1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vjeshta e Coronës - Sa e përgatitur është Gjermania?

Kay-Alexander Scholz
2 Tetor 2020

Vera iku, virusi mbeti. E tani me vjeshtën po rriten edhe infektimet. Ndërprerja e zinxhirëve të infektimit është një nga faktorët kryesorë në luftë kundër pandemisë. Sa e përgatitur është Gjermania?

https://p.dw.com/p/3jD8W
DEUTSCHKURSE | Deutschtrainer | Folge 015 | Uebungsbild | Folge-015-S01-A01-Herbst
Fotografi: DW DW

Në verë shumë gjëra ishin më të thjeshta. Me miqtë mund të takoheshe në park apo të uleshe jashtë në restorant. Tani me vjeshtën fillon periudha kur dyert mbyllen. Nervoziteti është rritur. Rreziku i infektimit me virusin në ambientet e brendshme është shumë herë më i madh, paralajmërojnë virologët. Gastronomia që gjate pranverës u kërkonte klientëve të lënin emrin dhe kontaktet, që në rast infektimi të informoheshin menjëherë të gjithë. Por me emra fiktivë figurash filmi nuk mund të bëhet gjurmimi i kontakteve, thotë politikani komunal i Hamburgut, Falk Großmann. Një provë jopërgjithësuese me 1500 fletë-kontakti tregoi se vetëm një e treta e personave i kishin dhënë të sakta të dhënat në formularë.

Ndjekja e kontakteve kërkon më shumë personel

Ndryshe nga Franca fqinje që është një vend i centralizuar, në Gjermani komunat e niveli lokal kanë qenë që nga fillimi i pandemisë të përfshira me shumë përgjegjësi në luftimin e pandemisë. Landet gjermane dhe federata ofrojnë vetëm kornizën e veprimit, por në Drejtoritë e Shëndetit në lande e në qytete vendoset se çfarë duhet bërë.

Coronavirus Bayern | München Testcenter am Hauptbahnhof
Fotografi: Peter Kneffel/dpa/picture alliance

Problemi këtu: Drejtoritë e Shëndetit punojnë prej muajsh në kufijtë e së mundshmes, shprehet kryetarja e Shoqatës Federale të Mjekëve në Shërbimin Shëndetësor Publik, Ute Teichert. "Kjo më shqetëson." Teichert as në vjeshtë nuk pret lehtësim të situatës. Negociatat se cila zyrë mund të hapë sa vende të reja pune, sapo kanë filluar, thotë ajo.

Edhe zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert paralajmëroi, se Drejtoritë e Shëndetit po punojnë "aktualisht deri në rraskapitje."

Prandaj tani po vjen në ndihmë ushtria gjermane. Rreth 950 kërkesa për ndihmë kanë ardhur që nga fillimi i pandemisë, thotë një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes për Deutsche Wellen. 900 ushtare e ushtarë janë në terren për ndihmë. Shumica ndihmon në testimin e të kthyerve nga udhëtimet. Të tjerë në gjetjen e rrjeteve të kontaktit. Gjurmimi i kontakteve funksionon, vetëm nëse edhe rezutatet e testimeve kryhen shpejt.

Shpresa tek testet e shpejtë

Ministria Federale e Shëndetësisë dhe Instituti Robert Koch publikojnë rregullisht një vështrim të përgjithshëm për kapacitetet testuese në vend. Në raportin aktual javor thuhet, se javët e ardhshme mund "të reduktohen kapacitetet e lira ". Së fundmi numri i testimeve është arritur shumë, më shumë se 1 milionë në javë. Ende ka hapësirë për frymëmarrje, por instituti jep një paralajmërim të dytë: sa më shumë që testohet, aq më tej zgjatet koha për marrjen e përgjigjes. Që tani ka një numër testesh pa përgjigje -13.000 prova janë në pritje. Por shpejtësia është një faktor i rëndësishëm për të ndërprerë zinxhirët e infeksionit.

Corona-Schnelltest I Bosch (Rob Engelaar/ ANP/picture-alliance)
Gjermania mbështet zhvillimin e një testi të shpejtë të firmës BoschFotografi: Rob Engelaar/ANP/picture-alliance

Politika mbështet paralelisht zhvillimin e procedurave testuese. Së fundmi federata do të mbështesë zhvillimin e një testi të shpejtë të Coronës nga firma Bosch, ku rezultati jepet për 39 minuta dhe jo për disa orë. Edhe firma të tjera punojnë për zhvillimin e testeve të tilla të shpejta.

Një pyetje e së ardhmes është si do të shpërndahet një vaksinë e mundshme? Kush duhet të vaksinohet i pari? Deri në fund të tetorit Ministria Federale e Shëndetësisë së bashku me ekspertët kërkon të përpunojë "Kriteret e Shpërndarjes së Vaksinës së Coronës" i përgjigjet ministria një pyetjeje të Deutsche Welles. Me këtë merret në konsideratë fakti që "diskutimi i shpërndarjes nuk ka vetëm një dimension mjekësor, por edhe etik dhe politiko-shoqëror." Koncepti i shpërndarjes do të konkretizohet kur të jetë e qartë se "si ndikojnë vaksinat."