Të shkatërruara dhe të rindërtuara - Monumente të kulturës botërore
Për kujtesën kulturore të botës
Që prej vitit 1972 UNESCO ia jep titullin e Trashëgimisë Botërore të Kulturës vendeve e monumenteve të ndërtimit me rëndësi botërore, për unikalitetin e tyre. Frauenkirche e Dresdenit bën pjesë këtu. Titulli bazohet në Konventën e Trashëgimisë Botërore, nënshkruar prej më se 190 shteteve. Vëmendjen kohët e fundit e kanë tërhequr qendra jo vetëm të shkatërruara, por edhe të rindërtuara të kulturës.
Simbol i Sirisë mesjetare
Për shekuj ajo u rezistoi luftërave dhe tërmeteve. Sot, minareja e famshme në botë e Xhamisë Umayyden në Aleppo është shkatërruar. Ajo ishte simbol i arkitekturës së Sirisë mesjetare. Në prill 2013 ajo ra viktimë e luftës civile, si edhe pjesë të lagjeve historike të qytetit. Mijëvjeçarë të historisë së njerëzimit u shkatërruan. Rindërtimi nuk duket gjëkundi.
Shkatërruar prej fanatizmit fetar
Statujat e Budas në Bamiyan ishin statujat më të mëdha të Budas në botë. Ato ndodheshin në luginën me të njëjtin emër të Bamiyanit, në qendër të Afganistanit. Statujat e mëdha ishin 35 metra të larta dhe ishin gdhendur në shkëmb në mijëvjeçarin e parë, si dëshmi e një arti unikal budist. Rindërtimi i kësaj pjese të Trashëgimisë Botërore të Kulturës është ende i pasigurtë.
Tokë e djegur
Qyteti i oazeve Timbuktu ndodhet në buzë të Saharasë, në Mali të Afrikës Perëndimore. Prej kohësh ai ka qenë qendër e tregtisë, ku çdo vit vinin qindra karvane. "Perla e shkretëtirës" ka qenë me xhamitë dhe mauzoleumet e saj qendër shpirtërore e fesë islame. Në vitin 2012, pjesë të mëdha të qytetit u shkatërruan nga islamistët, përpara se qyteti të çlirohej nga trupa mbrojtëse.
Lidhje e botëve të ndryshme
Ura e Mostarit është më tepër se monument kulture. Prej shekujsh ajo konsiderohet si lidhje simbolike e Lindjes me Perëndimin, midis krishtërimit dhe botës islame, si dhe midis kroatëve katolikë dhe serbëve ortodoksë. Në luftën e Bosnjës, në nëntor 1993 urën e shkatërruan. Pas kësaj, atë e rindërtuan - duke e shpallur në 2005-ën pjesë të Trashëgimisë Botërore të Kulturës.
Simbol i pajtimit
Për banorët e Mostarit, ura ishte një pjesë e jetës së përditshme. Ajo qe ndërtuar në vitin 1566. Me vite të tëra, ekipe ndërkombëtare punuan me çdo gur, për të krijuar një kopje të origjinalit të shkatërruar. UNESCO e mbështeti rindërtimin. Ishte hera e parë, që organizata botërore doli jashtë objektivit të saj primar, ruajtjes së trashëgimisë botërore.
Shkatërrimi i një ikone
Katedralja e Reimsit është për francezët kisha më e rëndësishme e kombit. Këtu janë kurorëzuar të gjithë mbretërit francezë. Në Luftën e Parë Botërore ajo u piketua si simbol i historisë kombëtare dhe u shkatërrua në një masë të madhe. Aksioni i panevojshëm ushtarak synonte t'i prekte dhe dobësonte moralisht francezët. Në vitin 1919 nisi rindërtimi i kishës.
Me shkëlqim të ri
Restaurimi i Katedrales së Reimsit u bë fillimisht me paratë e familjes amerikane Rockfeller. Akti më i rëndësishëm simbolik i pajtimit të gjermanëve dhe francezëve u krye më 8 korrik 1962: Presidenti i Francës, Charles de Gaulle dhe kancelari gjerman, Konrad Adenauer u lutën së bashku. Prej vitit 1991 katedralja është pjesë e Trashëgimisë Botërore të Kulturës.
E djegur nga flakët e bombardimeve
Kisha evangjeliste Frauenkirche në Dresden konsiderohet si një nga ndërtimet sakrale më pompoze protestane. Në sulmet nga ajri në Luftën e Dytë Botërore, në shkurt 1945 ajo u dëmtua rëndë prej zjarrit që u përhap dhe u rrëzua. Në RDGJ ajo ishte gërmadhë dhe përmendore kundër luftës. Pas kthesës politike, prej vitit 1994 ajo u rindërtua.
Magnet për turistët dhe simbol i paqes
Në vitin 2005, përfundoi rindërtimi i Frauenkirche të Dresdenit. Për financimin e saj ndihmuan shoqata ndihmëse dhe donatorë nga e gjithë bota. Më 30 tetor 2005, në Frauenkirche u krye një shërbesë përuruese fetare dhe një akt ceremonial. Përmendorja kundër luftës u kthye në një pikë tërheqëse për turistët. Veç kësaj, kjo kishë do të shërbejë si simbol i pajtimit.