1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet presidenciale në Bosnjë-Hercegovinë

Angelina Verbica4 Tetor 2010

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor anëtarë të kryesisë së Bosnjë Hercegovinës janë zgjedhur Bakir Izetbegoviç, Nebojsha Radmanoviç dhe Zheljko Komshiç

https://p.dw.com/p/PV8M

Sipas të dhënave të KQZ-së nga votat e numëruara në 74 per qind të vendvotimeve kandidati i Partisë së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) për anëtarin serb të presidencës së Bosnje- Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç, ka grumbulluar 211.593 vota, përderisa kandidati i koalicionit “Së bashku për Republikën Srpska” Mladen Ivaniç ka fituar besimin e 199.833 votuesve.

Bosnien Wahlen Stimmzettel Wahllokal
Numërimi i fletëve të votimitFotografi: AP

Ivaniç ka theksuar se problem paraqesin listat e pavlefshme të votuesve. Ai ka paraqitur ankesën e Partisë së Progresit Demokraktik (PDP) tek Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjë-Hercegovinës. "Kam qënë kundërkandidat i fortë dhe po qe se do të merrnim parasysh edhe këto vota të pavlefshme, do të isha kunderkandidat edhe me i fortë për zotin Radmanoviç“, ka thënë Ivaniç.

Sipas rezultateve nga 82 per qind e votave kandidati i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) për anëtarin boshnjak të presidencës së B-H, Bakir Izetbegoviç ka fituar 133.933 vota. "Mendoj se ka fituar një politikë racionale, të cilën SDA po udhëheq prej dekadash dhe kjo politikë do të fitojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Izetbegoviç.

Präsidums-Wahl in Bosnien-Herzegowina
Bakir Izetbegovic, kandidati i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA)Fotografi: AP

Në garën për presidencën e Bosnjë Hercegovinës mbi 60.000 vota të pavlefshme

Kundërshtari kryesor i Izetbegovićit, kandidati i Lidhjes për një të Ardhme më të Mire (SBB), Fahrudin Radonqiç, ka fituar 116.960 vota. "Më duhet të shpreh kënaqësinë absolute për rezultatet e zgjedhjeve të SBB-së, por pres që për shkak të mbi 60.000 votave të pavlefshme Komisioni Qendror Zgjedhor ta shqyrtojë mirë gjithë situatën. Ato vota nuk më janë marrë mua, por 60 mijë njerëzve”, ka thënë Radonqiç. Kryetarja e Komisionit qendror zgjedhor Irena Hadžiabdić ka thënë se edhe në zgjedhjet e vitit 2006 kanë qënë rreth 10 per qind të fletëvotimeve të pavlefshme“.

Bosnien Herzegowina Wahlen Nebojsa Radmanovic
Nebojsa Radmanovic, kandidati i Partisë së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD)Fotografi: AP

Kandidati i Partisë për Bosnjën, Haris Silajxhiç, ka fituar besimin e 97.537 votuesve. "E përgëzoj zotin Izetbegoviç për zgjedhjen si anëtar i Presidencës”, ka thënë Silajdžić pas kumtimit të rezultateve të zgjedhjeve. Ai ka shtuar se ndryshimet kushtetuese, që duhet të pasojnë pas zgjedhjeve, do duhej të fuqizojnë pozicionin e Bosnjë Herecegovinës dhe se “qeveria e ardhshme nuk duhet të heqë dorë nga ai qëllim”.

Më së shumti vota për presidencën e Bosnjë Hercegovinës ka grumbulluar kandidati i Partisë Socialdemokrate të Bosnjës për anëtar kroat të presidencës së Bosnjë Herecegovines, Zheljko Komshiç. Atij besimin ia kanë dëshmuar 271.449 votues. "Në cilindo funksion që të gjendemi, detyra jonë është të punojmë jo vetëm në interes të atyre, që kanë votuar për ne, por në interes të të gjithë qytetarëve të Bosnjë Hercegovinës, pa marrë parasysh çfarë bën, apo mendon dikush“, ka thënë Komshiç. Ai ka thënë se nuk beson se vërtet gjithë ata njerëz kanë bërë gabime gjatë votimit.

Präsidums-Wahl in Bosnien-Herzegowina
Kandidati i Partisë për Bosnjën, Haris SilajxhiçFotografi: AP

Kandidatja e Bashkësisë Demokrate Kroate të Bosnjë Hercegovinës (HDZ BIH), Borjana Krishto, ka fituar 54.881 vota. Ajo ka thënë se zgjedhja e kandidatit të Partisë Socialdemokrate e Bosnjë-Hercegovinës për anëtar kroat të presidencës, Zheljko Komshiçit, “ka treguar se ku gjendet Bosnja dhe Hercegovina sot dhe çfarë të ardhmeje përfytyron populli boshnjak". Presidenti i Bashkësisë Demokrate Kroate (HDZ BiH) Dragan Čović ka thënë se "Komshić me 300.000 vota të boshnjakëve nuk mund të përfaqësojë popullin kroat”, dhe se pas zgjedhjeve duhet të bëhen ndryshime kushtetuese.

Kandidati i Bashkësisë Demokrate Kroate 1990 Martin Raguzh ka fituar 52.215 vota. Duke e komentuar analizën e organizatave joqeveritare, ndër të cilat ka pasur njërën ndër fushatat më të mira dhe më të pastra, Raguzh ka thënë se si shoqëria e Bosnjë Hercegovinës nuk është e pjekur për ndryshime kualitative. "Parashoh një status-quo, sepse me zgjedhje të tilla mbahet orari ekzistues, në të cilin për katër vjet ka dominuar konfrontimi”.

Rezultate të mira zgjedhore te Partia e Socialdemokratëve të Pavarur

Bosnien Herzegowina Wahlen Dodik
Kandidati i Partisë së Socialdemokratëve të Pavarur, Milorad DodikFotografi: AP

Në zgjedhjet për president të Republikës Srpska, kandidati i Partisë së Socialdemokratëve të Pavarur Milorad Dodik udhëheq me mbi 50 per qind të votave. Dodik ka deklaruar se “fitorja e tij asnjëherë nuk ka qënë e diskutueshme”. Sipas sekretarit ekzekutiv të Partisë së Socialdemokratëve të Pavarur Rajko Vasić, kjo parti udhëheq edhe në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës Srpska.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjë Hercegovinës në zgjedhjet për presidencë të Bosnjë Hercegpvinës edhe më tej udhëheqin Željko Komšić, Nebojša Radmanović dhe Bakir Izetbegović. Kryetarja e komisionit qendror zgjedhor, Irena Hadžiabdić, ka thënë se janë arritur shtatë ankesa, të cilat kanë të bëjnë me thyerjen e heshtjes zgjedhore, ndërsa 108 të tjera për shkak të parregullsive në vendvotime. Rezultatet preliminare të zgjedhjeve për të gjitha nivelet e qeverisjes priten gjate ditës.

Në zgjedhjet e përgjithshme në B-H kanë dalë mbi 55 per qind të qytetarëve me të drejtë vote. Ndërsa sipas Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjë Hercegovinës priten edhe votat e 36.649 qytetarëve nga diaspora.

Autor: Samir Huseinović/Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica