Hofer dhe van der Bellen flasin për Ballkanin
1 Nëntor 2016Një analist austriak së fundi ka deklaruar se dy kandidatët për President të Austrisë - kandidati i pavarur Alexander van der Bellen dhe ai i Partisë FPÖ, Norbert Hofer – janë figurat më tragjike të këtij viti politik. Kur shikon të gjitha gjërat që kanë ndodhur me zgjedhjet në Austri për president - ky konstatim nuk është tepër larg së vërtetës. Me 4 dhjetor në Austri do të votohet sërish për presidentin e ri, pasi që zgjedhjet e kaluara janë anuluar për shkak të parregullsive.
Kandidatët duket se janë lodhur pak nga fushata e sërishme parazgjedhore, e cila ka nisur në fillim të vitit. Por këto zgjedhje janë të rëndësishme, sepse tregojnë drejtimin në të cilin po shkon ky vend. Kandidati i pavarur van der Bellen ka mbështetjen e ekologjistëve, socialdemokratëve dhe disa partive të tjera. Ndërsa fitorja eventuale e klandidatit populist të FPÖ Norbert Hofer, mund të sinjalizonte edhe fundin e Republikës së Dytë në Austri.
Perspektiva e Ballkanit Perëndimor
Van der Bellen dhe Hofer kanë qëndrime të ndryshme për shumë çështje. Qëndrimet e tyre dallojnë në masë edhe për Ballkanin Perëndimor. Por të dy kandidatët mbështesin afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. "Anëtarësimi i Sllovenisë dhe Kroacisë ka qenë një hap pozitiv. Mendoj se edhe vendet të tjera duhet të kenë perspektivë evropiane", thotë për Deutsche Wellen Alexander van der Bellen. Ai mendon se hapi tjetër i BE duhet të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor.
Edhe Norber Hofer mendon se e ardhmja e Ballkanit duhet të jetë në BE. "Pranimi i Ballkanit Perëndimor në BE është vendimtar për stabilitetin, paqen dhe zhvillimin politik dhe ekonomik të këtij rajoni. Ndonëse jo të gjitha vendet janë të gatshme në këtë moment për pranim, ato duhet të kenë perspektivën e integrimit në BE", thotë Hofer në intervistë me DW.
Të dy kandidatët premtojnë se nëse fitojnë do t'i kushtojnë një vëmendje të posaçme Ballkanit. Hofer thotë se Austria duhet të forcojë rolin e ndërmjetësuesit, ndërsa van der Bellen pohon se do të konsultohet me Qeverinë për mbështetjen e Ballkanit Perëndimor nga Austria në rrugën drejt BE.
Në pyetjen si i sheh zhvillimet në Bosnje-Hercegovinë, pas referendumit në Republikën Srpska, të dy kandidatët angazhohen për zgjidhje diplomatike. "Shpresoj se qeveria në Sarajevë dhe Beograd do të motivohen gjatë negociatave për anëtarësim në BE dhe se as serbët e Bosnjes nuk do të largohen nga rruga evropiane", thotë van der Bellen. Ndërsa Hofer pohon se është i vetdijshëm për situatën e komplikuar atje, por mbetet optimist. "Besoj se me një angazhim të sinqertë mund të gjendet një zgjidhje diplomatike."
Ndryshimi i kufijve?
Por kandidatët kanë deri diku qëndrime të ndryshme për mundësinë e referendimit të RS dhe pavarësinë e saj nga B-H, siç ka paralajmëruar lideri serb Millorad Dodik. "Nuk mendoj që Austria duhet të mbështetë ndonjë lider të tillë në Ballkan", thotë van der Bellen, i cili angazhohet për një status neutral të Austrisë në këto çështje, sepse ndryshimi i kufijve mund të destabilizojë rajonin. Ndërsa i pyetur për mbështetjen e politikës serbe në Banja-Luka, Norbert Hofer thekson se ai "angazhohet për politikën e vetëvendosjes së popujve" dhe shton se politika e moscënimit të kufijëve është braktisur në vitet 90-të, kur republikat e ish-Jugosllavisë u shndërruan në shtete. Ai ka mirëkuptim për kërkesat e Republikës Srpska për pavarësi. "Nëse B-H është ndarë nga ish-Jugosllavia (dhe pa ndonjë vendim të popullit) atëherë edhe kërkesat e Republikës Srpska mund të kuptohen më lehtë".
Serbisë "notat më të mira"
Sa i përket njohjes së Kosovës dhe kushtëzimit të mundshëm të Serbisë me njohjen e Kosovës para se të futet në BE, Norbert Hofer nuk do të deklarohet, por shton se Serbia nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor "ka notat më të mira" në procesin e anëtarësimit në BE. Ai planifikon së shpejti të vizitojë Beogradin. Ndërsa van der Bellen është më konkret: „Serbia e ka marrë faktikisht rolin e lokomotivës në procesin për anëtarësimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit në BE. Por Serbia nuk do të duhej të futet në BE pa njohjen e Kosovës", thekson van der Bellen.