1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Von der Leyen nga Tirana: Zgjerimi i unionit, prioritet!

23 Tetor 2024

Presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen, e nisi nga Tirana (23.10) turin në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u siguruar atyre se zgjerimi i unionit mbetet një nga prioritetet e mandatit të saj të dytë.

https://p.dw.com/p/4mA0B
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri shqiptar Edi Rama duke folur në knferencë shtypi në Tiranë. Ne sfond flamujt e BE-së dhe Shqipërisë.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri shqiptar Edi RamaFotografi: Prime Minister's Office

"Ju keni treguar vizion, durim dhe tashmë po shohim rezultatet e tyre" -  u shpreh Von der Leyen gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, teksa foli në Tiranë për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian gjatë javës së kaluar.

Kryeministri shqiptar pranoi se Shqipërinë e pret një punë e vështirë për të përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Europian, megjithatë ai shpreson se vendi do të jetë pjesë e unionit në vitin 2030. "Ne jemi shumë të vendosur që t'ia dalim edhe në këtë, dhe siç ju e dini skuadra jonë e negociatave ka treguar në Bruksel që është në lartësinë e duhur për t'u përballur me këtë sfidë të re" – u shpreh Rama.

Shqipëria pret këstin e parë nga "Plani i rritjes ekonomike”

Në maj të këtij viti (2023) Parlamenti Evropian miratoi planin e rritjes ekonomike, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo paketë ambicionze synon të ndihmojë rritjen ekonomike dhe reformat në këto vende, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit në union.
"Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, pra kompanitë e Ballkanit Perëndimor në sektorë të caktuar"– u shpreh Presidentja e Komisionit Evropian, teksa shtoi se "partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor po vënë më zbatim reforma të rëndësishme dhe këto reforma mbështeten nga ne".

Javën e kaluar (11.10) Komisioni miratoi axhendat e reformave të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Ky ishte një hap kyç për të lejuar pagesat sipas planit të rritjes.

Von der Leyen njoftoi, se Shqipëria do të presë këstin e parë prej 64 milionë euro (69 milionë dollarë) deri në fund të vitit, ndërsa më tej do të marrë më shumë se 920 milionë euro (995 milionë dollarë) në total, sipas planit të rritjes.
Po ashtu duke filluar nga viti i ardhshëm, Shqipëria pritet të bëhet pjesë e zonës unike të pagesave në euro, nga e cila do të përfitojnë qytetarët dhe kompanitë e saj me një transfertë parashë "më të shpejtë, më të sigurt dhe falas", sipas presidentes von der Leyen.

Hapet "Kolegji i Europës” në Tiranë

Gjatë vitës së saj në kryeqytetin shqiptar, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen mori pjesë edhe në inagurimin e kampusit të Kolegjit të Europës, i pari jashtë vendeve të Bashkimit Europian. "Ky qytet është pararoja e integrimit Europian" – u shpreh Von der Leyen në fjalën e saj përballë studentëve, teksa foli edhe për përpjekjet destabilizuese që vijnë nga Rusia drejt Unionit Europian. Ndërkaq kryeministri Edi Rama i ftoi të rinjtë që të promovojnë kulturën dhe historinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në Bruksel. "Një arritje historike" – e cilësoi hapjen e Kolegjit të Europës rektorja Federica Mogherini.
31 studentë nga 22 kombësi të ndryshme do të jenë brezi i parë që do të diplomohen në Kolegjin Europian të Tiranës që mban emrin e politikanit të shquar francez, ish-President i Komisionit Europian, Jacques Delors.

Pas Shqipërisë, Von der Leyen do të vijojë turin në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje Hercegovinë. Sipas agjendës ajo do të takohet me presidentin serb, Aleksander Vuçiç me 25 tetor, ndërsa një ditë më pas me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti. Turi i saj do të përmbyllet në Podgoricë, Mal i Zi.

 

 

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana