261110 Irland Immigranten Polen
1 Dhjetor 2010Irlanda është përballur me një numër të madh imigrantësh në kohën e zhvillimit të saj më të madh ekonomik. Por tani gjërat kanë ndryshuar, sepse shumë imigrantë kanë mbetur pa punë dhe detyrohen të kthehen në vendlindjet e tyre
Shtetasit e vendeve tjera anëtare të Bashkimit Evropian, në veçanti polakët, kishin shkuar në një numër të madh në Irlandë në pjesën e parë të kësaj dekade. Ndërkohë që tani duhet të vendosin, ose të mbeten në Irlandën e cënuar nga kriza e rëndë financiare, ose të kthehen në shtëpi.
Çfarë të bëjnë tani emigrantët?
Në një supermarket polak në zonat kryesore të shopingut në Dublin ende është një atmosferë e gjallë. Por konsumatorët paralajmërojnë kohë më të vështira. Malgorzata Stankiewicz ka ardhur në Irlandë në pjesën e parë të vitit 2007, kur ekonomia e këtij vendi ishte ende në rritje. “Kam pasur një punë, të cilën e kam gjetur pa asnjë problem."
Ajo tani ka mbetur pa punë dhe si shumë irlandezë të tjerë kërkon punë në agjencinë e punësimit. “Po kërkoj një punë dhe çdo herë dërgoj CV-në, kur hapet ndonjë vend pune. Po përpiqem të bëj diçka për të gjetur një punë tjetër.”
Malgorzata nuk është e vetme. Ajo njeh shumë polakë të tjerë, të cilët në Irlandë kanë humbur vendet e punës dhe kanë vendosur të kthehen në vendlindje. “Shumë prej tyre janë kthyer në Poloni, sepse atje kanë familjet."
Imigracioni ishte masiv pas anëtarësimit të Irlandës në BE
Sa sa polakë kanë ardhur në Irlandë prej anëtarësimit të saj në BE në vitin 2004, nuk dihet e saktësisht. “Numri më i madh, të cilin kam dëgjuar është 200.000, që për një vend me 4.5 milionë banorë është një numër goxha i madh."
James Wickham, ekspert për migracionin në kolexhin Trinity në Dublin shpjegon. “Imigracioni ishte shumë masiv në veçanti pak para dhe menjëherë pas anëtarësimit të Irlandës në BE. Ajo, që në fakt ka ndodhur, është që shtetasit e vendeve të Evropës Perëndimore, njerëzit nga Polonia, por dhe nga Lituania, Letonia dhe vende të tjera, kanë bërë përpjekje për të gjetur një vend pune në Irlandën, që po përjetonte një bum ekonomik."
Irlanda ishte atraktive jo vetëm për polakët, por edhe për shtetasit e vendeve perëndimore evropiane, të cilët atje kanë gjetur pa vështirësi vende pune. Njerëzit si Neil, nga Zelanda e Re, tani janë atje më shumë si turistë. “Unë jam tani pa punë. Por kjo i ngjan më shumë një pushimi për momentin.”
Edhe Mikaela nga Suedia ka mbetur pa punë. “Aktualisht po kërkoj një vend pune. Tani jam duke shkuar në një intervistë për punë. Kam dëgjuar se për njerëzit, që njohin disa gjuhë, është më lehtë të gjesh punë dhe shpresoj se do të punësohem së shpejti.”
Arsyet për të qëndruar
Për imigrantët nuk është e domosdoshme të largohen nga Irlanda, vetëm për shkak të krizës financiare dhe vështirësive ekonomike. Profesori James Wickham vë në dukje se polakët, të cilët për shembull kanë mbetur pa punë, nuk duhet të largohen nga vendi dhe këtë e bëjnë sipas vullnetit të tyre. “Ata janë qytetarë evropianë dhe kjo është absolutisht e qartë. Ata i kanë të gjitha të drejtat këtu, i kanë të drejtat e njëtja për ndihma sociale, sikur të gjithë qytetarët e tjerë. Për momentin këto ndihma sociale në vendin tonë janë shumë të larta, më të larta se për shembull në Britani të Madhe.”
Kjo edhe mund të ndryshojë, sepse qeveria irlandeze ka paralajmëruar disa plane për ndryshime. Por profesori Wickham bën të ditur se shumë polakë nuk duan të mbeten, për shkak se janë mësuar me kohën, kur të gjitha gjërat në Irlandë shkonin mirë dhe ata kishin vende pune. “Njerëzit kanë gjetur tani punë adekuate në Poloni, ndërsa vendet e punës në Irlandë kanë qenë më shumë joformale dhe i kanë dhënë njerëzve më shumë iniciativë. Është interesante që përgjigje të njëjta kemi dëgjuar edhe prej njerëzve, që kanë ardhur nga Skocia. Njerëzit duan të mbeten ashtu siç kanë qenë dhe duan që iniciativat e tyre të shpërblehen.”
Shumëkush mendon se Irlanda sërish do të jetë një vend atraktiv për imigrantë pas rimëkëmbjes ekonomike. Tani për tani Irlanda po përballet më shumë me largimin se sa me ardhjen e njerëzve në këtë vend.
Autor: Olly Barratt/Bahri Cani
Redaktoi: Angjelina Verbica