Ushtarët gjermanë largohen nga Bosnjë e Hercegovina
28 Shtator 2012Në selinë e EUFOR-it në Sarajevë të enjten (27.9.) është ulur flamuri i Republikës Federale të Gjermanisë pasi që ushtarët e fundit të Bundeswehrit (ushtrisë gjermane), u larguan nga Bosnjë e Hercegovina. Sekretari i Përgjithshëm i Qendrës së Sarajevës për studime të sigurisë Denis Haxhoviq, vlerëson se trupat gjermane në përbërje të EUFOR-it kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në stabilizimin, paqën dhe sigurinë e pasluftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
"Tërheqja e forcave të Bundeswehrit është rezultat i vlerësimeve të qeverisë gjermane se Bosnjë e Hercegovina ka arritur nivelin e dëshiruar të sigurisë dhe se ky vend tani ka nevojë për ndihmë në aspektin financiar dhe ekonomik", tha Haxhoviq. Ai megjithatë beson se për shkak të krizës politike "në Bosnjë e Hercegovinë është ende e nevojshme një formë e pranisë ushtarake ndërkombëtare."
Qëndrime të ndryshme për praninë e forcave ndërkombëtare
"Gjermania është vend i ynë mik ndërsa prania ndërkombëtare ushtarake në Bosnjë dhe Hercegovinë do të jetë e nevojshme deri në hyrjen e saj në NATO", thotë anëtari i Komisionit Parlamentar për mbrojtje dhe siguri, Shefik Xhaferoviq. "Ushtarët gjermanë ishin faktor i stabilitetit dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm në misionin paqeruajtës të forcave ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë. Por është çështje e autoriteteve gjermane të vendosin nëse do të marrin pjesë në një mision paqëruajtës, "thotë Xhaferoviq.
Kryetarja e Komisionit për mbrojtje dhe siguri, Dushanka Majkiq beson se Bosnjë e Hercegovinës nuk i nevojitet më prania e paqeruajtësve ndërkombëtarë. Ajo thotë se vendimi i qeverisë gjermane është një "mesazh i dyfishtë për Bosnjë e Hercegovinën". "Nga njëra anë, ky është një mesazh që Bosnjë e Hercegovina të marrë përsipër detyrimet e saj nëse dëshiron të jetë shtet dhe në anën tjetër, në kohën e krizës financiare paratë duhet të përdoren në mënyrë racionale", thotë Dushanka Majkiq.
Qëndrimi i Gjermanisë ndaj rajonit
Duke komentuar për Deutsche Welle-n tërheqjen e Bundeswehr-it nga përbërja e EUFOR-it, analisti për çështje ushtarako-politike Neven Kazazoviq, thekson se forcat ndërkombëtare ushtarake janë të nevojshme në Bosnjë e Hercegovinë për shkak se "në këtë vend, asgjë nuk është zgjidhur." "Pasi që bëhet fjalë vetëm për një numër të vogël të ushtarëve gjermanë, vendimi për tërheqjen e tyre është i natyrës politike dhe natyrisht që duhet të shihet nga prizmi i politikës së përgjithshme gjermane ndaj rajonit", thotë Kazazoviq.
Ushtarët e Bundeswehr-it ishin pjesë e forcave ushtarake ndërkombëtare të cilat nën komandën e NATO-s, pas luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1995 numëronin rreth 60.000 trupa (misionet IFOR dhe SFOR). Bashkimi Evropian në 2004 mori përsipër nga NATO mandatin e forcës paqeruajtëse ndërkombëtare dhe përmes operacionit "Althea", vazhdon edhe sot të sigurojë respektimin e "Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqen në Bosnjë dhe Hercegovinë". Në përbërje të EUFOR-it sot janë rreth 1.200 ushtarë.