1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vritet një polic i EULEX-it në veri të Kosovës

dpa/reuters/dw/Shehu19 Shtator 2013

Vritet në veri të Kosovës një polic i EULEX-it.

https://p.dw.com/p/19kRU
Fotografi: AP

Një pjesëtar i EULEX-it është vrarë sot (19.09) në mëngjes në afërsi të komunës së Zveçanit. Mësohet se makina e EULEX-it me gjashtë pjesëtarë brënda është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, bën të ditur EULEX-i në një njoftim për mediat. Plumbat kanë prekur në kokë dhe në bark policin nga Lituania. Si pasojë e sulmit janë plagosur edhe dy policë të tjerë, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital."Task Forca Mitrovica është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar. Zona përreth është bllokuar. Me këtë rast do të bëhet çmos për t’i sjellë autorët e kësaj vepre përpara drejtësisë", thuhet në njoftimin e EULEX-it.Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e KFOR-i dhe njësitë speciale të EULEX-it. EULEX-i nga ana e tij e ka dënuar fuqishëm këtë akt dhune kundër pjesëtarit të tij. Zyrtarët e këtij misioni u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që mund të kenë informacione, të njoftojnë policinë për të kapur sulmuesit. Ky mision, po ashtu, i ka bërë thirrje komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitarë, apo që është në dijeni për këtë incident, që të informojnë organet kompetente.

Reagime nga BE, SHBA dhe NATO

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, shtetet anëtare të përfaqësuara në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fuqishëm e dënojnë aktin qyqar, i cili ndodhi sot me 19.09 në mëngjes në komunën e Zveçanit mbi dy vetura të EULEX-it, i cili rezultoi me vdekjen e një pjesëtari të misionit të EULEX-it. "Sulmi mbi EULEX-in është një sulm mbi BE-në dhë tërë Bashkësinë ndërkombëtare. Është një sulm mbi gjithçka për të cilën angazhohemi përfshirë paqen, sigurinë dhe sundimin e ligjit. Nuk ka hapësirë për dhunë, kërcënime dhe frikësim në Kosovën e sotme", thuhet në reagim.

Eulex Logo
Logoja e EULEX në Kosovë

Vrasjen e pjestarit të EULEX-it në veri të Kosovës e ka dënuar fuqishëm edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. "Shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjen dhe të dashurit e pjesëtarit të ndjerë të EULEX-it, për të gjithë anëtarët e misionit të EULEX-it, si dhe për popullin dhe qeverinë e Lituanisë. Të plagosurve u dëshiroj shërim të shpejtë. KFOR-i do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij, për të kontribuar për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes në Kosovë", thuhet në reagimin e Rasmussen.

Sulmi ndaj EULEX - sulm ndaj vlerave të shtetit të Kosovës

Vrasjen e pjestarit të misionit EULEX në veri të Kosovës e kanë dënuar fuqishëm, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaci, duke e cilësuar sulmin akt qyqar. "Ky sulm ndaj EULEX-it, mision ky i cili bën përpjekje të parreshtura krahas institucioneve të tjera të sigurisë, të vendosi rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është një akt plotësisht i patolerueshëm i forcave që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe prishjen e rendit kushtetues në kohën kur institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë pjekuri politike, duke u angazhuar të krijojnë një shtet gjithëpërfshirës", thotë në reagimin e saj presidentja Atifete Jahjaga.

Vrasjen e pjesëtarit të misionit EULEX në veri të Kosovës e ka dënuar fuqishëm, kryeministri Hashim Thaci, duke e cilësuar një sulm qyqar. "Ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Qeveria në bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë është e vendosur që të vazhdojë ti kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë edhe në pjesën veriore të vendit", thuhet në reagimin e qeverisë.

Kosovo Konferenz Wien
Hashim Thaçi, kryeministri i KosovësFotografi: Reuters

Kryeministri Thaci kërkon nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që autorët e këtij akti që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.