1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Zgjedhjet presidenciale: Garë dramatike në SHBA

4 Nëntor 2020

Gara mes Trump e sfiduesit të tij, Joe Biden mbetet ende e hapur edhe të mërkurën në mëngjes. Sipas njoftimeve, Trump fitoi në Florida e Ohio, Biden mori Arizonan. Trump pretendon fitoren para përfundimit të numërimit.

https://p.dw.com/p/3kqKZ
Kombobild | US Wahlen 2020

Pa fitoren në Florida, presidenti Trump praktikisht nuk do të kishte asnjë shans për një mandat të dytë. Me fitoren e bërë të ditur nga disa televizione amerikanë në Florida dhe Ohio, sërish gara mes Trump dhe Biden bëhet më e ashpër dhe e ngushtë - ndryshe nga ç'mendonin kundërshtarët e Trumpit dhe ç'thonin sondazhet për një fitore spektakolare të Joe Bidenit. Vendimtar bëhet kështu rezultati i zgjedhjeve në shtetet Arizona, Michigan,Pennsylvania, Wisconsin.

Trump: "Ata përpiqen t'i vjedhin zgjedhjet"

Megjithë sukseset e pjesshme, Joe Biden u shpreh i sigurtë për fitoren: Ai është në "kursin për të fituar këto zgjedhje", tha kandidati 77 vjeçar para demokratëve opozitarë në qytetin e lindjes, Delaware. Kurse presidenti Trump pretendon, se ka fituar, dhe kërkon të ndalë një numërim të mëtejshëm të votave me anë të Gjykatës Supreme."Ne e kemi fituar këtë zgjedhje", tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Ai akuzoi demokratët në natën zgjedhore, se duan t'ia "vjedhin" fitoren. "Ne jemi shumë përpara, por ata përpiqen t'i vjedhin zgjedhjet."

US Wahl 2020 Donald Trump
Fotografi: Chip Somodevilla/Getty Images

Menjëherë pas mesazhit të Trump, twitter e lidhi mesazhin me një paralajmërim. "Disa nga përmbajtjet e ndara në këtë tweet, janë të kontestueshme dhe me gjasë çorientuese në lidhje më pjesëmarrjen në zgjedhje apo një proces tjetër qytetar shtetëror", u shkrua në disa gjuhë.

Pas Floridas, Ohios, televizionet amerikane njoftuan për fituesin edhe në shtetet "swing" -që herë zgjedhin demokratët, herë republikanët". Sipas tyre Trump fitoi në Iowa, Biden në New Hampshire dhe Minnesota. Në Texas, ku Biden kishte llogaritur me fitore, televizionet shpallën Trumpin fitues. U njoftua se Biden fitoi në Arizona. Ndryshe nga para katër vitesh, Trump nuk e siguroi dot fitoren në këtë shtet federal. (e akt.)

Për fitoren në zgjedhje një kandidat presidencial duhet të fitoje 270 nga 538 të deleguarit e Kolegjit Zgjedhor. Deri më tani Biden ka 223 vota të tilla, Trump 213. Pritej që votimi në disa shtete federale të zgjaste, kësaj here për shkak të pandemisë, ku shumë qytetarë kanë votuar me postë. Paralelisht me zgejdhjet presidenciale, zhvillohen edhe zgjedhjet e pjesshme të kongresit. Këtu demokratët mundën të ruajnë e zgjerojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Demokratët kanë 232 nga 435 vende. Ende nuk dihet, se cila parti do të fitojë në Senat, dhoma tjetër e kongresit. Deri më tani aty dominonin republikanët me 53 nga 100 vende.

US Wahl 2020 Joe Biden
Fotografi: Angela Weiss/AFP/Getty Images

Fushatën zgjedhore në SHBA e përcaktoi pandemia e Coronës, e cila e ka goditur fuqishëm SHBA, me më shumë se 230.000 të vdekur, SHBA ka numrin më të lartë të viktimave të Coronës. Biden e ka kritikuar politikën e ndjekur nga Trump në menaxhimin e pandemisë.

 

la/ag