"Kosova është shtet i pavarur"
10 Tetor 2018Deutsche Welle: Zoti Komshiq, a jemi në prag të një krize të thellë në Bosnjë-Hercegovinë, siç thonë shumë analistë?
Komshiq: Mendoj se jo, të paktën unë nuk shoh asnjë shkak pse të ketë krizë, nëse dikush nuk do qëllimisht të shkaktojë këtë krizë. Por këtë pyetje duhet t'ua drejtoni atyre që e duan këtë krizë. Rezultatet e zgjedhjeve janë këto që janë. Zgjedhjet janë zbatuar sipas rregullave nga vitit 1996. Çështje tjetër është nëse dikush është i kënaqur apo jo me rezultatet e zgjedhjeve. Kjo është pra çështje politike nëse dikush i pranon rezultatet e zgjedhjeve apo jo.
Ju angazhoheni për një opsion qytetar në Bosnjë-Hercegovinë. Por në Presidencë përfaqësohen tri entitete, tri kombe. Si e shikoni ju këtë pozitë në Presidencë?
Pozita ime është e vështirë. Nuk ka qenë e lehtë as në dy mandatet e kaluara. Nëse kandidon me një opsion qytetar, duhet të ketë një masë të mjaftueshme zgjedhësish që e votojnë këtë opsion, por kjo masë nuk e liron askend nga përgjegjësia që të bëj hapin e parë në këtë drejtim. Dua të jetoj si ju në Gjermani, ku të gjithë njerëzit janë të barabartë, pavarësisht prejardhjes dhe origjinës së tyre. Fakti që Bosnjë-Hercegovina është ashtu siç është, nuk do të thotë se duhet të mbetet e këtillë.
Në Presidencë nuk do ta keni fare lehtë, sepse aty do të jetë edhe anëtari i zgjedhur nga serbët, Milorad Dodik, i cili punon në shkatërrimin e vendit. Si e paramendoni bashkëpunimin në Presidencë?
Në Kushtetutën tonë nuk flitet për përfaqësuesit e kombeve në Presidencë, por vetëm për pjesëtarët e tri kombeve. Legjimiteti i përfaqësuesve buron pra jo nga populli si kolektiv, por nga qytetarët, zgjedhësit në B-H. Sa i përket Presidencës së B-H, unë edhe më parë në dy mandate kam qenë në Presidencë, ku ishte edhe Nebojsha Radmanoviq, nga partia e Dodikut. Kemi pasur bashkëpunim solid. E si do të pozicionohet Milorad Dodiku nuk e di. Por do të ishte më mirë sikur të sillej racionalisht, sepse çdo bllokadë e Presidencës mund të kthehet si bumerang. Nuk e di si do të punojë Dodiku, por që tani e di se nëse fillon me bllokada, ky do të jetë problem i madh edhe për te dhe Republikën Serpska.
Dodiku ka thënë se nuk do të lejojë futjen e Bosnjë-Hercegovinës në NATO. Si do të arrini kompromis me te për këtë çështje?
Dodiku nuk ka ndonjë superfuqi. Vendimi për NATO-n është miratuar dhe kurrë nuk ka ndryshuar. E gjitha që mund të bëjë Dodiku është të kërkojë ndryshimin e këtij vendimi, por për këtë nuk do të ketë miratimin e dy anëtarëve tjerë të Presidencës. Vendimi pro anëtarësimit në NATO pra ekziston.
Në dy mandatet e kaluara keni qenë shumë të ashpër në qëndrimet ndaj Serbisë. Cili do të jetë raporti juaj në këtë mandat ndaj Serbisë?
I njëjti si ndaj Kroacisë. Pra ato do të respektohen deri sa këto vende i respektojnë standardet e raporteve të mira fqinjësore mes vendeve - që vlenë për të gjithë, Bosnjë-Hercegovinën, Sebinë dhe Kroacinë. Ky është një pozicion normal i të gjithë atyre që quhen shef i një shteti.
A jeni të gatshëm për raporte të mira edhe me Vuçiqin?
Unë jam i gatshëm për bashkëpunim të mirë me të gjithë, pra edhe presidenten e Kroacisë dhe presidenin e Serbisë, e natyrisht edhe Malit të Zi. Por kërkoj që të dihet qartë se ku janë kufijtë e Bosnjë-Hercegovinës dhe duhet të sillemi mbi këtë bazë.
Kur jemi tek kufijtë - muajt e fundit ka pasur iniciativa në rajon për ndryshimin dhe korrigjimin e tyre. Cili është qëndrimi juaj?
Mendoj se kufiri i Biosnjë-Hërcegovinës nuk duhet të ndryshojë, nuk duhet të preket dhe nuk duhet të ketë shkëmbime territoresh, sepse kështu krijohen precedente të rrezikshme. Kufijtë e B-H janë përcaktuar dhe këtë e ka konfirmuar edhe i ashtuquajturi Komisioni i Badinterit. Shkëmbimi i territoreve nuk vjen në konsiderim, sepse do të ishte një precedent i rrezikshëm.
A vlenë ky qëndrim edhe për Serbinë dhe Kosovën?
Unë nuk mund të flas në emër të Serbisë dhe Kosovës.
Po ju pyes, sepse shumëkush bën paralele mes ndryshimit eventual të kufijëve atje me B-H?
Shumëkush mund t'i ndërlidhë këto gjëra me B-H, por kjo nuk do të lejohet në këtë vend. Kjo nuk ka lidhje me B-H. Se çfarë do të bëjnë Serbia dhe Kosova, kjo është çështje e tyre dhe do të ishte shumë e pahijshme të përzihemi në këto punë. Unë kam mendimin tim për këtë çështje, por ky është mendim privat.
Cili është ky mendim?
Po ju them: Ky është mendim privat. Unë vërtet mendoj që raportet mes Serbisë dhe Kosovës duhet të zgjidhen si raporte mes dy shteteve fqinje dhe miqsore. E si do të zgjidhen ato, kjo është çështje e tyre. Unë nuk kam kurfarë dileme se Kosova është shtet i pavarur. Por duhet ta dini - ky është mendimi im privat.
Cila do të jetë pozita juaj në këtë mandat për njohjen e pavarësisë së Kosovës?
Pozita ime është absolutisht e qartë. Ju thash që Kosova është shtet i pavarur dhe do të ishte e mençur sikur ta njihte edhe Bosnjë-Hercegovina, por me Miloradom Dodikun në Presidencë, dyshoj se do të merret një vendim i tillë. Pra unë nuk e fsheh qëndrimin tim: Kosova është shtet i pavarur.
Zhelko Komshiq, nga Fronti Demokratik, është zgjedhur anëtar i Presidencës, si pjesëtar i popullit kroat. Koshiq ka qenë dy herë më parë, para Dragan Çoviqit, anëtar i Presidencës së B-H.