Zëvendëskancelari austriak frenohet për Kosovën
12 Shkurt 2018Të hënën (12.02) zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache pritet në Beograd për bisedime. Por një citim në fundjavë për Kosovën i ka paraprirë vizitës së tij. Një gazetë beogradase proqeveritare, "Politika" ka cituar në fundjavë zëvendëskancelarin austriak Heinz-Christian Strache (FPÖ). Sipas "Politika" Strache ka thënë se "Kosova është padyshim pjesë e Serbisë." Një deklaratë kjo që bie ndesh me politikën e deritanishme të Austrisë, e cila ka qenë ndër shtetet e paraq që e ka njohur Kosovën.
Zëdhënësi i Straches, Martin Glier e hodhi poshtë citimin në bisedë me agjencinë austriake të lajmeve, APA. Sipas tij Strache nuk e ka thënë këtë në intervistë. Austria "e ka njohur Kosovën si një nga vendet e para dhe është që atëherë përkrahëse e fuqishme e Kosovës."
Eurodeputeti austriak i partisë konservatore austriake, ÖVP, Othmar Karas reagoi me zemërim pas intervistës. "Ky sulm i ri kundër rendit të paqes në Ballkan" e bën atë "të tronditur dhe e lë pa fjalë". Edhe Claudia Gamon nga liberalët e rinj ka shprehur kritikë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa. "Zëvendëskancelari dhe partia e tij nuk heqin dorë nga fitilat në Ballkan". Ndërsa Lëvizja Paneuropiane e Austrisë thekson se ka "shkundur kokën prej habisë" me thëniet e Straches që "dukshëm i kanë shpëtuar zhvillimet e kohëve të fundit në Ballkan". Deri më tani nuk është folur për një regjistrim audio të intervistës.
la/dpa,apa