'Të kthyer nga lufta me rrezikshmëri të lartë'
12 Prill 2018Çfarë duhet të bëjë një vend me ata që kthehen mbasi kanë luftuar për Shtetin Islamik në Siri dhe Irak? T'i dërgojë të gjithë në burg, apo t'u jap të gjithëve amnesti? Përgjigja për këtë pyetje nuk është e thjeshtë. Pyetja është bërë edhe më aktuale tani, kur Shteti Islamik ka humbur kontrollin në 98 përqind të territoreve të veta dhe ata që kanë shkuar për të luftuar për të nuk kanë më vend ku të rrijnë.
Ata kanë filluar të kthehen gradualisht, por gjithnjë e më shumë. Sipas ekspertëve, një numër i vogël i atyre që kthehen ose rizhvendosen përbëjnë rrezikshmëri të madhe për të ardhmen. „Një numër i vogël i të kthyerve ka qenë përfshirë në të kaluarën në akte terroriste vdekjeprurëse," thotë Michèle Coninsx, drejtuese ekzekutive e Komitetit për antiterrozmin në OKB. Si për shembull sulmi kundër muzeut të hebrejve në Bruksel më 2014, sulm i cili u krye prej një nga të kthyerit.
Edhe fëmijë mes të kthyerve
Ata që kthehen sot janë të më rrezikshëm se ata që janë kthyer para vitit 2014. Grupi i fundit i të kthyerve është më kompleks, nga numër më i madh vendesh dhe rajonesh, dhe më i larmishëm përsa i përket moshës, gjinisë dhe përvojës nga zona e konfliktit. 30 deri 42 mijë vetë nga 120 vende kanë shkuar për të luftuar për Shtetin Islamik. Numri më i madh i tyre është nga Rusia dhe ish-republikat sovjetike me 3417 vetë, ndjekur nga Lindja e Mesme dhe Evropa Perëndimore. Grupin nga Evropa perëndimore e kryeson Gjermania me 900 vetë, prej të cilëve 56 janë fëmijë. Nga Ballkani 845 vetë kanë shkuar të luftojnë në Irak dhe Siri, prej të cilëve 300 janë nga Kosova, mes të cilëve 27 fëmijë.
„Fëmijët ndoshta kanë marrë pjesë në stërvitje dhe janë indoktrinuar nga Shteti Islamik. Prandaj çdo rast, duhet parë dhe trajtuar si rast më vete, me zgjidhje individuale,” thotë Michèle Coninsx e cila së bashku me David Scharia-n, shef sektori në të njëjtën drejtori, prezantoi para gazetarëve raportin aktual mbi tendencat në luftën kundër terrorizmit.
Çdo rast i veçantë
„Çdo zgjidhje ekstreme nuk do të na çonte aty ku do donim të shkonim. Të fusësh në burg të gjithë ata që kthehen, nuk është zgjidhje për ato vende që kanë me qindra të kthyer, sepse burgu do të bëhej qendër radikalizimi. Nga ana tjetër, edhe falja e të gjithëve nuk do ishte efektive,” thotë David Scharia.
Rezoluta 2396 e Këshillit të Sigurimit, kërkon që çdo rast të trajtohet më vete, që të shihet individi, të identifikohet rrezikshmëria, potenciali i rehabilitimit dhe integrimit. Rezoluta kërkon që çdo krim të vihet para drejtësisë, pa shkelur të drejtat e njeriut. Vendet duhet të përmirësojnë proceset gjyqësore, mbledhjen e informacioneve dhe evidencës. Shpesh grumbullimi i evidencës është shumë e vështirë. Nuk dihet fati dhe vendndodhja e një pjese të madhe të mijëra vetëve që kanë shkuar për të luftuar në Irak dhe Levante.
„Bosnja dhe Ballkani kanë pasur në të kaluarën qindra vetë që kanë shkuar për Siri dhe Irak. Në të kaluarën rajoni ka pasur lëvizje grupesh që janë futur nga jashtë, ose grupe që nga rajoni kanë shkuar në vende të tjera. Kjo nuk është gjë e re. Trajtimi i të kthyerve nuk është gjë e re për Evropën Juglindore," thotë Scharia. 117 vetë që kanë luftuar për Shtetin Islamik janë kthyer në Kosovë, në Bosnjë janë kthyer 46.