezultoi se për rreth 1/4 e punonjësve në to nuk bëhej derdhja e kontributeve në sigurimet shoqërore, si dhe sigurimi në punë çka rrezikon për ta sigurimin shëndetësor si dhe mosmarrje të pensionit në të ardhmen. Edhe në ato raste kur janë bërë derdhje të sigurimeve për punonjësit, ato janë nën kuotë, krejt minimale, gjë që sjell fitime të padrejta për drejtuesit e këtyre bisneseve.
Fenomeni tjetër shqetësues ishte aktiviteti pa licensë për afro 10% të firmave dhe kompanive në sektorin e ndërtimit. Megjithëse mund të kenë një aktivitet prej të paktën 2-3 vjetësh, duke ngritur dhe rikonstruktuar dhjetra godina, ato nuk kanë derdhur asnjë detyrim në formën e tatim taksave. Për më shumë se 110 firmat e palicesnuara është dhënë një afat i detyrueshëm rregjistrimi, kundrejt pagesës së një gjobe, si hap tjetër do të jetë mbyllja e aktivitetit dhe procedimi penal për drejtuesit e këtyre subjekteve fantazëm që i shkaktojnë buxhetit të shtetit një dëm prej dhjetra milion lekësh nga evazoni fiskal.
Në Ministrinë e Punës pranojnë, se kompanive që punojnë në të zezë u është vënë një gjobë prej afro 34 mijë euro. Më i përhapur ky fenomen është në dy qytetet e mëdha, Tiranë dhe Durrës, ku është përqëndruar dhe volumi më i madh në sektorin e ndërtimtarisë. Ministria e Punës dhe ajo e Ekonomisë janë duke zbatuar një paketë masash "kundër punës në të zezë", ku pas evidentimit të shkeljeve ligjore, bëhet gjobitja e subjekteve private, duke detyruar që brenda një afati të përcaktuar të shlyhet çdo detyrim i prapambetur nga punëdhënësit. Në rast të kundërt do të bëhet mbyllja e aktivitetit, deri dhe në procedim penal për shkatarët e evazionit fiskal.
Reduktimi i aktivitetit informal në ekonomi, që është në fakt më i gjerë se sa fenomenet e mësipërme, përbën një kusht për t´u plotësuar nga autoritetet shqiptare në kundër të nënshkrimit të marrvëshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në. Ekspertë të FMN-së dhe Bankës Botërore kanë nxitur Tiranën zyrtare që jo vetëm të hartojë plane dhe strategji, por dhe të shënojë rezultate konkrete në luftën ndaj këtij fenomeni negativ.