1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vrasja e politikanit: Dyshohet një ekstremist i djathtë

Ralf Bosen
18 Qershor 2019

I dyshuari për vrasjen e politikanit të CDU-së, Walter Lübcke ka kryer në vitin 1993 një sulm ndaj një strehimoreje azilkërkuesish. Politikani Lübcke njihej për angazhimin e tij për të huajt.

https://p.dw.com/p/3KcU7
Walter Lübcke ist tot
Walter Lübcke dyshohet se u vra një ekstremist i djathtëFotografi: picture-alliance/U. Zucchi

Po shtohen të dhënat se pas vrasjes së presidentit të qeverisë së Kaselit, Walter Lübcke qëndron një motiv politik. Në një konferencë për shtyp në Karlsruhe, Prokuroria e Përgjithshme Federale deklaroi, se ajo dyshon "për një sfond ekstremist të djathtë". "Zeit Online" kishte raportuar më parë, se Stephan E., i dyshuari urgjentisht për rastin e vrasjes së Lübckes, i cili u arrestua të shtunën, sipas qarqeve të sigurisë, që në vitin 1993 në moshën 20 vjeçare kishte hedhur një bombë artizanale në një strehimore azilkërkuesish në landin e Hesenit. Stephan E. kishte rënë në sy edhe më parë për policinë për lëndime trupore, zjarrvënien me motiv urrejtjen ndaj të huajve, etj.

Në rastin e vrasjes së politikanit Walter Lübke, 45 vjeçarin e rëndojnë provat e ADN-së. Ka ende shumë pyetje të hapura: A fshihet pas tij një rrjet ekstremistësh të djathtë? Për këtë deri tani nuk ka ende të dhëna, është shprehur zëdhënësi i Prokurorisë Federale.

Deutschland Trauerfeier für Walter Lübcke
I jepet lamtumira politikanit gjerman, Walter LübckeFotografi: Reuters/S. Pfoertner

Hetimet kanë rëndësi të veçantë

Se sa seriozisht e trajton këtë rast drejtësia gjermane, duket në faktin, se hetimet i kanë kaluar tani Prokurorisë së Përgjithshme Federale. Si rregull kjo prokurori ndjek sulme apo vrasje të organizatave terroriste. Hetimet për autorë të veçantë merren përsipër, vetëm për shkak "të rëndësisë së veçantë" të rastit.

Studiuesi i ekstremizmit të djathtë të fondacionit Hans-Böckler, Hendrik Puls beson, se pas të dyshuarit fshihen lidhje me organizatën neonaziste, "Combat 18" (C18) që është aktive në landin e Hesenit. "Combat 18" është parë si krahu i armatosur i rrjetit neonazist, "Gjak dhe Nder" dhe propagandon luftën e armatosur. "Për shembull në revista, ku publikohen udhëzues për prodhimin e bombave dhe koncepte apo strategji të luftës së armatosur të ekstremizmit të djathtë", shpjegon Hendrik Puls në bisedë me Deutsche Wellen. Nurmi 18 lidhet me gërmen e parë dhe të tetë të alfabetit latin, dhe me këtë me inicialet e Adolf Hitlerit.

Paralele me serinë e vrasjeve të grupit terrorist NSU

Nëse vërtet pas vrasjes së Walter Lübckes fshihet sfondi ekstremist i djathtë, duhet që të rivlerësohet rreziku i terrorit djathtist në Gjermani. Matthias Quent në bisedë me Deutsche Wellen sheh paralele me serinë e vrasjeve të grupit terrorist të djathtë, NSU. Për Drejtorin e Institutit për Demokracinë dhe Shoqërinë Civile në Jena tregues për një vrasje politike janë goditja drejt e në kokë dhe mungesa e një letre autorësie. NSU vrau në vitet 2000-2007 9 migrantë dhe një police, pati 43 tentativa për vrasje, tre sulme me lëndë shpërthyese dhe disa vjedhje.

Vrasja e politikanëve për arsye politike do të "ishte një dimension i ri", thotë Quent. Terrorizmi i djathtë gjerman nuk ka kryer akte të tilla që nga viti 1945. Ka pasur tentativa, si përpjekja për ta vrarë me thikë kryebashkiaken e Kölnit, Henriette Reker në Köln. "Por ekzekutime të qëllimshme të politikanëve nga radikalët e djathtë, kjo do të ishte vërtet një pikë kthese", thotë Quent.

Matthias Quent deutscher Soziologe und Rechtsextremismusforscher
Fotografi: picture-alliance/Zumapress/S. Babbar

Urretje për shkak të angazhimit për të huajt

Fillimisht u dyshua, se vrasja e Lübckes mund të lidhej me rrethin privat të tij. Më pas në fokus të hetuesve u futën edhe motivet politike. 65 vjeçari Lübcke kishte bërë shumë armiq mes ekstremistëve të djathtë me qëndrimin e tij të hapur për politikën gjermane të azilit dhe të drejtat e atyre që kërkojnë mbrojtje. Si president i qeverisë së Kaselit, ai ishte përgjegjës për strehimin e refugjatëve në pjesën veriore të landit Hesen. Individë esktremistë e brohoritën vrasjen e Lübckes në internet, gjë që shkaktoi zemërim në Gjermani.

Deutschland Ermittlungen im Fall Lübcke
Hetimet në rastin LübckeFotografi: Reuters/R. Orlowski

Sipas ekspertit, Matthias Quent duhet të merren shumë seriozisht mesazhet e urrejtjes nga ekstremistët e djathtë. "Ka studime që tregojnë, se gjuha e urrejtjes në internet luan rol edhe në dhunën reale." Përveç kësaj fyerje të tilla janë një problem i përgjithshëm për kulturën demokratike dhe "çon në atë që njerëzit të frikësohen", thotë Quent.

Shteti duhet të marrë shumë seriozisht strukturat dhe tendencat e dhunës së djathtë dhe terrorizmit të djathtë. "Ne shohim, se rregullisht bëhen të ditura lista të vdekjes, lista të armiqve nga skena ekstremiste e djathtë. Edhe Lübcke ishte i renditur në këto lista." Tani duhet të tregohet, se strategjitë e terroristëve të djathtë ndiqen nga autoritetet, që autorë potencialë të dhunshëm janë në fokusin e tyre, dhe ata që janë sulmuar "të ndjejnë solidaritetin e shoqërisë dhe të kenë besim tek mbrojtja nga autoritetet", thekson eksperti Mattias Quent.