Turqi - Siri: Jeta përgjatë murit ndan dy botë
9 Tetor 2018Jeta e 3,5 milionë refugjatëve sirianë në Turqi has në vështirësi të shumta, por ata gëzojnë që janë të sigurtë. Ndërkohë të afërm të tyre ende përballen me luftën në anën tjetër të kufirit turko-sirian të izoluar prej tre vjetësh nga një mur 800 km. i gjatë dhe i vrojtuar mirë.
Rreth 800 km është muri prej betoni, që ka ndërtuar Turqia para tre vjetësh përgjatë kufirit me Sirinë, për të ndaluar "terroristët dhe kontradandistët", sikurse thuhet. Refugjatë të rinj nuk lejohen më të hyjnë në vend. Ndaj shumë familje siriane jetojnë të ndarë, përgjatë murit. Ata nuk kanë më shpresë se së shpejti mund të bashkohen dhe se do të mund t'i shpëtojnë të afërmit e tyre prej luftës në Siri.
Më shumë se 3,5 milionë refugjatë jetojnë ndërkohë në Turqi. Në anën siriane të kufirit njerëzit vazhdojnë të jetojnë me frikë. Provinca veriore e Sirisë Idlib konsiderohet si fortifikata e fundit e rebelëve - më shumë se tre milionë njerëz jetojnë ndërkohë atje, gjysma janë të dëbuar nga vende të tjera të Sirisë.
Ndarja e familjeve
Shumë refugjatë kanë ende të afërmit e tyre në anën tjetër të kufriit, ku vazhdon të gjëmojë lufta. Njëri prej tyre është Abdulmajid, që e sheh të motrën Fatima vetëm në videot nga celulari. Të shumtën e herëve ajo nuk ka lajme të mira. Tek i thotë, se sërish kanë rënë predha në shtëpinë e tyre, por falë Zotit ata kanë shpëtuar nga më e keqja. Fatima është në një fshat pranë Idlibit - Abdulmajid është në qytezën Reyhanli, në Turqi. Para gjashtë vjetësh ai u arratis dhe shkoi në Turqi, ndërsa e motra mbeti në Idlib, rrëfen Abdulmajid Al Halabi: "Shtëpia e saj u shkatërrua gjatë një sulmi dhe ajo bashkë me fëmijët u arratis në fshatin e prindërve tanë. Por më vonë edhe atje nisën bombardimet. Fatima as që nuk e besonte se lufta do të zgjasë kaq shumë."
Me shumë refugjatë të tjerë Abdulmajid na tregon, se si jeton në Turqi: Në një kamp gjysmë-ilegal me çadra, në një mjedis të ngushtë bashkë me gruan Dohok dhe me pesë fëmijët. "Ne jetojmë këtu, sepse kjo është mundësia jonë e vetme. Por duhet ta shihni një herë se si është këtu në dimër. Toka është plot baltë jashtë dhe është shumë ftohtë. Eshtë vërtetë një jetë e vështirë.
Sado të vështira që janë rrethanat, familja Abdulmajids është këtu të paktën në siguri. Para tre vjetësh Turqia i mbylli kufijtë me Sirinë dhe filloi të ndërtojë një mur: tre metra të lartë dhe të mbikqyrur rreptësisht. Muri është 800 km i gjatë - dhe do të zgjatet edhe më shumë. Pasojat e këtij vendimi janë të prekshme: Majtas ana turke e kufirit pa këmbë njeriu - djathtas ana siriane mbushur me kampe të dëbuarish aq sa të kap syri në horizont. Organizatat e ndihmës kujdesen për njerëzit atje. Ndihmësit e Gjysmë Hënës së Kuqe turke dërgojnë rregullisht furnizime për në Idlib.
Ndikimi i ardhjes së refugjatëve në jetën e turqve
Të paktën katër deri në pesë herë në javë e bëjnë ata turin e furnizimeve drejt anës tjetër të kufirit. Në qytetin kufitar turk Reyhanli njerëzit janë krenarë, që vendi i tyre prej vitesh jep kaq shumë ndihma. Asnjë vend tjetër në botë nuk ka pranuar kaq shumë refugjatë. Por ka edhe shumë që thonë tani mjaft më. Kriza monetare ka shtrenjtuar gjithçka, njerëzit kanë problemet e veta.
-"Ne kemi pranuar kaq shumë sirianë. Më shumë nuk bëhet më, ne nuk e duam këtë."
-"Edhe sikur të na duhej të arratiseshim ne do ta bënim këtë. Unë mendoj se ata duhet të vijnë."
-„Ata po na marrin vendet e punës. Dikur ne fitonim 80 Lira në ditë. Tani sirianët po i bëjnë punët tona për gjysmën e rrogës sonë." Abdulmajid dhe familja e tij natyrisht që e ndjejnë skepticizmin dhe refuzimin kundrejt tyre. Megjithatë ata janë mirënjohës. Presidentin turk këtu në çadrat e kampit e konsiderojnë si hero - aq më tepër pasi ai ia doli që të parandalojë tani për tani ofensivën ushtarake në Idlib.
Presidenti turk Erdogan dhe ai i Rusisë Putin së fundi ranë dakord për një zonë të çmilitarizuar për Idlibin, një ofensivë në shkallë të gjerë siriano-ruse mundi kësisoj të parandalohet, e po ashtu edhe katastrofa e mundshme humanitare dhe një valë e re refugjatësh drejt Turqisë. Të gjithë xhihadistët duhet të tërhiqen dhe të dorëzojën armët, por është e paqartë, nëse kjo vërtetë do të funksionojë.