1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Xhon Bolton dha dorëheqje nga posti i ambasadorit amerikan në OKB

Daniel Sheshkevitz5 Dhjetor 2006

Këtë post në Kombet e Bashkuara Bolton e morri në gusht të vitit 2005 pasi Presidenti Bush pat shfrytëzuar për emërimin e tij një pauzë të seancave të Kongresit

https://p.dw.com/p/AqZh
Bush dhe Bolton
Bush dhe BoltonFotografi: dpa

Presidenti amerikan Xhorxh Bush e pranoi me keqardhje të thellë dorëheqjen e ambasadorit Bolton. Deri para pak javësh diplomatë në departamentin amerikan të shtetit u përpoqën që kongresi i vjetër të miratojë emërimin e Boltonit në këtë post, ç'ka do të evitonte nevojën e një miratimi tjetër nga kongresi i ri.

Xhon Bolton konsiderohet si një kritik i ashpër i Kombeve të Bashkuara. Para emërimit të tij në këtë post ai shpesh e pat vënë në dyshim rëndësinë e OKB-së. Megjithatë presidenti Bush e pat emëruar atë si ambasadorin amerikan në Kombet e Bashkuara në kohën kur Kongresi ndodhej në pushim veror - një e drejtë kjo e siguruar me kushtetutë e cila në të kaluarën është përdorur edhe nga presidentë të tjerë amerikanë.

Bush tha me rastin e emërimit të Boltonit në gusht të vitit 2005: "Për shkak të taktitave të zvarritjes me motive partiako-politike të një grupi senatorësh është refuzuar miratimi për emërimin e Xhonit, emërim të cilin ai e ka merituar".

Megjithatë i ashtuquajturi emërim gjatë kohës së pushimeve, me të cilin Bush e dërgoi Boltonin në Nju Jork nuk është më i vlefshëm prej momentit të mbledhjes së parë të Kongresit të ri. Bush lavdëroi punën e Boltonit në Kombet e Bashkuara sidomos për kontributin e dhënë për rezolutat për Iranin dhe Korenë e Veriut.

Mirëpo sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve amerikanë bëri të qartë se me stilin e tij të vrazhdë dhe prezantimin e tij gjithnjë në mbrojtje të interesave amerikane ka bërë pak miq në Kombet e Bashkuara.

"Mendoj se ambasadori Bolton e ka kryer punën ashtu siç është pritur prej tij. Ai e morri postin në një kohë kur ne duhej të trajtonim tema të vështira që preknin reformimit të Kombeve të Bashkuara, Koresë së Veriut e deri tek Irani. Dhe ai u angazhua fort për zbatimin e detyrave të cilat iu caktuan si përfaqësues i qeverisë amerikane", tha Annan.

Bolton ka patur pak sukses me pikëpamjet amerikane për procesin e reformave të Kombeve të Bashkuara. Ish-ambasadori a merikan në Kombet e Bashkuara gjatë kohës së presidentit Karter, Donald McHenry, mendon: "Nëse dikush vie në Kombet e Bashkuara me aq shumë ngarkesë dhe me qëndrimin 'ne kundër pjesës tjetër' atëherë nuk mund të pritet sukses", tha McHenry.

Për emërimin e një ambasadori të ri amerikan në Kombet e Bashkuara presidenti Bush tani do të ketë nevojën e shumicës së kongresit të ri, i cili për herë të parë takohet në janar të vitit të ardhshëm.