Tragjedia e Münsterit nuk ka sfond terrorist
8 Prill 2018Sulmi me mikrobus në qytetin e Münsterit të shtunën (07.04), sipas njoftimeve të fundit, nuk ka një sfond ekstremist terrorist. Autori i sulmit dyshohet të jetë një 48 vjeçar gjerman, i njohur për probleme psikike, njoftojnë autoritetet gjermane. Policia ndërkohë ka bastisur shtëpinë e tij, por ende nuk dihet saktësisht asgje për motivin e tij për këtë sulm të tmerrshëm. Autoritetet pohojnë se personi ka qenë i njohur pë policinë edhe më parë. Personi ka vepruar i vetëm dhe nuk ka pasur ndihmën e personave të tjerë, kumtoi policia.
Autori i sulmit në Münster, i cili shkaktoi dy viktima (një grua 51 vjecare dhe një burrë rreth 65), më pas vrau veten menjëherë pas sulmit me pistoletë.
Në vendin e ngjarjes edhe një shqiptare
Në vendin e ngjarjes ishte edhe shqiptarja A. V. me origjinë nga Kosova, e cila thotë se ngjarja e tmerrshme ka ndodhur para syve të saj. A. V. ishte ndër të parët që i doli në ndihmë viktimës femër. "Por plagët kanë qenë kaq të rënda, sa që pas një kohe të shkurtër ajo vdiq. Më ka vdekur në duar", thotë A. V, me nje zë të tronditur. Ndihma e parë ka ardhur menjëherë në vendin e ngjarjes, por për dy viktimat nuk kishtë shpëtim.
Policia gjermane po kontrollon të gjitha lokalet ku mund të zbulohet, nëse personi ka mbajtur lëndë shpërthyese.Në apartamentin e sulmuesit është gjetur edhe një armë tjetër, por thuhet se nuk ka qenë ne përdorueshme.
Të shtunën në qytetin e Münsterit një mikrobus iu vërsul turmës së njerëzve. Dy persona humbën jetën, ndërkohë që autori vrau veten. 30 vetë janë plagosur, gjashtë prej tyre rëndë, bëri të ditur policia gjermane. Disa prej tyre ende janë në rrezik për jetën. Tragjedia ndodhi në një restorant tradicional të frekuentuar Kiepenkerln, mjaft i preferuar tek të qytetarët e Münsterit dhe turistët. Në ditë me mot të mirë, siç ishte edhe kjo e shtunë restoranti është një pikë takimi për shumë vetë.
la/(dpa, sdd, bild)