Varfëria shkak i largimit nga Kosova
2 Dhjetor 2014Stacioni i autobusëve në Prizren është i mbushur me njerëz. Ora 19:30. Në stacion janë mbledhur njerëzit, që duan të largohen nga Kosova për në Beograd. Shumë prej tyre përpiqen të mos i njeh askush. Ata janë kryesisht të rinj, por ka dhe fëmijë të moshës shkollore. Zyrtarisht ata nisen për në Beograd për ndonjë kontroll mjeku, sepse mjekët në Kosovë "nuk janë kompetentë sa duhet". Por qëllimi është largimi në ndonjë vend perëndimor. Me vete nuk kanë shumë bagazh dhe kanë frikë të flasin për ikjen e tyre, sepse për këtë është debatuar shumë kohët e fundit në Kosovë. Disa herë policia ka bërë përpjekje që me dhunë t'i kthejë nga kufiri.
„Ne luftojmë për ekzistencë e politikanët për kolltuqe"
Pas premtimit se nuk do t'ia përmendim emrin një 28-vjeçar pranon të flasë. "Para katër vitesh kam përfunduar fakultetin. Kam konkurruar në dhjetë vende dhe asgjë. Nuk ka kush të më mbështetë, ndërsa unë nuk kam pasur pesë mijë euro për ryshfet, sa jepen për t'u futur në ndonjë institucion shtetëror. Nuk mund të rri më. Perëndimi është shpëtimi i vetëm. Shumë kanë mbërritur atje dhe thonë se e kanë gjetur veten. E di që do të jetë shumë vështirë, por nuk kam ndonjë zgjidhje tjetër“, thotë ai. Në zyrën për punësim në Prizren presin rreth njëmijë të diplomuar me fakultet - mjekë, stomatologë, inxhinierë... Dhe rreth 50 mijë të papunë me shkolla të mesme. Presin me vite. Më në fund merr guximin të flas edhe një 30-vjeçar.
Jam i martuar, kam dy fëmijnë. Familja ka mbetur në shtëpi. Së pari do të shkoj unë e më pas do të përpiqem të marr familjen. Kam marrë para hua. Do ta shes arën më të madhe, nëse nuk mund t'i kthejë. Shikoni: ne po luftojmë për ekzistencën, ndërsa politikanët tanë po grinden për kolltuqe. Gati gjashtë muaj nuk kemi qeveri. Sa më larg prej këtu - aq më mirë“, thotë ai.
Gjatë bisedës vjen edhe drejtori i firmës që i vozit ata në Beograd, së bashku me shtatë bashkëpunëtorë të tij. Shan dhe kërcënon se do të na i thyjë pajisjet për inçizime - fotoaparatin, diktafonin... Në veçanti e shqetëson mundësia e bërjes publike të fotografive, ku do të shihej emri i firmës së tij në autobusë. Ai kërcënon se do të përleshet fizikisht me reporterin e Deutsche Welles nëse bëhet publik emri i firmës së tij dhe kërkon që të gjitha gjërat e regjistruara të fshihen. Me dhunë më shtynë nga peroni dhe kërkon të largohem nga stacioni i autobusëve. Për fat arriti një polic dhe incidenti më i madh u evitua....Po pse pronari i firmës është kaq nervoz, në qoftë se të gjitha punët e tij janë "legale“?
Fajin e kanë gazetarët?
Autobusi nuk është mbushur plot. Por do të mbushet në komunat e tjera të Kosovës, gjatë rrugës për në Beograd: në Suharekë, Shtime, Lipjan dhe Prishtinë. Në këtë linjë zyrtarisht qarkullojnë dy autobusë në mbrëmje. Qëllimi i shumicës së udhëtarëve është që përmes Beogradit të mbërrijnë deri në Suboticë, në afërsi të kufirit me Hungarinë. Atje, siç thonë të informuarit mirë, në një restorant në Suboticë i presin njerëzit që do t'i kalojnë matanë kufrit të Hungarisë dhe vazhdojnë rrugën për në Gjermani apo Francë. Kontrabanduesit për këto shërbime kërkojnë rreth 3.500 euro. Ditët e fundit edhe policia ka shtuar kontrollet në autobusë. Nga kufri në Merdarë javën e shkuar janë kthyer gjashtë autobusë me 300 udhëtarë.
Valon Krasniqi, drejtor i sektorit për nënshtetësi, azil dhe migracion në Ministrinë e Brendshme të Kosovës thotë se "këtë vit nga Kosova janë larguar 14.000 ndërsa vitin e kaluar 21.000 vetë“. Vala e fundit e migrantëve ka filluar pas botimit në shumë media të informacioneve se ambasada e Suedisë dhe Kanadasë në Kosovë thonë se "Kosova është vend i pasigurtë", që shumëkush e ka interpretuar si mundësi për largim dhe strehim në ndonjë vend perëndimor. Autoritetet e ambasadave të përmendura i kanë përgënjeshtruar këto pohime. Por largimet kanë vazhduar. Në tekstet e mediave në Kosovë janë publikuar edhe shifra të ndryshme për rrogat, që mund të fitohen në disa vende, që për kushtet e Kosovës janë astronomike.
E gjitha kjo ka rezultuar me përpjekjen e mijëra të rinjëve që të largohen nga Kosova dhe të kërkojnë një jetë më të mirë. Por shumë prej tyre kanë përfunduar rrugën në kufirin me Hungarinë, apo në burgjet hungareze, ku sipas informacioneve të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, mbretërojnë "kushte jonjerëzore" Këtë e kanë konfirmuar edhe shumë prej atyre, që kanë kaluar nëpër këto burgje dhe tani janë kthyer në Kosovë, siç është edhe Jadri Sulejmani. "Ai ka qenë një ferr i vërtetë“, thotë ai dhe apelon tek të rinjtë që të mos largohen nga vendi. Për këtë gjendje ai akuzon qeverinë aktuale, por edhe agjencitë turistike, të cilat "janë të gatshme të bëjnë gjithçka, për përfitime të shpejta".
Protestat sociale
Hamëz Bytyqi nga agjencia online Promokos travel, e cila ofron plotësimin e aplikacioneve për Kanada, thotë për DW se fajin e kanë gazetarët. Për një vit kemi pasur 25.000 aplikacione online pa pagesë. Kanë paguar vetëm 115 vetë për plotësimin e dokumentave, nga pesë euro për një faqe, pra 84 për person. Me sa di unë, familjet e këtyre personave i kanë marrë vizat, thotë ai. Ndërsa Safet Gerxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, pohon se me vite të tëra ka paralajmëruar për gjendjen e rëndë ekonomike në vend. "Nuk mund të pritet qetësi sociale dhe integrime evropiane pa zhvillim ekonomik. Në Kosovë kohët e fundit nuk ka kurrfarë perspektive, nuk ka investime dhe nuk ka hapje të vendeve të punës. Ky duhet të jetë paralajmërim për autoritetet“, thotë ai.
Gerxhaliu beson se shumica dërmuese e njerëzve të ikur do të kthehen së shpejti në Kosovë, sepse askush nuk do t'i pranojë ata. Pas kthimit do të shtohen problemet, sepse shumë prej tyre kanë marrë para hua dhe nuk kanë nga t'i kthejnë. Sipas të dhënave zyrtare rreth 40 % e njerëzve në Kosovë jeton në varfëri. Politikanët kanë premtuar hapjen e 200.000 vendeve të punës. Por në atë kohë ishte fushatë parazgjedhore.