Vërejtjet e Gjermanisë ndaj Serbisë
21 Maj 2021Ende jemi në periudhën kur shumë gjëra përcaktohen mbi bazën e luftimit të virusit Corona. Kjo u pa edhe të mërkurën (19 maj) gjatë vizitave të ministres për Integrimin Evropian të Serbisë, Jadranka Joksimoviq dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Anzhe Logar. Por qasja ndaj pandemisë ishte e ndryshme: Joksimoviq nënvizoi suksesin pan-evropian të Serbisë në vaksinimin e qytetarëve, ndërsa Logar theksoi nevojën e koordinimit të aktiviteteve rreth dokumentave për Covid-19, në mënyrë që Sllovenia të shpëtojë të paktën një pjesë të sezonit të saj turistik.
Për pandeminë është biseduar edhe gjatë takimeve për kthimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në axhendën e Bashkimit Evropian. Ky është një proces që Gjermania ka nisur në fillim të këtij viti me aktivitete të intensifikuara diplomatike, duke ftuar ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, në një kohë kur, për shkak të bllokimit, gati asnjë politikan i huaj nuk vinte në Berlin.
Kthimi në listën e prioriteteve
Qeveria gjermane ka bërë të ditur, se do të insistojë në ringjalljen e Procesit të Berlinit. Ky proces ishte larguar nga vëmendja për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të mungesës së ideve të reja si dhe mungesës së interesit të shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit.
Pjesë e motivimit të Berlinit për intensifikimin e temës së Ballkanit Perëndimorështë edhe futja e fuqishme e Kinës, Rusisë apo Turqisë në këtë rajon, e të cilat po e shfrytëzojnë hapësirën boshe që e ka lënë Bashkimi Evropian, për shkak të mosangazhimit të duhur.
Pas vizitës së kolegut të tij nga Serbia, Nikola Selakoviq, në fillim të marsit, paksa i irrituar, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas deklaroi në konferencën për shtyp se BE është furnizuesi më i madh i Ballkanit Perëndimor me vaksina, ndërsa në shumë media shkruhet ndryshe. Para bisedimeve me ministrin Logar, ministri i Jashtëm gjerman u shpreh i zhgënjyer me përshtypjen e përgjithshme, se BE ka hequr dorë nga Ballkani Perëndimor. "Bashkimi Evropian ndoshta nuk është më i zëshmi në Ballkanin Perëndimor, por ne jemi partneri më i rëndësishëm politik dhe ekonomik për të gjitha vendet në këtë rajon", theksoi Maas.
Zgjerimi - fjala tabu!
Si pjesë e "Trojkës", e cila mban presidencën e Bashkimit Evropian, Maas dhe Logar i kushtuan një pjesë të mirë të bisedimeve pikërisht koordinimit të projektit të kthimit të Ballkanit Perëndimor në axhendën e BE. Por të dy ministrat e shmangën përdorimin e termit "zgjerim", ndonëse janë të vetëdijshëm - që në veçanti u pa gjatë vizitës së Selakoviqit në Berlin - që shtyrja dhe mos përmendja e asnjë date të mundshme të anëtarësim, me siguri nuk rrit popullaritetin e Bashkimit Evropian në këtë rajon.
"Kjo është arsyeja pse ne duhet t'u dërgojmë një mesazh të qartë njerëzve që jetojnë në atë rajon: e ardhmja juaj është në Bashkimin Evropian dhe ne të gjithë e duam këtë. Ne duhet të sigurojmë një perspektivë të besueshme të anëtarësimit në mënyrë që të mbështesim forcat pro-evropiane në rajon, e që është e nevojshme për zbatimin e reformave të nevojshme," tha Maas.
Roli i qytetarëve
Logar nga ana tjetër njoftoi se një nga përparësitë e presidencës sllovene të Këshillit të BE, në gjysmën e dytë të këtij viti, do të jetë marrja përsipër e iniciativës gjermane. "Ne duhet ta mbajmë temën e Ballkanit Perëndimor shumë lart", theksoi Logar. Në pyetjen e DW se cilat impulse specifike janë planifikuar, Logar deklaroi se, përveç konferencës së re brenda Procesit të Berlinit, po përgatiten takime të nivelit më të lartë me qëllim që të përfshihen më mirë vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e formësimit të së ardhmes së BE-së. "Ne do të propozojmë edhe takime të rregullta mes të gjitha shteve të BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi ynë është të përfshijmë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në debatin mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian", tha Logar.
Kolegu i tij Maas beson në radhë të parë në ndihmën ekonomike si reklama më e mirë për BE, veçanërisht në periudhën pas pandemisë. "Me partnerë nga Ballkani Perëndimor, ne duam të hedhim bazat për rimëkëmbjen ekonomike, veçanërisht në këtë periudhë të vështirë pas pandemisë. Është e rëndësishme për ne që njerëzit ta shohin atë dhe të përfitojnë prej kësaj ndihme", theksoi Maas.
Ulja në dy karrige
Njëkohësisht ministrja e Serbisë për Integrimin Evropian, Jadranka Joksimoviq, përmes bisedimeve me Michael Roth, Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, siguroi Gjermaninë se Serbia është ende e përkushtuar në rrugën drejt integrimit në BE. Pas bisedimeve me Roth, por edhe me përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Bundestag, ajo tha se beson tek mbështetja e plotë e Berlinit në arritjen e qëllimeve të Beogradit në lidhje me zbatimin e reformave, por edhe vazhdimin e negociatave.
Por në një bisedë me DW para takimit me ministren serbe, kryetari i grupit parlamentar të Bundestagut për Evropën Juglindore dhe një nga ekspertët më të mirë për situatën në rajon, deputeti socialdemokrat (SPD) Josip Juratoviq, i nënvizoi vërejtjet e vjetra, të cilat përfaqësuesit serbë i dëgjojnë gjithmonë në Gjermani, kur flasin për angazhimin e Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian - mangësitë në fushën e sundimit të ligjit, mangësitë në fushën e drejtësisë dhe lirisë së mediave.
Edhe deputetja Renate Alt, e cila është përgjegjëse e Evropës Juglindore në Partinë Liberale (FDP), thotë për DW, se pengesa më e madhe për Serbinë qëndron në fushën e drejtësisë, lirisë së mendimit dhe sundimit të ligjit. "Serbia në këtë rrugë ka bërë hapa mbrapa e jo përpara", theksoi Alt, duke shtuar se "nuk është për t'u habitur që Serbia nuk hapi ose mbylli asnjë kapituj negociimi vitin e kaluar".
Juratoviq, i cili të mërkurën është takuar edhe me ministren Joksimoviq, i dëshpëruar thotë: „Serbia duhet të vendosë, nëse e do Evropën e Orbanit dhe Grupit të Vishegradit, të cilat në BE janë vetëm për shkaqe ekonomike, apo do realizimin e vlerave evropiane. Ne nuk e dimë se çfarë po do Serbia. Ajo do të ketë raporte të mira me të gjithë dhe të rrijë ulur në dy karrige“, theksoi Juratoviq.