1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zhvillohet mbledhja mbi sektorin e IT-së në Potsdam

Monika Dittrich18 Dhjetor 2006

800 000 njerëz punojnë në Gjermani në sektorin e informacionit dhe komunikacionit, shkurt IT. Por fatkeqësisht shumë firma gjermane po e transferojnë teknologjinë e tyre jashtë shtetit, sepse aty prodhimi është më i lirë

https://p.dw.com/p/AqyF

Angela Merkel ka pasur një qëllim kur vendosi ta zhvillojë mbledhjen e IT-së në Institutin Hasso-Plattner të Dresdenit dhe jo në ambientet qeveritare në Berlin. Ky institut u krijua përpara 7 vitesh nga bashkëthemeluesi i koncernit për software SAP, Hasso Plattner dhe është kthyer ndërkohë në një ndër instutitet më të famshme gjermane për zhvillimin e programeve të kompjuterave. Kjo ishte edhe tema kryesore e takimit: Studimi i degës së inxhinierisë është baza kryesore për të krijuar një degë të fortë të sektorit të IT-së, gjë që ende është problematike në Gjermani, pohon edhe kancelarja gjermane Angela Merkel: "Ajo që më trembi është informacioni se studimi i degës së informatikës zgjat mesatarisht 8 vite. Gjatë kësaj kohe zhvillohen me siguri të paktën dy gjuhë të reja për programe."

Por koha që zgjat studimi i degës së informatikës, nuk është i vetmi problem në Gjermani. Gjithnjë e më pak maturantë vendosin të studiojnë degë teknologjike dhe kuota e grave në këto degë është tepër e ulët. Kjo është arsyeja përse ekspertët kërkojnë që qeveria ta mbështesë më shumë arsimimin dhe edukimin për degët teknologjike. Të gjithë pranojnë se duhet ndryshuar diçka në sistemin arsimor. Sepse mungesa e bashkëpunëtorëve të aftë në këtë sektor, është një sinjal negativ për konjunkturën, mendon edhe ministri gjerman i ekonomisë Michael Glos i unionit kristian social CSU: "Prandaj duhet të investojmë në rradhë të parë në kokat më të mira që kemi. Për të mbajtur këtu firmat dhe ekspertët duhet të kemi një bashkëpunim sa më të mirë mes shtetit dhe firmave private."

Qeveria gjermane ka vendosur të investojë rreth 1.2 miliardë euro në sektorin e IT-së për 3 vitet e ardhshme. Këto të holla do të përdoren për studime dhe për përmirësimin e teknologjisë. Angela Merkel përmendi si shembull zhvillimin e një makine të re kërkimi në internet dhe futjen e radiochips për produkte të ndryshme nëpër supermarkete. Kancelarja theksoi se është e rëndësishme që teknologjia e informacionit dhe ajo e komunikacionit të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën. Firmat e mesme mund të jenë në gjendje ta mbijetojnë konkurrencën ndërkombëtare, vetëm në rast se ecin në të njetin hap me zhvillimin e internetit dhe kompjuterave, theksoi Merkel:

"Pa sektorin e IT-së pozicioni klasik i fortë i qeverisë gjermane, do të dobësohet. Duhet të pohoj diçka: Jam shumë optimiste, por vlerësimet realiste janë të domsodoshme për të ecur përpara. Dhe kohët kur bota u entuziasmua nga kompjuteri i parë, që ndërtoi gjermani Konrad Zuse, i përkasin së kaluarës."

Qeveria gjermane ka vendosur të ndërmarrë disa hapa inovativë. Angela Merkel theksoi se administrimi elektronik do të zgjerohet edhe më tej gjatë viteve të ardhshme. Kështu të gjitha palët mund të përfitojnë, sepse komunikimi mes qytetarëve dhe zyrave do të jetë edhe më efikas.