Tortura dhe keqtrajtime në burgjet e Shqipërisë
12 Korrik 2006Komiteti i Këshillit të Evropës kundër torturave akuzon policinë në Shqipëri për tortura dhe keqtrajtime të rënda ndaj të arrestuarve. Veçanërisht brutale janë goditjet me kamzhik në shputën e këmbës dhe të dorës, thuhet në një raport të këtij komitetit publikuar të mërkurën më 12 korrik në Strazburg. Qeverisë në Tiranë i bëhet thirrje që të paralajmërojë punonjësit e policisë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të garantojë, që ata të mos ushtrojnë dhunë disprporcionale dhe të panevojshme.
Raporti i publikuar sot nga Komiteti i Këshillit të Evropës kundër torturave paraqet rezultatin e vizitave periodike të zhvilluara nga ky komitet në Shqipëri, nga korriku i vitit 2003 deri në vitin 2005. Shumë nga personat e intervistuar gjatë këtyre vizitave nga anëtarët e delegacionit të komitetit të Këshillit të Evropës pohojnë, se janë keqtrajtuar rëndë prej policisë gjatë arrestit. Shumica e keqtrajtimeve ushtrohen gjatë marrjes në pyetje të të panduhrve prej policisë së kriminalistikës.
Si shembull për kushtet katastrofale të burgimit përshkruhet rajoni i policisë së Durrësit. Qelitë në këtë rajon policie janë të tejmbushura, me kushte të tmerrshme sanitare në rrethanat e vapës së madhe dhe lagështisë së lartë. Të burgosurit s´kanë as dyshek dhe as mundësi për të dalë nga qelia. Disa persona janë mbajtur deri në katër vjet në kushte të tilla, vihet në dukje në raport.
Në raport përmenden edhe rastet e verifikuara në Elbasan dhe në Shkodër ku delegacioni i Këshillit të Evropës ka konstatuar kushte jashtëzakonisht të këqia arresti si dhe mos rrespektim të normave ligjore. Në disa raste të pandehurit janë mbajtur nëpër qelitë e paraburgimit më shumë se 20 muaj.
Gjatë vizitave të kryera në vititn 2005 është vënë re një përmirësim i vogël krahasuar me vitin 2003, sa i përket zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga komiteti i Këshillit të Evropës kundër torturave. Qeveria në Tiranë ka premtuar reforma dhe hetimin e rasteve të përmendura duke garantuar një trajtim më njerëzor.
Në mars të 2006 delegacioni i komitetit të Këshillit të Evropës kundër torturave qëndroi në Shqipëri për të verifikuar masat e marra nga qeveria dhe autoritetet përgjegjëse pas rekomandimeve të dhëna më parë. Raporti i përpiluar pas kësaj vizite nga komiteti i Këshillit të Evropës së shpejti do t´i dorëzohet edhe autoriteteve të Shqipërisë.
Komiteti kundër torturave viziton rregullisht rajonet e policisë, burgjet dhe klinikat e psikiatrisë në të 46 vendet antare të Këshillit të Evropës. Në valën e këtyre kontrolleve janë kritikuar edhe veprimet brutale të policisë në vende të tilla si Gjermania, Franca dhe Rusia. Burgjet e mbushura përtej kapaciteteve të tyre janë një problem kronik në shumicën e vendeve të Evropës.